MENU

Bashkëpunimi Rajonal

Drejtorët e Doganave mblidhen në Prishtinë

12.06.2019 - 17:16

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, mori pjesë në Takimin Rajonal Informal të 4-të të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave Doganore të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Prishtinë.

Në këtë takim morën pjesë, Bedri Hamza, Ministër i Financave të Kosovës, Ruairi O’Connell, Ambasadori Britanik në Kosovë, Drejtorët e Përgjithshëm të Doganës se Kosovës, Doganës së Maqedonisë së Veriut dhe Doganës së Malit të Zi.

Në fjalën e tij, Drejtori i Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta, theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes strukturave doganore rajonale, si një shtyllë e fortë jo vetëm në ruajtjen e sigurisë, por edhe zhvillimin e një tregtie të pastër dhe të ndershme.

“Ky bashkëpunim do të na bëjë më të fortë në drejtim të luftës së përbashkët ndaj fenomeneve që shqetësojnë rajonin si terrorizmi , pastrimi i parave, lufta kundër trafikut të mallrave të ndaluara, kontrabanda dhe tregtia ilegale”, u shpreh Gjokuta.

Takimi i Prishtinës është i katërti i këtij lloji dhe vjen si vazhdimësi e Takimeve Rajonale Informale të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave Doganore të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) – që janë organizuar më parë në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë.