Prokuroria Speciale për luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po shkon drejt krijimit të saj. Ngërçi kryesor, Vettingu i kandidatëve të kësaj strukture që krijohet nga Reforma në Drejtësi, tashmë është drejt zgjidhjes përfundimtare.
10 nga 15 prokrurorët që nevojiten për krijimin e SPAK, tashmë kanë kaluar Vettingun. Ata janë; Enkelejda Millonai, Manjola Kajan, Arben Kraja, Bensik Muçi, Edvin Kondilli, Ened Nakuçi, Behar Dibra, Donika Prela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Praktikisht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që ky organ, shumë i rëndësishëm dhe jetik për vendin, të jetë funksional me 15 anëtar.
Megjithatë, duke parë rëndësinë që ka për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi ka kërkuar që kjo strukturë të jetë funksionale dhe me dhjetë anëtar. Pra, aktualisht dhjetë prokurorët që nevojiten për krijimin e SPAK kanë kaluar Vettingun, si e vetmja pengesë kryesore. Pra, në këtë mënyrë Prokuroria e Posaçme mund të krijohet pasi është numri i nevojshëm për të ngritur këtë strukturë dhe për ta bërë funksionale. Madje, në rregulloren për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, në Nenin 17 pika 5, caktohet se “Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Këshilli mund të rihapë thirrjen për aplikime në rast se ka nevojë për më tepër anëtarë”.
Në këto kushte, krijimi i Prokurorisë së Posaçme do të ishte hapi më i rëndësishëm i zbatimit të Reformës së Drejtësi. Kjo strukturë do të ketë detyrën të hetojë dhe vërë para drejtësisë të gjithë personat, përfshirë funksionarët publikë dhe zyrtarët e lartë, që kanë abuzuar me detyrën dhe që janë përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Ndaj, krijimi i SPAK do të duhet të shoqërohet edhe me rezultate konkrete dhe të shpejta, të cilat do të ishin një faktor vendimtar për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Be në tetor. Për këtë arsye, brenda verës, kjo strukturë pritet të jetë funksionale, dhe në fillim të vjeshtës puna e saj pritet të japë frytet e para.
Nisur nga këto kushte, ngritja e SPAK do të zgjidh edhe dilemën e zanafillës së krizës politike në vendin tonë. Arsyet pse ajo nisi, kush e nisi, dhe pse politika i trembet drejtësisë. Shqipëria është në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Europian, dhe kjo rrugë ndonëse me vonesë, duket se ka të njëjtën trajektore si Kroacia, e cila vetëm disa vite më parë dënoi deri dhe ish-kryeministrin Sanader, duke marrë si shpërblim integrimin në BE. Ndaj, në këtë pikë, edhe për Shqipërinë duket se po afron kjo ditë, SPAK, a do të jetë çelsi që do të hap dyert e BE për Shqiprinë?