1444 – Beteja e Torviollit – Skënderbeu mposht një forcë osmane në fushën e Torviollit – e njohur edhe si Beteja e Dibrës së Poshtme. Pak muaj më parë (mars), Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte formuar Besë-Lidhjen e Lezhës, konfederatë princash arbërore në luftë kundër Perandorisë Osmane. Sulltan Murati II e kuptoi rrezikun e këtij bashkimi, dhe menjëherë dërgoi një forcë prej 25-mijë trupash me në krye një nga komandantët e tij më me përvojë, Ali Pashën e Shkupit. Skënderbeu e kishte parashikuar taktikën osmane (ai kishte qenë gjeneral i Sulltanit); me 15,000 ushtarë u nis dhe i doli përpara ushtrisë së Ali Pashës.
Ata u takuan në fushën e Torviollit, ku ngritën fushimet përballë njëri-tjetrit. Një ditë më pas, më 29 qershor, herët në mëngjes, Ali pasha doli nga kampi dhe pa se Skënderbeu i kishte pozicionuar forcat në fund të një kodre. Me besim për një fitore të shpejtë, ai sulmoi me gjithë sa kishte; Skënderbeu e priste një manovër të tillë, prandaj një pjesë të trupave e kishte fshehur në pyjet prapa krahëve të ushtrisë osmane; kur osmanët vërshuan, Skënderbeu dha sinjalin, dhe sulmi ishte i befasishëm; rezultati ishte shkatërrues; 22 mijë ushtarë osmanë u vranë, pashai me-zi shpëtoi; në radhët e shqiptarëve pati relativisht shumë pak të vrarë, vetëm disa qindra. Fitorja forcoi besimin e bashkimit shqiptar; ngriti moralin e mbarë Evropës; miti i pathyeshmërisë osmane u thye; ishte fitorja më e madhe e të krishterëve ndaj Perandorisë Osmane në atë kohë; por shënoi edhe fillimin e 25 vjet luftrash të pandërprera të Gjergj Kastriotit.
1776 – Atë Francisko Palou themelon Misionit të Shën Françeskut të Asisit në atë që është tani San Francisko, Kaliforni. Francisko Palou, spanjoll, luajti rol në krijimin e disa misioneve kryesore në Kaliforni dhe Meksikë. Ai shkroi edhe një histori të misioneve françeskane në Kaliforni (1767-1784), në katër vëllime.
1850 – Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës njeh zyrtarisht Autoqefalinë e Kishës ortodokse të Greqisë.
1874 – Greqi; Politikani Charilaos Trikoupis publikon një manifest me titull “Kush duhet fajësuar?”, ku parashtron ankesat kundër mbretit George. Artikulli e çoi për pak kohë në burg, por gjithashtu rriti shumë popullaritetin e tij; Trikupi u zgjodh kryeministri i Greqisë vitin e ardhshëm. Ai kishte lindur më 1832 në Nauplion, vendbanim arvanitas, me lidhje familjare në Missolonghi. Trikupi njihet gjithashtu për themelimin e Organizata Revolucionare e të Maqedonisë së Brendshme (IMRO) dhe përgatiti kryengritjen maqedonase kundër osmanëve. Qëllimet e tij mbi Maqedoninë, Trikupi i bëri të qarta në vitin 1886 në Parlamentin grek; “… Pa Maqedoninë, Greqia kurrë nuk do të quhet e plotë”. Ai gjithashtu parashtroi se çfarë kishte në mendje shteti grek për Maqedoninë dhe banorët e saj; “Kur të vijë Lufta e Madhe, Maqedonia do të bëhet ose greke ose bullgare, kjo varet se kush do të fitojë. Nëse fiton Bullgaria, ajo do ta bëjë Maqedoninë vetëm sllave. Nëse e merr Greqia, ajo do ta bëjë të gjithë greke”.
1889 – Hyde Park dhe disa fshatra të tjera në Illinois votojnë për t’u bashkuar me Çikagon, duke formuar qytetin më të madh në Shtetet e Bashkuara dhe të dytin me popullsi më të madhe pas Nju Jorkut. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 1890, Çikago kishte rreth 1 milionë e 100 mijë banorë, ndërsa Nju Jorku 1 milionë e 500 mijë.
1914 – Jina Guseva tenton të vrasë Grigori Rasputinin në shtëpinë e tij në Siberi. Rasputin ishte këshilltar shpirtëror i familjes cariste Romanov. Thuhet se Guseva e qëlloi atë me thikë në bark dhe e bindur se e vrau vrapoi duke bërtitur “Vrava antikrishtin!” Rasputin iu nënshtrua një operacioni intensiv dhe u shërua; ai u vra më vonë më 30 dhjetor 1916 nga një grup fisnikësh rusë të cilët besonin se ndikimi i tij mbi careshën përbënte kërcënim për perandorinë.
1974 – Isabel Peron bën betimin si Presidente e parë femër e Argjentinës. Burri i saj, presidenti Juan Peron, ia kishte kaluar asaj përgjegjësinë e kësaj detyre për shkak të shëndetit të dobët- ai vdiq dy ditë më vonë.
1995 – Anija amerikane Atlantis u ankorua në stacionin rus Mir, duke formuar satelitin më të madh artificial në orbitën e Tokës.
2007 – Firma Apple nxjerr në treg telefonin e saj të parë celular, iPhone (Telefon Inteligjent).