MENU
klinika

Mbyllet protesta

Basha kërkon PS-në, por jo Ramën/ Meta anulon zgjedhjet!

08.06.2019 - 15:32

22:25/ Basha mbyll protestën, Meta kërkon ‘paqe’, por pa zgjedhje!

Ka përfunduar protesta e 8-të kombëtare e opozitës së bashkuar.

Një moskoordinim ka ndodhur mes militantëve të PD dhe organizatorëve të saj politikë.

Teksa lideri demokrat ka mbyllur protestën nga selia e Partisë Demokratike, disa protestues kanë mbetur përpara Kuvendit duke mos iu bindur thirrjes së vazhdueshme të policisë për t’u shpërndarë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë ngritur një kordon policie.

Ndërkohë që sekretari i Përgjithshëm i PD dhe ish-kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili kanë tentuar të shpërndajnë turmën duke i bërë thirrje militantëve të largohen nga zona për të shkuar drejt selisë blu.

21:40/ Basha e mbyll edhe për sot: Dialog me PS, por pa Ramën!

Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka bërë thirrje socialistëve të ndalin krimin në kupolën e PS dhe të marrin drejtimin e partisë.

Nga selia e PD në mbyllje të protestës, Basha bëri apel për dialog pa Ramën kryeministër me një qeveri tranzitore.

“Dështoi me turp përpjekja për zgjedhje moniste. Orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë më në këmbë se kurrë, më të fortë se kurrë për ta çuar këtë betejë drejt fitores.Bisha e plagosur kriminale do bëjë gjithçka për të ndaluar grahmat e fundit të kufomës politike të organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreut të bandës Edi Rama.

Kur njerëzit bëhen bashkë për kauzën e drejtë nuk ka forcë që i ndal dhe nuk ka forcë që i mund. Pjesëmarrja është shenjë e qartë  e shumicës dërmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Pjesëmarrja, bashkimi, qëndresa, vendosmëria është forca jonë dhe forca juaj. Rama ik! Është zëri juaj që kumboi nga Berlini në Bruksel, nga Londra në SHBA”, u shpreh Basha ndër të tjera.

21:15/ Protestuesit dhunë tek Kuvendi, Meta: Ndaloni!

Pas deklaratës në podiumin e protestës të kryedemokratit Lulzim Basha, protestuesit u drejtuan drejt Kuvendit.

Tashmë e bërë traditë në 8 protestat e opozitës së bashkuar, menjëherë pas deklaratës së liderëve, mbështetësit e tyre janë gjendur sërisht në hyrjen kryesore ku zhvillohen seancat plenare dhe kanë nisur ‘luftën’ me uniformat blu.

Edhe pse me fjalën e tij basha u shpreh kundër dhunës ndaj Policisë, sërisht ishte ai që i nxiti protestuesit që të shkulin me forcë qeverinë Rama nga pushteti!

Për pasojë, protestuesit janë përleshur sërisht me policinë si në çdo protestë, është dashur gazi lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit, Ilir Meta pasi ‘grisi’ dekretin e zgjedhjeve të 30 qershorit, i ka bërë thirrje bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi si dhe aleatit të saj, Lulzim Basha që të tërhiqen nga protesta përpara Kuvendit.

Me anë të një mesazhi, Meta kërkon që protestuesit të ndalojnë aktet e dhunës.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta i bën udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Ora 20:22/ Basha: Vendimi i Metës, sukses i opozitës!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi sukses të opozitës, vendimin e Presidentit Ilir Meta për të anuluar datën 30 qershor si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve.

“Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminal autokratik për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist, antikushtetues, pushtetin vendor. Kjo është vetëm rezultat i forcës tuaj.

Ishte ky bashkim që diktoi anulimin e 30 qershorit, procesin kriminal, të juntës kriminale. Është forca e drejtësisë së kauzës tonë, ajo që dikton këto vendime. Le ta themi këtu të gjithë, le ta ndajmë me çdo shqiptar anë e mbanë vendit vendosmërinë tonë për ta çuar këtë betejë deri në fund, deri në fitore. Rama ik!”, tha Basha.

Ora 19:55/ Vendimi i Metës, reagon Kryemadhi: Nuk kam ndikuar fare!

Në një prononcim për mediat, ndërsa i bashkohet protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh se sot protestohet kundër politikave diskriminuese të kryeministrit Rama.

“Jemi këtu për t’ju thënë që shumica e shqiptarëve janë kundër politika të tij diskriminuese. Ta harrojë politikn, i them Ramës se është edhe baba, prindi për fëmijën e tij sakrifikon edhe jetën.

Shqiptarëve iu duhet një alternative e re ku të gjithë janë të barabartë.” U shpreh Kryemadhi ndërsa shtoi se: Për mua nuk ka rëndësi bëhen apo jo zgjedhjet, Rama duhet të ikë, është kryeministër me vota nga grupe të krimit të organizuar.”, tha ajo.

E pyetur nëse ka ndikur në vendimin e kreut të shtetit, Ilir Meta, për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit,Kryemadhi e mohoi kategorikisht atë.

“Nuk kam ndikuar fare, kam dy javë që nuk e kam takuar që kur jam operuar. Protesta do të vazhdojnë, nuk ka dialog me Ramën që ka ardhur me votë ilegjitime. Sot protestojmë për demokracinë, fjalën e lirë, median e lirë, punën, padrejtësitë në gjykata, etj. “ u shpreh Kryemadhi.

Ora 19:37/ Rama i përgjigjet Metës: Zgjedhjet do bëhen, janë të popullit

Pavarësisht se kreu i shtetit vendosi të shfuqizojë dekretin për zgjedhjet, kryeministri Edi Rama është i vendosur se procesi do të kryhet më 30 qershor.

“Përsëri gabim, e ju them se zgjedhjet do bëhen në 30 qershor. Nuk jam i befasuar e prisja edhe këtë, dhe nuk është asgjë veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë, për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e qeverisë e varrimi irefomës në drejtësi.

Por as qeverinë se marrin zvarrë as reformën se varrosin dot dhe ne në 30 qershor do bëjmë zgjedhje, sepse zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit. “ – u shpreh Rama nga Berati.

Ora 19:30/ Në 30 qershor s’ka zgjedhje, Presidenti Meta shfuqizon dekretin

Një zhvillim i fundit nga Presidenca që iu jep një kthesë të papritur zhvillimeve në vend. Presidenti i Republikës Ilir Meta shfuqizon dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit çka do të thotë shtyrje e zgjedhjeve lokale. Presidenti Meta shprehet se duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar.

Kreu i Shtetit deklaron më tej se në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.

DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SH.T.Z ILIR META

1. Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë;

2. Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;

3. Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

4. Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;

5. Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;

Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.
Në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.
U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune.
Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës.
Shqipëria e para! Shqipëria si gjithë Evropa!

19:20/ Qytetarët zbresin në shesh, policia gardh

Opozita e bashkuar pritet të zhvillojë sot protestën e 8-të kombëtare në Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, me të njëjtën kërkesë, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të lira.

Policia e Shtetit por edhe Garda, ashtu si edhe në rastet e tjera kanë marrë masa për mbarëvajtjen e protestës së sotme të opozitës në orën 19:00.

Në terren do të jenë të angazhuar 1700 forca policie, të cilat do t’i kushtojnë rëndësi ruajtjes së institucioneve.

Po ashtu, mësohet se para Ministrisë së Brendshme, por edhe Parlamentit do të vendosen gardhe metalike si edhe kamera me rezolucion të lartë, për fiksimin e atyre që kryejnë akte dhune.
Në gatishmëri janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe autobotet me ujë.

Nga ana tjetër mësohet se Partia Demokratike ka kërkuar leje për protestë marshim tek Kryeministria dhe Parlamenti nga ora 19.00 deri në mesnatë, ndërsa policia e ka lejuar të protestojë vetëm para Kryeministrisë deri në orën 21:00.

18:45/ Basha: Të gjithë në shesh t’i tregojmë Ramës se populli ja ka hequr vizën

Kryetari i PD-së Lulzim Basha sërish i ka bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës para Kryeministrisë.

“Protesta, përballja, bashkimi kundër padrejtësisë është e vetmja shpresë për shumicën e shqiptarëve që duan një vend normal, ku qeveria të punojë për ta e jo për krimin. Sonte në ora 19.00 të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin në protestën kombëtare, për t’i treguar kryeministrit ilegjitim të avdylajve, se populli ia ka hequr vizën. Asnjë hap pas! ShqipëriasiEuropa”

Të organizuar nga degët e PD-së, simpatizantë të opozitës janë nisur nga Korça dhe Lezha me autobusë, furgona dhe mjete private.

Me një banderolë të madhe “Rama ik”, nga Berati janë nisur protestuesit e parë drejt Tiranës. Nisja është bërë me autobusë dhe mjete të vogla.

18:30/ PD nxjerr shifrat: 70 mijë protestues nga rrethet sot në protestë

Pak para nisjes së protestës së opozitës së bashkuar, burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se kanë mbërritur ose janë rrugës për në Tiranë rreth 70 mijë qytetarë në total. Ata do të marrin pjesë në protestën përpara kryeministrisë, e cila do të nisë për rreth një orë.

“Parashikimet për pjesëmarrjen në protestë janë disi më të larta se ajo e protestes se fundit, ku llogariteshin rreth 62 mijë protestues nga rrethet, pa llogaritur qytetarët e qarkut të Tiranës, të cilët, sipas strukturave organizative të Partisë Demokratike, janë zemra e protestës. Njësoj si që nga 16 Shkurti, kërkesa kyçe e protestave të opozitës është largimi i kryeministrit Rama dhe hapja e rrugës për një qeveri tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, thonë burime nga PD.

Sipas selise blu një pjesëmarrje shumë më e lartë pritet nga 4 qarqet e veriut. “Sipas përllogaritjeve të përafërta, nga Shkodra, Lezha, Dibra dhe Kukësi pritet të vijnë për të protestuar në Tiranë rreth 26 mijë protestues. Nga Kukësi raportohen 4500 protestues që janë nisur me autobusë dhe mjete private, nga Shkodra raportohen 9900 protestues, nga Dibra 3900 protestues kurse nga Lezha 7700. Në shifrat e raportimeve nuk përfshihen protestues të cilët udhëtojnë në mënyrë private”, thonë të njëjtat burime.

“Edhe nga 4 qarqet e jugut, pjesëmarrja e qytetarëve në protestë pritet të jetë më e lartë sesa ajo e të dielës së shkuar. Nga Vlora raportohet se do nisen për Tiranë 5500 protestues, nga Fieri priten edhe më shumë protestues, rreth 5800, meqenëse rajoni bujqësor i Fierit ka qenë edhe më i godituri nga kriza ekonomike. Nga Gjirokastra pritet të vijnë rreth 2700 protestues, kurse nga Berati rreth 3300 qytetarë. Nga të 4 qarqet e Jugut, në protestën e sotme të kryeqytetit pritet të marrin pjesë mbi 18 mijë qytetarë, meqenëse shifrave të mësipërme, pritet t’u shtohen edhe protestues të tjerë, të cilët do vijnë për të protestuar në Tiranë jo në mënyrë të organizuar, por në mënyrë private.” – bëjnë me dije burime nga PD.

Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA Mattheë Palmer deklaron se SHBA nuk do të negociojë zgjidhjen e krizës por janë ofruar këshillat.

“Jo. Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta,” tha Palmer në një intervistë për Top Channel.

Ndërkohë, gjatë intervistës, Palmer, gjithashtu ka nisur një paralajmërim drejt atyre që do të tentojnë të pengojnë qytetarët të votojnë, duke theksuar se nëse kjo ndodh mund të mos kualifikohen për në SHBA.

Palmer shton se opozita mund t’i përdorte zgjdhjet për të ndryshuar situatën me anë të fitores, por ishte zgjedhje e saj të qëndronte jashtë, dhe zgjedhjet nuk mund të fitohen duke ndenjur jashtë tyre.

Intervista e plotë:

-Z. Palmer, nga vizita juaj e fundit në Shqipëri, a ka ndryshuar ndonjë gjë në pozicionin tuaj lidhur me krizën politike shqiptare?

Matthew Palmer: Pozicioni i SHBA nuk ka ndryshuar lidhur me situatën politike në Shqipëri. Djegia e mandateve parlamentare, bojkoti i zgjedhjeve, dhuna që kemi parë në protestat e organizuara politikisht janë, në themel, në kundërshtim me praktikat demokratike. Siç e thashë gjatë vizitës sime të fundit në prill, dhe po e përsëris për ju, partitë e opozitës duhet të kërkojnë një shteg drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore. Duhet të punojnë së bashku me autoritetet për të trajtuar rekomandimet që OSBE/ODIHR nxorën pas zgjedhjeve në vitin 2017 dhe 2015 në Shqipëri. Këto janë një numër çështjesh, përfshi blerjen e votes, kërcënimin e votuesve, si dhe praktika të tjera, të cilat duhet të trajtohen dhe reforma zgjedhore është e vetmja zgjidhje.

-Z. Palmer, gjatë vizitës tuaj të fundit në Shqipëri, ju bëtë të qartë se dhuna gjatë protestave të opozitës nuk është e pranueshme. Në të njëjtën kohë, ambasada e SHBA në Tiranë ka nxitur me këmbëngulje për protesta paqësore dhe pa dhunë. Megjithatë, këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga organizatorët e protestave. A jeni të zhgënjyer për të gjithë këtë?

Matthew Palmer: Më lejoni të jem shumë i qartë: dhuna nuk ka vend në demokraci. Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën Demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, përdorimi i përleshjeve fizike apo mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm jodemokratik, por është edhe i paligjshëm. Shënjestrimi me fishekzjarre dhe Molotov i oficerëve të policisë dhe ndërtesave publike nuk janë akte paqësore. Ata që përfshihen në aktivitete të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.

Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetares së LSI Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore. Dhuna e ushtruar nga protestuesit është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë europiane.

Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik.

-A po përpiqet Departamenti i Shtetit i SHBA që të negociojë në ndonjë mënyrë midis qeverisë dhe opozitës për t’i ulur në tryezën e dialogut?

Matthew Palmer: Jo. Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta.

-Për politikanët shqiptarë që mbështesin dhe promovojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi dhunën gjatë protestave, a do të kenë pasoja nga Qeveria e SHBA, si për shembull vendosja në një listë të zezë apo refuzimi i vizave amerikane?

Matthew Palmer: Nxitja e dhunës nga kushdo është një fyerje për popullin shqiptar dhe duhet dënuar nga të gjithë. E kemi bërë të qartë kundërshtinë tonë ndaj dhunës si instrument politik. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

-Cilët janë politikanët shqiptarë në “listën e zezë” të SHBA, të cilëve iu janë revokuar vizat amerikane?

Matthew Palmer: Nuk mund të flas për hollësitë e ndonjë rasti specifik vize. Megjithatë, do të nënvizoj përkushtimin e SHBA për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për të promovuar llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë. Kjo përfshin përdorimin e autoriteteve të caktuara për sanksione për vizat kur të jetë me vend.

-Z. Palmer, në shkurt 2019, ju bëtë dy telefonata, me Z. Lulzim Basha dhe Znj. Monika Kryemadhi, ku kërkuat të mos hiqnin dorë nga mandatet. Edhe në Tiranë, ju iu kërkuat të qëndronin larg dhunës në protesta. Sugjerimet tuaja miqësore janë injoruar. A është e drejtë të thuhet se se opozita shqiptare e ka vendosur veten në një kurs përplasjeje të fortë me SHBA, që konsiderohet aleati ynë i madh?

Matthew Palmer: Do të donim të shihnim qeverinë të ndërmarrë reformat e nevojshme kushtetuese për ta bërë Shqipërinë një demokraci më të fortë. Kemi punuar me të gjithë drejtuesit shqiptarë për t’i arritur këto synime të rëndësishme, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë miq dhe aleatë të mëdhenj, por ka raste kur nuk biem dakord. Dhe biem dakord të mos biem dakord. Megjithatë, presim që kur nuk biem dakord, çdo aktor politik që e quan veten apo patriot dhe ka për zemër interesat e popullit shqiptar, të demonstrojë sjellje të përgjegjshme. Kjo do të thotë fjalë të përgjegjshme dhe veprime të përgjegjshme, për të refuzuar dhunën dhe për të gjetur zgjidhje nëpërmjet institucioneve demokratike.

-A duhet të zhvillohen zgjedhjet e 30 qershorit apo duhen shtyrë, siç ka kërkuar opozita?

Matthew Palmer: Data e zgjedhjeve është një vendim që e marrin shqiptarët dhe data 30 qershor u vendos nëpërmjet procedurave të përcaktuara të Shqipërisë. Ne kemi në plan të kemi vëzhgues zgjedhjesh nga SHBA edhe si pjesë e misionit të ODIHR edhe si pjesë tonën për të vëzhguar zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo është pjesë e punës sonë normale dhe diçka që e kemi bërë në Shqipëri prej vitit 1992.

-Opozita ka bojkotuar zgjedhjet vendore. A do t’i njihni këto zgjedhje pa opozitën? Kryeministri Edi Rama ka thënë se “kushdo që do të përpiqet të pengojë njerëzit të shkojnë për të votuar në qendrat e votimit do të kryejë një krim zgjedhor dhe nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë në SHBA.” A ka ndonjë ligj amerikan që e mbështet një pretendim të tillë të Kryeministrit Edi Rama?

Matthew Palmer: Kur isha në Tiranë në prill, e nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje, t’ia përcillte mesazhin e saj qytetarëve, të fitonte pozicionin në qeveri, dhe pastaj ta përdorte fitoren si mjetin për të mbajtur angazhimet dhe vizionin për të ardhmen. Ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA.

Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raporitmet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR.

-A mendoni se qeveria e KM Edi Rama ka bërë mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë krizë politike?

Matthew Palmer: Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave dhe legjitime. Mendojmë se është diçka e pafat që opozita vendosi të largohej nga parlamenti dhe refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Po ashtu, është e pafat që partitë refuzojnë të angazhohen në dialog pa parakushte, çka e bën zgjidhjen shumë të vështirë. Deri në atë masë sa është e mundur, nxisim të gjitha partitë të kërkojnë një mënyrë për të lundruar drejt një daljeje nga ky ngërç politik.

-Cila është pikëpamja e Departamentit të Shtetit lidhur me mënyrën si po shkon reforma në drejtësi dhe a keni ndonjë shqetësim?

Matthew Palmer: Më lejoni të ritheksoj atë që thashë kur isha në Shqipëri në prill. Reforma në drejtësi për Shtetet e Bashkuara përfaqëson një rrugë përpara për popullin shqiptar drejt një të ardhmeje më të mirë, drejt një të ardhmeje europiane në paqe dhe begati, dhe një marrëdhënie llogaridhënieje midis popullit dhe qeverisë së tij. Ajo është zemra dhe shpirti i të gjitha përpjekjeve për reforma këtu. Është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë përpjekje dhe energji, diçka që e shohim si qendrore për aspiratat e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Reforma në drejtësi është legjitime, kushtetuese dhe e pakthyeshme.

Në këtë moment janë duke u ngritur institucionet e reja të drejtësisë. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuar për të ndihmuar për forcimin e këtyre institucioneve dhe për të punuar për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji duhet aplikuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, për të siguruar llogaridhënie gjyqësore.

Sigurisht që duam që SPAK dhe BKH të ngrihen dhe të funksionojnë sa më parë. E dimë që është një process i gjatë e sfidues por i nevojshëm që duhet të kryhet si duhet. Po ashtu, duam që Gjykata Kushtetuese të funksionojë normalisht, por vetingu ka treguar që ish-gjykatësit kishin treguar sjellje të korruptuar dhe problematike, dhe rruga përpara nuk mund të përfshijë kthimin tek gjyqtarët e emëruar politikisht. Së shpejti, Presidenti Meta do të ketë shansin të zgjedhë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese nga një listë avokatësh të kualifikuar. Shqipëria është pranë finalizimit të një sistemi të pavarur drejtësie për të mirën e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë. Dhe duhet të qëndrojë në këtë rrugë.

-A e mbështesni Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE dhe si e shikoni qëndrimin e disa vendeve të BE kundër kësaj?

Matthew Palmer: Ne mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit Europian për të hapur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë, bazuar në përmbushjen prej saj të kushteve të përcaktuara nga Këshilli Europian vitin e kaluar. Po ashtu, jemi në një mendje me gjetjet e Komisionit se Shqipëria ka bërë përparim të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi dhe ndërmarrjen e veprimeve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ka ende shumë punë për të bërë, por është e rëndësishme të njihen reformat që Shqipëria i ka kryer. Vendimi përfundimtar do të jetë i Këshillit Europian, por ne mbështesim plotësisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.

Pavarësisht nga vendimi këtë vit, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me partnerët tanë shqiptarë dhe të BE për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në BE, përfshi mbështetjen tonë të plotë për zbatimin në proces të reformave gjyqësore legjitime dhe kushtetuese.