MENU
klinika

Zbardhet plani i zhvendosjes

Bonusi për qeranë, qeveria miraton rregullat e reja

03.06.2019 - 21:05

Këshilli i Ministrave ka përcaktuar me një vendim të posatshëm procedurat e zhvendosjes së individëve apo familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre, në rastet e parashikuara në ligj.

Për zhvendosjen e individëve/familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre, në rastet e parashikuara në ligj, zbatohen parimet e mëposhtme procedurale: Procedurat e zhvendosjes realizohen në respektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe të të drejtave e lirive të njeriut të garantuara në Republikën e Shqipërisë e sipas standardeve ndërkombëtare të zbatueshme në vend, përfshirë të drejtën për kushte të përshtatshme strehimi.

Të gjithë individët/familjet e prekur/a nga zhvendosja gëzojnë mbrojtje juridike të njëjtë, pavarësisht nëse gëzojnë apo jo titull pronësie mbi banesën apo pronën nga e cila zhvendosen.

  • PËRFITUESIT

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, gjatë procedurës së zhvendosjes, respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin të gjitha të drejtat e liritë themelore të njeriut, duke garantuar, si më poshtë vijon:

a) individët/familjet, që i nënshtrohen procedurës së zhvendosjes, përfitojnë strehim të përshtatshëm, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 22/2018, dhe gëzojnë mjetin ligjor mbrojtës ndaj vendimmarrjes për zhvendosje të parashikuar nga legjislacioni në fuqi;

b) strehimi i përshtatshëm i garantohet, në përputhje me ligjin nr. 22/2018, pa diskriminim për shkak gjinie, race, feje, etnie, gjuhe, bindjeje politike, fetare a filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore, ngjyre, shtetësie, orientimi seksual, shtatzënie, përgjegjësie prindërore, moshe, gjendjeje familjare ose martesore, gjendjeje civile, vendbanimi, gjendjeje shëndetësore, predispozicioni gjenetik, aftësie të kufizuar, përkatësie në një grup të veçantë, ose për çdo shkak tjetër, cilitdo/cilësdo individi/familjeje që i nënshtrohet procedurës së zhvendosjes;

c) individi/familja, që nuk e gëzon të drejtën e pronësisë, gëzon të drejtën për risistemim e ristrehim, në përputhje me kriteret, si: siguria, aksesueshmëria, kostoja e përballueshme e banesës, kushtet e banimit, shprehja e identitetit kulturor dhe aksesi në shërbime bazë, kujdesi social, shëndetësor dhe arsimi;

ç) individi/familja, që gëzon të drejtën e pronësisë mbi pronën nga e cila zhvendoset, gëzon të drejtën për kompensim të drejtë, në përputhje me legjislacionin për shpronësimet;

d) individët/familjet, që u nënshtrohen procedurave të zhvendosjes, informohen, pa kërkesë, në përputhje me legjislacion në fuqi për të drejtën e informimit, përmes mjeteve të ndryshme të informimit e duke garantuar aksesin në informacion edhe për grupe vulnerabël apo pakica, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar.

  • Procedura e zhvendosjes duhet:

a) të realizohet në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 22/2018;

b) të kryhet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ratifikuara me ligj;

c) të kryhet vetëm për qëllim të përkrahjes së mirëqenies së përgjithshme;

ç) të jetë e arsyeshme dhe proporcionale;

d) të miratohet e të zbatohet në mënyrë të tillë që të mundësojë kompensim të drejtë.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në aktet që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme, përfshijnë shprehimisht referimin e identitetit dhe të cilësimit si bashkëpronar të secilit anëtar madhor të familjes dhe/ose të dy bashkëshortëve, në përputhje me Kodin e Familjes dhe ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, në bazë të certifikatës së gjendjes familjare.

1.6.Individi/familja, ndaj të cilit/së cilës fillon procesi administrativ i zhvendosjes, nuk duhet të mbetet i/e pastrehë ose të vihet në një situatë që e bën atë vulnerabël ndaj shkeljes së të drejtave të tjera të njeriut. Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton dhe ofron një strehim të përshtatshëm alternativ, risistemim në një vend tjetër ose akses në tokë prodhuese, sipas rastit, sa më pranë vendbanimit fillestar e burimit të jetesës së të zhvendosurve.

Njësia e vetëqeverisjes vendore merr të gjitha masat për risistemim, si: ndërtimi i banesave, sigurimi i furnizimit me ujë, furnizimi me energji elektrike, sigurimi i higjienës, i shkollimit, aksesi në infrastrukturë rrugore dhe mjedise të përbashkëta komunitare, në pajtim me parimet e politikave të strehimit, përcaktuar në ligjin nr. 22/2018, dhe i siguron ato përpara se individi/familja të zhvendoset nga banesa e vet fillestare.

  • Procedura e zhvendosjes realizohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore

Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ngre grupin e punës për ndjekjen e një procedure konkrete zhvendosjeje, në përbërje të së cilës ka punonjës nga struktura përgjegjëse për strehimin, planifikimin e territorit, mbrojtjen sociale, buxhetin dhe një nënkryetar të njësisë së vetëqeverisjes vendore që koordinon grupin e punës.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë në mënyrë të detajuar veprimtarinë e këtyre grupeve të punës në rregulloret e tyre të brendshme. Në vendimin e ngritjes së grupit të punës përcaktohet emri i drejtuesit/drejtueses së këtij grupi pune. Emri, mbiemri dhe kontakti i drejtuesit/drejtueses dhe i të gjithë anëtarëve të grupit të punës i njoftohet individit/familjes me fillimin e procedimit administrativ të zhvendosjes. Individët/familjet, që preken nga zhvendosja, përfitojnë ndihmë juridike në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti.

Njësia e vetëqeverisjes vendore, në aktin e njoftimit individit/familjes për fillimin e procedurave administrative të zhvendosjes, i njofton ata edhe për mundësinë e përfitimit nga ndihma juridike e garantuar nga shteti, duke i informuar edhe për organin publik të krijuar për administrimin e kësaj ndihme, si dhe kontaktin e këtij organi.

Njësia e vetëqeverisjes vendore zbaton zhvendosjen, pasi siguron sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpërblim në përputhje me procedurat e shpronësimit. Këto individë/familje përfitojnë strehim sipas njërit prej programeve sociale të strehimit për një periudhë të pacaktuar deri në momentin e konstatimit të përmirësimit të gjendjes ekonomike.

Plani i zhvendosjes i njoftohet individit/familjes 30 ditë para nxjerrjes së aktit administrativ të zhvendosjes. Njësia e vetëqeverisjes vendore miraton vlerësimin e “ndikimit të zhvendosjes”, ku përfshihet edhe shqyrtimi i alternativave dhe i strategjive për minimizimin e dëmit.