MENU
klinika

Rritet huadhënia

Bankat lëshojnë dorën me kreditë

28.06.2019 - 16:13

Bankat duket se kanë nisur të lehtësojnë kushtet për kredimin e ekonomisë.

Ky është një nga sinjalet e para që për daljen e kreditimit nga stanjacioni.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë mësohet se, në fund të muajit maj portofoli i kredisë për ekonominë arrit në afro 549 miliardë lekë, 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë një muaji, totali i kredisë bankare u rrit me mbi tre miliardë lekë.

Sipas të njëjtave të dhëna mësohet se rritja e kredisë ishte e shpërndarë në të gjitha kategoritë kryesore të klientëve, çka ndoshta dëshmon shenja të një përmirësimi të ngadaltë, por të qëndrueshëm të tregut. Veçanërisht domethënëse është kthimi i rritjes pozitive në portofolin e bizneseve.

Kredia për sipërmarrjet private ka arritur në 327 miliardë lekë, në rritje me 2.5% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Huadhënia në segmentin e biznesit përbën rreth 60% të portofolit total të kredisë dhe për momentin ka një rol përcaktues në rritjen e kreditimit të ekonomisë shqiptare.

Pas një procesi disavjeçar të pastrimit të portofolit nga kreditë e këqija dhe ngadalësimi drastik të kredisë së re, ky segment i tregut në në fund duket se po gjen një farë frymëmarrjeje.

Ndërkohë që kredia për individët po konfirmon edhe këtë vit vijimësinë e ciklit të rritjes pozitive.

Në fund të majit, portofoli i kredisë për familjet shqiptare arriti në 188.3 miliardë lekë, në rritje me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti është shprehur optimiste për rritjen e kreditimit e ekonomisë.

Në veçanti, mbyllja e ristrukturimit të sistemit përmes disa shitblerjeve të rëndësishme, pritet ta kthejë fokusin e bankave drejt zgjerimit të biznesit dhe të rrisë ofertën për kredi.