MENU
klinika

Ministria e Brendshme

Auditi i brendshëm zbardh abuzimin me fondet

26.06.2019 - 20:43

Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka zbardhur se në njësitë që operojnë me fonde publike ka gjetur dëm financiar 4,3 miliardë lekë ose 35 milionë euro.

Sipas të dhënave mësohet se dëmi është shkaktuar në vitin 2018 dhe rezulton se sistemi i prokurimeve ka pasur gjetjet me vlerë më të madhe të shkeljeve të konstatuara. Gjatë këtij viti janë evidentuar nga audituesit e brendshëm 20 raste për investigim të mëtejshëm nga njësi të specializuara.

Kryesisht: 2 raste Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, 1 rast Ministria e Brendshme, 2 raste Ministria e Drejtësisë, 2 raste Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 6 raste Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 2 raste ALUIZNI, 3 raste Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe 2 raste Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

Sipas të dhënave të raportit mësohet se tetë prej këtyre rasteve i janë drejtuar për investigim të mëtejshëm Drejtorisë së Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, tetë raste prokurorive të rretheve përkatëse, ndërsa rastet e tjera i janë drejtuar Agjencisë së Prokurimit dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor.

Gjatë 2018 strukturat e auditimit të brendshëm kanë realizuar 1,232 angazhime auditimi kundrejt 1,240 angazhime të programuara.

Nga të dhënat vërehet se gjatë vitit ka një numër të madh auditimesh të kombinuara (557 auditime) dhe auditime përputhshmërie (371 auditime), si dhe një numër i konsiderueshëm i auditimeve të paplanifikuara, 132 me kërkesë të titullarëve të njësive publike.

Nga auditet shihet se ka mungesë të procedurave të shkruara në lidhje me procesin e identifikimit të risqeve, që kanë të bëjnë me korrupsionin apo mashtrimin, gjë që bën që menaxhimi të mos jetë i angazhuar në trajtimin e tyre, dhe rrjedhimisht, kontrollet e brendshme në proceset e ndryshme të punës nuk janë të bazuara në risk.

Ekziston një mungesë e konsiderueshme e koordinimit dhe komunikimit në lidhje me arritjen e objektivave dhe treguesve të performancës midis institucioneve eprore dhe njësive të tyre të varësisë, gjë e cila mund të përmirësohet nëpërmjet organizimit të trajnimeve të përbashkëta të këtyre njësive publike, për të siguruar një informacion sa më të konsoliduar dhe gjithëpërfshirës.