MENU
klinika

Diskutohet tema “Stabiliteti financiar”

Guvernatori Sejko në Samitin e Malit të Zi

14.06.2019 - 17:24

Në datat 13-15 qershor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Samitin Vjetor të Vendeve të Rajonit të mbajtur në Becic, Mal i Zi, bashkë me guvernatorë e përfaqësues të lartë të bankave qendrore, ministra financash dhe drejtorë tatimesh nga vendet e rajonit, si Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria.

Në samitin e këtij viti me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon në një mjedis me rritje të ngadalësuar në eurozonë”, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e rajonit.

Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një fjalë në panelin e guvernatorëve, ku diskutoi rreth temës “Politika monetare dhe stabiliteti i sistemit bankar në kushtet e normave të ulëta të inflacionit dhe të interesave”.

Në nisje të fjalës së tij, Guvernatori vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla, si një mundësi e mirë për të shkëmbyer eksperienca mes homologësh mbi çështje të bankingut qendror.

Ai i njohu të pranishmit me ecurinë ekonomike e financiare të vendit, si dhe sfidat me të cilat po përballet Banka e Shqipërisë. Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, si parakusht i nevojshëm për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe rritjen e efektivitetit të këtyre politikave.

Në këtë kontekst, Guvernatori nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të këtyre politikave në përmbushjen e objektivave individualë: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Në vazhdim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se ruajtja e inflacionit në nivelin 3 për qind mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, dhe me stabilizimin e kursit të këmbimit, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda dy viteve të ardhshme.

Banka e Shqipërisë do të përdorë çdo instrument të saj ligjor për arritjen e stabilitetit të çmimeve. Një tjetër temë e trajtuar nga Guvernatori në këtë samit ishte procesi i digjitalizimit, si një proces mjaft i rëndësishëm për sektorin bankar, ku Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në zhvillimin e tij.

Për këtë qëllim, janë miratuar ndryshime thelbësore në kuadrin rregullator të sistemit të pagesave, të cilat do të ndikojnë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël.

Më tej, Guvernatori bëri një ekspoze të sfidave të reja me të cilat përballen sot bankat qendrore, ku ndër më kryesoret është mbështetja e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, nëpërmjet përafrimit të politikave dhe praktikave të brendshme me ato të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).

Më herët, në datë 12 qershor 2019, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në Konferencën e 8-të të Bankës Qendrore Evropiane për vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore (EQLJL), me temë “Qëndrueshmëria ndaj zhvillimeve të pafavorshme globale? Reagimet e vendeve të EQLJL-së ndaj ndryshimeve në kontekstin tregtar dhe financiar”, mbajtur në Frankfurt, Gjermani.

E konceptuar në dy sesione dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të BQE-së, guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të EQLJL-së, si dhe ekspertëve të sektorit bankar dhe financiar, konferenca trajtoi sfidat e këtij rajoni në përgjigje të tronditjeve tregtare dhe reagimin e politikës monetare ndaj tronditjeve financiare.

Gjatë diskutimeve të konferencës, Guvernatori Sejko, në ndërhyrjen e tij mbi eksperiencën e Shqipërisë ndaj sfidave aktuale, theksoi rëndësinë e kreditimit të ekonomisë, një proces i cili duhet mbështetur nga sektori bankar dhe më gjerë.

Rezultatet pozitive të planit ndërinstitucional për uljen e kredive me probleme dhe konsolidimi i sektorit bankar janë faktorë të rëndësishëm që i japin frymëmarrjen e nevojshme ndërmjetësimit financiar të ekonomisë