MENU
klinika

Vlerësime pozitive nga Banka Botërore

Bordi i Mbikëqyrjes Publike bëhet pjesë e Task Force të IFIAR

28.06.2019 - 20:56

Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) pas vlerësimeve të Bankës Botërore zgjodh si anëtar i Task Force të IFIAR.

Kjo është hera e parë që një institucion shqiptar në fushën e kontabilitetit vlerësohet pozitivisht. BMP është një autoritet rregullator i pavarur, me rolin kryesor mbikëqyrjen e profesionit për rritjen e cilësisë së raportimit financiar në vend, në funksion të mbrojtjes së interesit publik.

Një raportim financiar me cilësi dhe i besueshëm, do të thotë më shumë siguri për investitorët, aksionerët, sistemin bankar, administratën tatimore, e palë të tjera të interesuara, duke ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja, e me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë.

Sipas njoftimit pas vlerësimeve të Bankës Botërore të bërë në Raportin e Progresit të BE , BMP u zgjodh në datën 26 Qershor 2019 si anëtar i Task Force të Forumit Ndërkombëtar të Rregullatorëve të Pavarur të Auditimit (IFIAR) në të cilin është anëtar me të drejta të plota.

Task Force përbëhet nga: Abu Dhabi, Shqipëria, Kanadaja, Franca, Italia, Irlanda, Japonia, Zelanda e Re, Norvegjia, Arabia Saudite, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë mbështetjen e Bordit të IFIAR.

Njoftimi bëri me dije se objektivat kryesore të Task Force lidhen me monitorimin e zhvillimeve të rëndësishme brenda juridiksioneve të vendeve anëtare të IFIAR, për të analizuar ndikimin e këtyre zhvillimeve në tregun e auditimit dhe ndikimin e tyre potencial në cilësinë e auditimit.