MENU
klinika

Vendimi

Fushata zgjedhore/ Qeveria jep 65 mln shtesë partive

05.06.2019 - 20:24

Qeveria akordon 65 milionë lekë për partitë për financimin e fushatës zgjedhore.

Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë, për një shtesë fondi prej 65 mln lekësh si “Mbështetje për partitë politike”, i cili do t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 qershorit.

Këto para, do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

VENDIMI

“PËR NJË SHTESË FONDI NË PROGRAMIN “MBËSHTETJE PËR PARTITË POLITIKE”, PËR FINANCIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE, TË SUBJEKTEVE PJESËMARRËSE NË ZGJEDHJET PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË VITIT 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, si edhe të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.59/2019, “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Për financimin e fushatës zgjedhore për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili iu shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.