MENU
klinika

Traktati i Versajës

Bota 100 vjet pas

26.06.2019 - 12:24

      Megjithë armëpushimin e nëntorit të vitit 1918, lufta e Parë Botërore përfundoi zyrtarisht, shtatë muaj më vonë. Gjermania i quajti të padrejta vendimet e marra, por i miratoi me protesta të mëdha.

Shpresat e Philipp Scheidemann për rrethana lehtësuese mbetën të paplotësuara. Kancelari i shquar gjerman, i cili kishte dalë nga revolucini, i konsideronte të papranueshme vendimet nga Konferenca e Paqes në Paris. “Cila do të ishte ajo dorë, që nuk do të ishte tharë nëse do ta vinte vendin në pranga të tilla? – shprehej socialdemokrati Scheidemann, i cili më 9 nëntor 2018, kishte shpallur Republikën e Vajmarit. Ai përshkruante me këto fjalë, gjendjen në vendin e tij.

 

 

 

 

 

Traktati i Paqes rezultoi si një hipotekë e rëndë për demokracinë e re. Rajhu gjerman ishte i detyruar të paguante miliarda si reparacione lufte, humbi kolonitë në Afrikë, Azi dhe Oqeanin Paqësor dhe duhej t’u dorëzonte shteteve të tjera edhe 13 përqind të territorit: Alsace-Lorraine shkoi në Francë, një pjesë e madhe e Prusisë perëndimore iu dhanë Polonisë. E veç kësaj, fuqitë fitimtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, i shpallën Gjermaninë dhe aleatët e saj përgjegjësit e vetëm për luftën. Ata i kishin “detyruar” kundërshtarët e tyre të futeshin në luftë dhe ishin përgjegjës për “të gjitha humbjet dhe dëmet e tyre”.

Gjermania detyrohet të nënshkruajë

Më 28 qershor 1919, u vulos Traktati i Paqes në Pallatin e Versajës, pranë Parisit, pa nënshkrimin e kancelarit gjerman, Scheidemann, i cili sapo kishte dhënë dorëheqjen. Por, Gjermania u detyrua më pas, ta nënshkruante edhe pse nuk pajtohej me të. Fituesit e luftës e kishin kërcënuar, se do ta pushtonin me trupa.

Renania ishte tashmë e pushtuar, që prej armëpushimit të 11 nëntorit 1918. Për shkak të kushteve të ashpra të Traktatit të Versajës, në perceptimin gjerman kjo ishte “paqe e diktuar”. Historiani nga Marburgu, Eckart Conze, thotë se gjermanët nuk u përfshinë fare në bisedimet e paqes dhe nuk kishin fare gisht në hartimin e traktatit.

 

 

 

 

Edhe pse Gjermanisë iu vunë kushte të vështira, ajo mundi të mbetej një shtet komb i fuqishëm në mes të Evropës. Përveç kësaj, reparacionet e vendosura në fillim u modifikuan për shkak të paaftësisë së Gjermanisë për të paguar. Gjermania arriti ta ulë shumën prej 132 miliardë markash, që vendosën fuqitë fitimtare në vitin 1921, deri në 36 miliardë. Në vitin 1932, pagesat u pezulluan plotësisht për shkak të krizës botërore, – kujton Conze,- një moment së paku pozitiv ky, për Gjermaninë.

Djathtistët dhe Hitleri

Kundërshtarët djathtistë të Republikës e përdorën Traktatin e Versajës, si një instrument “për të luftuar demokracinë dhe për ta shkatërruar atë”, – thotë Conze. Vrasjet politike nuk ishin të rralla. Viktima më e famshme ishte ministri i Jashtëm, Walter Rathenau, i cili u qëllua në 1922, nga ekstremistët e krahut të djathtë në Berlin. Për ta, liberaldemokrati ishte një simbol i urryer i të ashtuquajturës “politikë të përmbushjes” kundër fuqive fitimtare të luftës së Parë Botërore.

Traktati i Versajës nuk mundi ta realizojë shpresën për paqe të qëndrueshme. Me ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit, koha e vetëpërmbajtjes së gjermanëve mori fund. Nazistët u armatosën, megjithëse nuk u lejohej dhe krijuan aleanca të reja, me vende fashiste si Italia dhe Spanja. Politika paqësuese e Britanisë nuk pati rezultat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk luanin më, rol aktiv në Evropë. Lidhja e Kombeve, e themeluar nën Traktatin e Paqes, u tregua shumë e dobët për të parandaluar katastrofën e ardhshme globale.

 

 

 

 

Conza thotë se, së paku, pas luftës së Dytë Botërore, u nxorën mësime më të vlefshme: nën udhëheqjen e SHBA-së u krijuan “organizata shumëpalëshe dhe një sistem ndërkombëtar me bazë rregullash”. Ky rend duket se u përhap në të gjithë botën, pas rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989 dhe në fund të luftës së Ftohtë. “Megjithatë, bota sot përballet me më shumë sfida, se kurrë më parë.” Një nacionalizëm i ri dhe unilateralizëm, ushqyer nga populizmi dhe autoritarizmi, kërcënojnë stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Presidenti francez Macron, paralajmëron për “demonët e vjetër” të periudhës së dy luftërave, të cilët janë zgjuar sërish. “Kjo është një tjetër arsye, pse ‘Versaja’ sërish na duket kaq afër” – thotë Conze.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB