Në moshën 86-vjeçare, ndahet nga jeta Norman H. Gershman, fotografi që portretizoi shqiptarët të cilët, shpëtuan hebrenjtë gjatë holokaustit. Fotografi i dashuruar me shqiptarët u nda nga jeta më 10 qershor 2019, në shtëpinë e tij në “Coral Gables”, Floridë.
Gershman, me një karrierë shumë të suksesshme në “Wall Street”, do të kujtohet më shumë për dashurinë dhe pasionin, për artin e fotografisë. Suksesi më i madh i tij, njihet libri dhe filmi “Besa”, ku portretizohen disa nga heronjtë shqiptarë të luftës II Botërore. Lajmin për humbjen e ka bërë të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York.
I lindur më 14 gusht 1932, në Bayonne, New Jersey, i biri i Albert dhe Pauline “Pearl” Gershman, Norman u diplomua në NYU në 1954 dhe e kaloi shumicën e jetës së tij profesionale në “Wall Street”, ku u shqua aq sa krijoi edhe kompaninë e tij të investimeve.
Por, dashuria e tij e vërtetë dhe më e madhe, mbeti gjithmonë arti. Sidomos, fotografia. Ai u kthye në një udhëtar të botës dhe fotograf i shquar. Fotografitë e tij më të mira, tashmë janë pjesë e një ekspozite lëvizëse e “Yad Vashemit” në Jerusalem, si dhe e Kolegjit të Unionit Hebre, në Neë York.
Gershman është nderuar me shumë çmime e mirënjohje, ku vlen të sillet në më edhe një nga urdhrat më të lartë të nderit në Shqipëri, për shkak të punësm pasionit e përkushtimit nga ana e tij, për t’i treguar botës historinë e shpëtimit të hebrenjve gjatë luftës së Dytë Botërore.
Libri dhe filmi, të dy më titullin “Besa”, janë realizuar bazuar në portretet e jashtëzakonshme të këtij autori.
Ekspozitë e tij u shfaq për së pari, prej gati 10 vjetësh më parë, në selinë qendrore të OKB-së, në Neë York. Më tej, ajo do të vijinte në Parlamentin izraelit, “Knesset”, në muzeun e famshëm të holokaustit, “Yad Vashem”, në Jeruzalem e në shumë institucione të njohura nëpër botë.
Për shkak të përqendrimit te shqiptarët myslimanë, kritikat nuk iu kursyen as një emri si Gershman, në një vend ku shpëtimtarët e hebrenjve ishin nga të gjitha përkatësitë fetare. Po ashtu, lidhja që ai shihte mes dukurisë së besës te shqiptarët dhe fesë islame, qe një tjetër temë debatesh.
Pa diskutim, Gershman nuk kishte për qëllim të zbehte rolin e pjesës që nuk ishte myslimane, në Shqipëri. Ai synonte që në kontekstin e urrejtjes, krijuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme, historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, të shërbernte për të afruar myslimanët e hebrenjtë, duke përcjellë këshut, mesazhin universal të humanizmit e bashkëpunimit mes popujve.
Norman Gershman kishte dashuri për shqiptarët, ai u dashurua me Shqipërinë dhe puna e tij është trashëgimia më e madhe që ai la pas.