MENU
klinika

Sugjerimet e mjekëve specialistë

Duke ngrënë më shumë, parandaloni diabetin!

22.06.2019 - 13:26

Shumë studime popullsish kanë treguar se njerëzit që konsumojnë sasi të konsiderueshme bimësh bishtajore (p.sh: bizele, fasule, qiqra dhe thjerrëza) kanë tendencë të peshojnë më pak.

Ata gjithashtu kanë bel më të hollë dhe tension më të ulët, krahasuar me ata që nuk hanë shumë bimë bishtajore. Por a mundet që këto përfitime të mos kenë qenë për shkak të bimëve bishtajore, por ngaqë kanë tendencë të hanë më shëndetshëm në përgjithësi?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, studiuesit bënë një testim duke ndërhyrë në dietë. Në vend që thjesht të vëzhgonin se me çfarë ushqeheshin këta njerëz, ata ndryshuan dietën e tyre për të vërejtur se çfarë ndodhte.

Në këtë rast, i vunë bimët bishtajore në provë duke krahasuar konsumin e tyre shtesë me kufizimin e kalorive.

Reduktimi i yndyrës rreth zonës së barkut, është mënyra më e mirë për të parandaluar që paradiabeti të mos shndërrohet në diabet.

Edhe pse kufizimi i kalorive ka qenë themeli i strategjive për rënien në peshë, provat tregojnë se shumica e atyre që bien në peshë duke reduktuar sasinë e racioneve që konsumojnë, në fund, e rimarrin të gjithë atë peshë. Shmangia e të ngrënit pothuajse nuk ju ndihmon kurrë.

Atëherë, a nuk do të ishte më mirë sikur të gjenim një mënyrë që të konsumonim ushqim edhe të binim në peshë njëkohësisht?

Studiuesit i ndanë personat mbipeshë në dy grupe. Grupi i parë do të konsumonte 5 tasa me thjerrëza, qiqra, bathë ose fasule në javë, por pa e ndryshuar dietën, kurse grupi i dytë do të hiqte 500 kalori nga dieta e zakonshme. E dini cili grup rezultoi më i shëndetshëm?

Grupi i parë. Ngrënia e bimëve bishtajore rezultoi po aq efikase për rënien në peshë dhe përmirësimin e nivelit të sheqerit në gjak, sa dhe reduktimi i kalorive. Ky grup pati gjithashtu përfitime të tjera, si përmirësimi i kolesterolit dhe insulinës.

Ky është një lajm inkurajues për personat që janë mbipeshë dhe rrezikojnë të preken nga diabeti i Tipit 2.

Në vend që të konsumojnë racione më të vogla dhe të reduktojnë sasinë e ushqimit, ata mund të përmirësojnë cilësinë e tij, duke ngrënë vakte të pasura me bimë bishtajore.