MENU
klinika

Shkurtohet me 35 minuta rruga për Vlorë

Bypassi i Fierit/ Krahu tjetër hapet në nëntor

28.06.2019 - 16:06

Nis qarkullimi i automjeteve në njërin aks të Bypassit të Fierit.

Rruga për në Vlorë shkurtohet me 35 minuta. Ministrja e Infrastrukturë Belnda Balluku bëri të ditur gjatë hapjes së rrugës se ndërtimi i këtij aksi dhe vendosja në funksion shkurton me 35 minuta distancën me Vlorën teksa shtoi se në bashkëpunim edhe me policinë rrugore janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut.

“35 minuta më pak na duhen për të shkuar në Vlorë. Policia rrugore ka marrë të gjitha masat për të siguruar gjithçka”, deklaroi Balluku.

Përfaqësuesi i kompanisë që po realizon punimet, garantoi se në muajin nëntor të këtij viti do të vihet në funksion edhe korsia tjetër e këtij aksi, ndërsa e gjithë vepra do të jetë plotësisht e përfunduar, ashtu siç parashikon kontrata, në shkurt të vitit të ardhshëm.

bypass fier
bypass fier

Bypass-i i Fierit, ka një gjatësi prej afro 22 kilometrash.

Brenda dy javëve pritet të përfundojnë punimet edhe për vënien në funksion të kryqëzimit të Levanit i cili do të bëhet të mundur kalimin në këtë aks rrugor të mjeteve të cilat lëvizin në drejtim të Tepelenës dhe anasjelltas.

Projekti i Bypass-it të Fierit parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e rrugëve dytësore gjatë gjithë gjatësisë në të dyja anët e rrugës.

Drejtorsha e ARRSH, Sonila Qato kishte premtuar pak muaj më parë se fundi i qershorit do të sillte edhe hapjen e njërit krah të këtij aksi për të lehtësuar fluksin e shtuar në këtë rrugë gjatë sezonit veror.