MENU
klinika

Champions League

Faraoni dhe Origi/ Liverpool pushton Europën!

01.06.2019 - 23:10

Liverpool u ngjit në majën e Europës duke fituar trofeun e Champions League për herë të 6-të në histori.

Nuk mund të kishte nisje më të mirë për të kuqtë që zhbllokuan rezultatin që në minutën e 2-të.

Ekipi i Klopp u hodh në sulm në sekondat e para ku në të 28-ën Sadio Mane fitoi një 11-metërsh në zonën kundërshtare. Sissoko preku topin me dorë dhe pas rishikimit në VAR, Skomina akordoi penallti.

Nga pika e bardhë, Mohamed Salah ‘tundi rrjetën’ duke i dhënë avantazhin “The Reds”.

Goli e ndihmoi skuadrën e Klopp të fitonte qetësinë e duhur duke kontrolluar lojën në minutat e para.
Në minutën e 17’ Alexander-Arnold shkaktoi drithërima në stadium, me një goditje që shkoi ngjitur me shtyllën.

Një episod tepër i veçantë ndodhi në mesin e pjesës së parë, ku një modele simpatike hyri në fushë duke ndërprerë sfidën për disa minuta.

Liverpool vijoi me tentativat për gol dhe në minutën e 38’ Hugo Lloris bëri një pritje vendimtare pas një goditje të fuqishme nga jashtë zone.

Rreziku i parë nga “Spurs” erdhi në minutën e 45’ por goditja e Eriksen shkoi mbi kuadrat.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Liverpool. E dyta nisi me një tjetër ritëm për “Spurs”.

Klopp vendosi të kryente disa zëvendësime në formacion duke future në lojë Origi dhe Milner. Tottenham pati një mori rastesh me Dele Alli, Son dhe Eriksen por Alisson u tregua fantastik me pritjet e tij.

Megjithatë, 3 minuta nga fundi I kohës së rregullt, Divock Origi mposhti për herë të dytë portierin Lloris.


Pas golit të dytë, të besuarit e Klopp morën frymë lirisht në minutat e fundit duke ruajtur rezultatin. As 5 minuta shtesë nuk i mjaftuan Tottenhamit me ndeshjen që ishte e destinuar të përfundonte me fitoren e “The Reds”.

Liverpool u shpall kampioni i ri i Europës duke ngritur lartë ‘trofeun me veshë të gjatë.’