MENU
klinika

5 herë më të lirë se ato italiane

Domatet shqiptare eksportohen lirë

03.06.2019 - 20:45

Eksportet e produkteve bujqësore shqiptare janë shumë të lira krahasuar me vendet e tjera të rajonit por edhe Europës.

Në të njëjtat kategori, produktet tona eksportohen me çmime disa herë më të ulëta. Një artikull i publikuar së fundmi nga “Brookings”, që mban firmën edhe të ekonomistes së Bankës Botërore në vendin tonë, Hilda Shijaku, zbërthen fenomenin në fjalë, duke sqaruar se janë disa arsyet se përse në vende të ndryshme, çmimet e eksportit për të njëjtin produkt janë të ndryshme.

Krahasimi bëhet me çmimet e domates.

Siç duket qartë edhe nga grafiku, domatet shqiptare eksportohen për në Europë dhe rajon, sidomos Serbi, me një çmim mesatar në gjysmë dollari për kilogram. Ky është çmimi i dytë më i ulët mes 20 eksportuesve më të mëdhenj në botë.

Krahasuar me Italinë, ndërkohë, ky çmim është gati 5 herë më i ulët. Italia është vendi më i shtrenjtë për eksportin e domateve mes vendeve më të mëdha eksportuese. Arsyeja kryesore që i përfshin thuajse të gjitha të tjerat, është cilësia e eksportit.

Mjaft i rëndësishëm është edhe fakti se kujt i shitet produkti, konsumatorit final, apo një ndërmjetësi. Në rastin e Shqipërisë, në pjesën dërrmuese kemi të bëjmë me ndërmjetës, si në rastin e eksporteve tona drejt Serbisë, që i përdor për t`i përpunuar nëpër konserva në formë salse.

Eksportuesit e kanë shumë të vështirë të rrisin çmimet, edhe për shkak të perceptimit të konsumatorëve. Për konsumatorët është e vështirë që të ndryshojnë mendimin që kanë për produktin e një vendi të caktuar.

Ndër të tjera, artikulli sugjeron që eksportuesit të rrisin kapacitetet e tyre përpunuese dhe të pasjes së një marke.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN