MENU
klinika

"Prite Azem Galicën!"

Heroi i amanetit të prerë në mes

03.06.2019 - 12:33

Azem Galica është një nga heronjtë më të paepur për liri në historinë e Kosovës kundër pushtimit serb – 10 FAKTET e heroit legjendar të Kosovës.

  • Bashkë me Isa Boletinin dhe Adem Jasharin, Azem Galica ra dëshmor duke luftuar me armë në dorë kundër ushtrisë serbe.
  • Azem Galica deri ditën që ndërroi jetë kishte 14 vjet që luftonte me armë ne dorë me çetën e tij.
  • Pas dy vitesh qëndrimi në burgun e Pozharevcit , në Serbi 1913-1915, Azem Galica u arratis dhe jetoi për shumë kohë i fshehur nga xhandarmëria serbe.
  • Azem Galica komandonte çetën e tij me qindra luftëtarë, të gjithë burra të zonës së Drenicës, që përfshinte edhe fshatin e tij Galicë.
  • Azem Galica vdiq i plagosur dy herë teksa luftoi i rrethuar në kullën e tij nga 2 mijë ushtarë serbë që sulmuan të gjithë zonën e Drenicës.
  • Edhe pse në gjendje të rëndë, shokët e tij arritën ta largojnë nga rrethimi, por ai vdiq dy ditë më pas, nga plagët e marra.
  • Azem Galica ishte martuar me Qerime Halil Radishevën nga Mitrovica, e njohur si Shote Galica, që u bë edhe bashkëluftëtarja e tij në çdo betejë.
  • Shote Galica ishte në çdo moment gjatë luftimeve pranë Azemit, që kur ai u plagos e deri sa ndërroi jetë.
  • Në vitin 1926 Shote Galica shpërngulet të jetojë në Shullaz të Fushë-Krujës dhe vdiq një vit më vonë aty, më 3 korrik 1927, në mjerim dhe e papërfillur nga shteti i Ahmet Zogut, president në atë kohë.

 

 

 

 

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

 

Adem Jashari, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në tubimin e madh të mbajtur në Galicë, më 25 korrik 1990

 

“Betohem se do ta vazhdoj rrugën e Azem Bejtjes, rrugën e madhe drejt lirisë!

 

TË DHËNA NË SHIFRA

104 FJALËT E FUNDIT: Teksa jepte shpirt, Azem Galica la amanetet e tij në një minifjalim në prani të bashkëshortes dhe të shokëve. Ai përdori 104 fjalë për të dhënë porositë për gruan, Shoten dhe bashkëluftëtarët e vet. Vdekja ia ndërpreu amanetet teksa shqiptoi fjalën e fundit “ndërpritet”.

10 MIJË LUFTËTARË: Është numri më i lartë i luftëtarëve të çetave që drejtonte si komandant Azem Galica.

90 SERBË TË VRARË: Mbetën gjatë betejës mes çetës së Azem Galicës dhe ushtrisë e xhandarmërisë.

83 SHQIPTARË TË VRARË: Mbetën në betejën mes çetës së Azem Galicës dhe ushtrisë Serbe.

75 METRA: Ishte e thellë shpella ku u varros Azem Galica, që ushtarët serbë të mos e gjenin trupin e tij.

47 VJET: Qëndroi i fshehur varri i Azem Galicës në shpellën “Çuku që kërcet”, në malin e Përçevës.

75 LUFTËTARË: Mbetën të vrarë në betejë nga çeta e Azem Galicës.

123 SHTËPI TË DJEGURA : Numërohen në fshatin Galicë, në Arbërinë e Vogël, nga ushtria serbe

 

Nëse Serbia e mbajti për afro 100  vjet Kosovën, gjatë këtij shekulli ajo tokë është larë me gjakun e burrave dhe grave që luftuan me armë në dorë kundër raprezaljeve dhe gjenocidit. Kështu ndodhi atë të martë të nxehtë të 22 korrikut të vitit 1924, kur plumbi i dalë nga pushka e një serbi e plagosi rëndë Azem Galicën për ti shkaktuar vdekjen 4 ditë më vonë.

 

 

 

 

 

SKENA E VRASJES

 

Pas mesit të natës së 21 korrikut 1924, rreth 2 mijë ushtarë të shoqëruar me 12 topa të ushtrisë jugosllave ia behën në Kosovë, duke sulmuar fshatrat Galicë, Mikushnicë dhe Lybavec. Objektivi ishte asgjësimi në masë i shqiptarëve që i kishin rezistuar pushtetit serb. Por synimi kryesor ishte vrasja e Azem Galicës dhe e trimave të tij, prandaj rrethimi i kullës së tij ishte pjesa më e rëndësishme e planit të këtij sulmi. Por edhe pse të papërgatitur, rezistenca e Azem Galicës dhe  e gjithë trupave të tij, të mbështetura nga e gjithë popullsia e zonës ishte heroike. Gjatë luftimeve një plumb e goditi në shpullën e djathtë, por plaga nuk ishte e rëndë, ndaj ai e vazhdoi luftën, edhe pse ishte plagosur. Pas 8 orë luftimesh me 75 trima të vrarë  kundrejt 90 serbëve të vrarë, Azem Galica me bashkëshorten, Shoten, dhe trimat arrin të gjejë një shteg për t’iu shmangur rrethimit. Ishte ora 16:00 e 22 korrikut 1924, kur dy xhandarë po e ndiqnin nga pas, duke qëlluar në drejtim të tij. Një plumb goditi gjerdanin e fishekëve rezervë që mbante në brez dhe kjo shkaktoi shpërthimin e barutit të disa fishekëve, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë të shtyllës kurriozore. Që nga ky moment Azem Galica ishte i paralizuar. Në këtë gjendje shokët e transportuan duke e vendosur në një barrelë të përgatitur me mjete rrethanore. Pas tri ditësh udhëtim me disa ndalesa, Azem Galica vdiq në duart e bashkëluftëtarëve të vet dhe të bashkëshortes Shote. Ishte ora 06:00 e 25 korrikut, kur, teksa jepte amanetet e fundit, ai dha shpirt.

 

AZEMI DHE SERBIA

 

Për të kuptuar më mirë se kush ishte dhe sa peshë kishte Azem Galica, mjafton të sjellim një deklaratë të deputetit të Kosovës, Jovan Magovçeviçi në Parlamentin e Beogradit, më 11 tetor 1923, i irrituar ndaj veprimtarisë së tij.

 

“Zotërinj, unë i kam dy vota, një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

 

Për luftën në Arbërin e Vogël, folën qarqet e  mëdha politike e diplomatike të Evropës. Shtypi i asaj kohe e kishte lëndë të parë këtë betejë:

 

“Në luftën dëshprimtare që u ba, u plaguen 150 shqiptarë. Disa nga këta kanë ardhë për shpëtim në Krumë… Sigurisht Azemi nuk dihet se ku ndodhet.”

 

Vlen të përmendet, se në këto momente doli si kushtrim thirrja që duket sikur kumbon edhe sot:

 

 

 

 

 

“Prite Azem Galicën”!

 

VARRI NGA SHPELLA NË NJË KOMPLEKS PËRKUJTIMOR

 

Ishte një nga amanetet e Azem Galicës që ta varrosnin në një vend të sigurt, të fshehtë dhe të thellë, në mënyrë që trupin të mos ia gjenin serbët. Bashkëshortja dhe miqtë e tij e varrosën në një vend ku do të qëndronte për 47 vjet. Në shpellën “Çuku që kërcet” të malit të Përçevës, 73 metra thellë, varri i tij u ngjan më shumë atyre të faraonëve të Egjiptit të lashtë. Në vitin 1974 eshtrat u nxorën prej andej dhe u varrosën në varrezat e familjes, në Galicë. Duhet të kalonin 96 vjet që eshtrat dhe varri i Azem Galicës të merrnin nderin që meritonin. Më 19 gusht të vitit 2016 shteti i Kosovës i bëri nderim zyrtar, më dinjitozin heroit të vet. Teksa eshtrat e Azem Galicës varroseshin për herë të dytë, pjesëmarrësit e ceremonisë shikonin me sytë e tyre një hero që besoi se Kosova, një ditë do të ishte e pavarur dhe e çliruar nga vargonjtë serbë.

 

ISA BOLETINI, AZEM GALICA, ADEM JASHARI

Tre heronjtë simbol të Kosovës kanë një lidhje të çuditshme mes tyre. Në vitin 1909 teksa kryengritësit kosovarë marshonin hipur në kuaj në Drenicë, për të luftuar kundër serbëve, Isa Boletinit i bëri përshtypje një djalë 20- vjeçar që drejtonte trimat e tij shumë më të mëdhenj në moshë se ai. Pasi pyeti se cili ishte ai dhe shoqëruesit i thanë që ishte djali i Bejtë Galicës, Isa Boletini iu afrua dhe i tha:

“Të lumtë, ore djalosh trim. Ti paske vendosur të çosh në vend amanetin e babait tënd, rrugën e tij luftarake. Zemra m’u bë më mal, sepse Bejta nuk paska vdekur”.

 

Më 25 korrik 1990 teksa përkulej me plot nderim në varrin e Azem Galicës, Adem Jashari u betua se do të vazhdonte rrugën e lirisë në emër të tij.

Isa Boletini, Azem Galica dhe Adem Jashari, u vranë nga serbët duke u kthyer në simbol të luftës për liri./Konica.al

 

 

Shkëputur prej “100 vrasjet më të bujshme” (Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare, 1912-2017), me autor Roland Qafokun./Konica.al

Përshtati: Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Perëndimi i andrrimeve” dhe poezia e Gasper Palit!

Jeta e shkurtër e poetit që jetoi në kohë të pavarësisë

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë viteve!

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij

Kush ishte Alfred Nobel?