Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit bëhet me dije e qeveria e Kosovës nuk e ka përmbushur as nivelin minimal të standarteve për eleminimin e trafikimit me njerëz në 187 vende të botës.
“Qeveria e Kosovës demonstroi përpjekje gjithnjë në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme raportuese, përfshirë rishikimin e kodit penal për të riklasifikuar të gjitha veprat e prostitucionit të detyruar si trafikim; caktimin e një koordinatori rajonal të prokurorisë për trafikimin e Kosovës perëndimore; dhe kryerjen e hetimeve dhe inspektimeve të përbashkëta”, kështu theksohet në këtë raport vjetor.
DASH rekomandon të ndiqen penalisht dhe të dënohen trafikantët dhe të vendosen dënime të forta, të caktohen prokurorë dhe gjyqtarë të trajnuar në çdo rajon për të trajtuar rastet e trafikimit, të shtohen përpjekjet për të identifikuar dhe ndihmuar fëmijët që i nënshtrohen lëmoshës së detyruar, vazhdimi i ofrimit të trajnimit të avancuar për gjyqtarët, prokurorët dhe zbatuesit e ligjit për hetimet dhe ndjekjet penale të trafikimit, rritja e mbështetjes së qeverisë për trajnime të plota profesionale dhe shërbime ri-integrimi për viktimat etj.
“Gjyqësori ka zvogëluar numrin e përgjithshëm të lëndëve të grumbulluara dhe Gjykata Supreme ka miratuar udhëzime të reja dënimi në një përpjekje për të siguruar që gjykatësit të aplikojnë faktorë rëndues ose lehtësues në mënyrë korrekte dhe të barabartë, duke përfshirë rastet e trafikimit.
Megjithatë, qeveria nuk i plotësonte standardet minimale në disa fusha kyçe. Qeveria dënoi më pak trafikantë dhe identifikoi më pak viktima.
Gjyqtarët vazhduan të vendosnin dënime të dobëta për trafikantët e dënuar. Qeveria uli fondet për strehimore të OJQ-ve për të katërtin vit radhazi, duke detyruar OJQ-të të mbështeten në donatorë të huaj”, thuhet në raport.