MENU
klinika

"Të pezullohet menjëherë"

BE dhe SHBA presion Kosovës: Hiqni taksën!

29.06.2019 - 19:48

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në bisedimet Kosovë-Serbi për momentin, nuk ka ndërmarrë asnjë tentativë që të kthejë palët në tavolinë.

Megjithatë,BE dhe SHBA kanë kërkuar që taksa të pezullohet menjëherë dhe të rifillojë dialogu.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini do të rishqyrtojë Dialogun kur palët janë gati të rifillojnë diskutime thelbësore.

“Si Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tryezën e dialogut dhe të ecin përpara me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjore që do të bënte normalizimin e plotë të marrëdhënieve”. Dhe pastaj ajo vazhdoi “Kjo do të ishte gjithashtu mënyra më e mirë për të garantuar që i gjithë rajoni të përfitojë nga pajtimi, që do të thotë nga integrimi rajonal dhe zhvillimi ekonomik në rajon”, thuhet në përgjigjen që ka dhënë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijançiç.

Në përgjigje thuhet se: BE së bashku me të gjitha Shtetet Anëtare dhe SHBA, i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë menjëherë tarifat në mënyrë që të lejojë rifillimin e shpejtë të Dialogut.

Megjithatë, BE thotë se edhe Serbia duhet të kryej obligimet e saja:

“Serbia duhet të bëjë pjesën e saj, duke përfshirë edhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, për të nxitur një mjedis të favorshëm për Dialogun. Përfundimi i procesit të normalizimit është urgjent sepse situata e tanishme jo vetëm që nxit paqëndrueshmërinë por gjithashtu do të thotë mundësi humbjeje.

Do të thotë humbje e investimeve të huaja. Rritja ekonomike varet nga besimi i investitorëve, besimi në të ardhmen, besimi në marrëdhëniet e mira fqinjësore, besimi tek autoritetet publike duke u fokusuar në klimën e biznesit dhe duke e kthyer faqen e trashëgimisë së së kaluarës”, tha zëdhënësja e BE.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa herë janë shprehur të prera në qëndrimin e tyre drejtuar qeverisë së Kosovës përsa i përket taksës ndaj Serbisë, mirëpo këto thirrje nuk u dëgjuan nga Qeveria e Kosovës.

Pavarësisht të gjithave, për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN