Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar foto të ecurisë së punimeve në Bypassin e Fierit.
Referuar njoftimit zyrtar të ARRSH-së, puna po vijon intensivisht në mënyrë që të kapet afati i hapjes së njërës korsi për autoveturat deri me 30 qershor.
“Momentalisht ka përfunduar betonimi i të gjithë urave. Gjithashtu është përfunduar shtrimi me stabilizant i 18 km rrugë dhe janë asfaltuar 15 km të këtij aksi. Do të mbajmë premtimin e dhënë se këtë verë në Vlorë do të shkohet përmes Bypassit të Fierit!” shkruhet në njoftimin e ARRSH-së.
Prej vitesh shqiptarët presin të përfundojnë 22 kilometrat e një autostrade të re, e cila shmang rrugën e vjetër kombëtare që lidh Fierin me qytetin e Vlorës.
Punimet për bypass-in e Fierit nisën në vitin 2011 dhe tani pas 8 vitesh do të hapet njëra korsi e kësaj rruge, e cila do të lidhë mjetet direkt me autostradën Levan – Vlorë.
Sonila Qato, drejtore e Autoritetit Rrugor Shqiptar thotë se këtë sezon turistik, qytetarët do të udhëtojnë përmes autostradës së re, 22 kilometra të gjatë.
Karrexhata në njërin krah do të hapet brenda muajit qershor. Qato tha se, ”punimet janë përqendruar në realizimi e anës së majtë të korsisë së këtij projekti për të bërë të mundur që 22 km rrugë, nga Levani deri në Fier të jenë të kalueshme dhe të lidhet ky aks me akset e tjera në drejtim të jugut”.
“Ne kemi objektivin që brenda muajit qershor kjo korsi të jetë e hapur për mjetet e lehta”. Inxhinierët e kompanisë “Combined Group”, e cila do të përfundojë segmentin kundrejt një vlere prej 38 milionë eurosh, thonë se terreni fushor dhe me prani të shumta uji ka krijuar vështirësi inxhinierike.
Edhe shiu i ditëve të fundit është bërë pengesë. Por të gjithë të sigurojnë se korsia e anës së majtë do të jetë gati brenda 30 qershorit.
Drejtorja e Autoritetit Rrugor thotë se punimet janë riskeduluar dhe po përgatitet plani i menaxhimit të trafikut kur të hapet korsia për mjetet e lehta.
Qato, tha se, “ARRSH do miratojë edhe planin e ri të organizimit të trafikut në momentin kur korsia e majtë do të jetë në dispozicion të përdoruesve të rrugës”.
Korsitë janë të gjera 3,75 metra. Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm autostrada do të hapet e gjitha në të dy krahët. Ajo do të jetë e pajisur dhe panele mbrojtëse për të evituar erën e fortë që rreh këtë segment.
Faza më intensive e punimeve është përqendruar në dy urat e fundit. Punimet janë duke ecur me intensitet dhe urat po përgatiten për hedhjen e betonit. Edhe në urën e Hoxharës punimet janë drejt përfundimit. Trarët janë shtruar dhe po përgatitet hedhja e betonit.
Të dy urat bëjnë lidhjen me rrethrrotullimin e Mbrostarit që lidh bypass-in me autostradën Fier–Lushnjë. Pas hapjes së rrugës, mjeteve do t’u lejohet një shpejtësi deri në 120 km/h dhe koha për të udhëtuar nga Levani në Vlorë shkon në 15 minuta.