MENU
klinika

Open Procurement Albania

Bashkitë para zgjedhjeve/ 6,2 mld lekë më shumë për tendera

29.06.2019 - 18:29

Kryetarët e bashkive kanë tenderuar në muajt e fundit të mandatit, pak kohë para zgjedhjeve rreth 6.2 milirdë lekë më shumë se njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë që qeveria ka vendosur të pezullojë tenderët për bashkitë, pasi ata kanë rritur prokurimet para zgjedhjeve. Sipas të dhënave të Open Procurement Albania për periudhën deri në 7 Maj 2019, 61 bashkitë e vendit kanë shpallur tenderime me vlerë 15.8 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e prokurimeve është rritur me 6.24 miliardë lekë. Në total nga pushteti vendor gjatë vitit 2019 janë njoftuar 2557 tenderë, nga të cilat 20 prokurime me vlerë mbi 100 milionë lekë. 12 për qind e këtyre procedurave rezultojnë të shënjuar me flamur të kuq, për shkak të risqeve të larta, parregullsive dhe problematikave në garë.

Bashkitë me numrin më të madh të procedurave të skanuara si Red Flag, janë Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Kamza.

Të dhënat tregojnë se për 4 muajt e këtij viti, bashkia e Tiranës ka qenë ajo që ka tenderuar më shumë se të gjitha bashkitë e tjera të vendit.

Sipas Open Procurement Albania, prokurimet e njoftuara nga kjo bashki rezultojnë 4.4 miliardë lekë, rreth 1 miliardë lekë më shumë se krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gati një dyfishim të vlerës së fondeve të prokurimeve ka regjistruar edhe Bashkia e Durrësit, duke arritur në 1.1 miliardë lekë. Bashkia e Kamzës dhe institucionet e saj të varësisë nga ana tjetër po ashtu ka ndjekur një trend në rritje dhe vlera e tenderëve ka arritur në 1 miliardë vetëm në 4 muajt e parë të 2019-ës.

Një rritje të konsiderueshme po ashtu ka shënuar edhe Bashkia e Shkodrës, pasi vlera e prokurimeve publike është rritur me rreth 200 milionë lekë krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.