MENU
klinika

Faik Konica

Historia e ca ndryshimeve

18.06.2019 - 12:45

       Kur vajta më 1913 në Shqipëri për të shikuar për s’afërmi punët, zbulova me hidhërim se shumica e madhe e popullit jo vetëm që nuk i shihte me sy të mirë idealet t’ona të një Shteti të përparuar, po s’pëlqente as ndihmën që po na jipej nga rastet dhe nga bamirësit e fuqive të Evropës. Është për çudi dhe gjë fare e vërtetë, se shumica e madhe e popullit të Shqipërisë e priti dhuratën e dhënë me moskënaqësi, me thartësira dhe me sy të zgurdulluara nga prapamejtime: që u duk pak më vonë nga kryengritjet që u bënë njëra pas tjatrës.

Duke qenë punët ashtu, u kuptua shpejt se që të mbetej Shqipëria si një Shtet më vete dhe populli të mbahej me zor i bashkuar që të hynte në udhën e disiplinës, të punës dhe përparimit, e vetmja fuqi e duhur ish dora e hekurt po shpëtimtare e një diktatori. Kujtuam një kohë se diktatorin e gjetëm në personin e Esad pashë Toptanit. Dhe Esadi kishte me të vërtetë disa zotësira për të qeverisur, po mosha e tij e shkuar nuk i premtonte ta ndryshoja mendjen e tij pas ndryshimeve të reja që u bënë në Shqipëri, dhe ashtu fundi ish që u larguan të gjithë dhe e lanë të vetëm.

 

 

 

 

Më 1913, u poqa për herën e pare në Tiranë me Ahmet bej Zogun (që të përdorim titujt siç përdoreshin dhe zyrtarisht asi kohe). Vura re menjëherë fisnikërinë të bashkuar me forcë karakteri që çfaqej nga sjellja edhe nga fjalët e djalit. U interesova dhe pyeta. Dhe nga sa dëgjova s’më mbeti asnjë dyshim se fati e kish shënuar për të lojtur një rol me rëndësi në Shqipërin’ e re.

Në pjekjet që pata më vonë me Mbretin Karol të Rumanisë, me Kryeministrin rumun Tito Majersko, me Princin Wilhelm të Wied-it, dhe diplomatët austriakë dhe italianë, u përmenda emrin dhe posibilitetet e këtij të riu. Mbaj mend një bisedim që pata me Turhan Pashanë në Durrës pasi plasi kryengritja e Shijakut dhe u rrëzua Esadi. I tregoja Turhanit nevojën që të përdoret Zogu për të zgjidhur krizën.

– Ahmed beu është tepër i ri, – m’u përgjigj Turhan Pashai.
– Vërtet, – thash’ unë, – po William Pitt-i u bë kryeministër i Inglisë kur qe njëzet e tre vjetsh, dhe ka qenë një nga më të mbëdhenjtë kryeministra t’atij vendi.
– Si fjaloseni kështu, – më thotë Turhan Pashai, – Mund të barabitim me Pitt-in një të ri të panjohur?
– Nuk bëj barabitje, – u përgjigja unë, – desha vetëm, me këtë shembëll, ku ju përmend se atje ku ndodhet zotësia, vërsa s’munt të jetë dhe s’duhet të jetë pengim.

 

 

 

 

Me këtë mënyrë, vazhdova së përhapuri mendimin se do t’ish mirë, në dojim të kishim një Shqipëri të bashkuar dhe të lirë, ta përkrahnjim Zogun të merrte një ditë fuqinë, se ay kish përveç zotësisë dhe katër të mira që i mungojin Esadit: kuptimin e ndodhjes së re në Shqipëri pas ndarjes nga Turqia, ndjenjën e kombësisë, të mos bërët ndryshime në mes Toskësh e Gegësh, dhe më në funt dëshirën për ta pare Shqipërinë në shkallë Shteti t’organizuar.

Noli u bashkua plotërisht me mua në besimin që Shqipëria s’munt të qëndrojë më këmbë pa një diktatorí, dhe që Zogu duket njeriu i duhur për këtë rol. Gjurmat e këtyre mendimeve munt t’i gjeni në shtyllat e “Diellit” në kohën e luftës dhe pastaj, ku Zogu lavdohet si një hero, si një idealist, si një udhëheqës që munt të barabitet me Anglo-Saksonët, e tjera. Disa nga këto lavdata janë të shënuara nga Fan Noli vetë. Kjo politikë vazhdoj gjer më 1921 dhe përtej.

Më 1922, Fan Noli zuri të lidhet me grupin e Gurakuqit, dhe menjëherë mendja e tij e cekët hyri në një udhë të ndryshme. Fan Noli filloj të na japë lajme jo të pëlqyera për Zogun: që ky ish bashkuar me reaksionarët, që ish armik i një Shqipërie siç e duam ne, që ka humbur tërë influencën, qe s’ka asnjë zotësi, që ushtria anon me “liberalët”, që duhet ta ftohim popullin ca më tepër nga Zogu, e tjera.

 

 

 

 

 

Unë me shokët e Vatrës, siç e desh logjika, siç e desh disiplina e grupit t’onë, pasqyruam te “Dielli” politikën e re të përfaqësonjësit t’onë në Shqipëri, perfaqësonjës i cili kohët e fundit nuk ish tjatër gjë, veç se fonograf i Gurakuqit, gjer sa më në funt dolli sheshit dhe komitaxhi duke shkelur tërë programin t’onë dhe gjithë idealet tona. Fundi qe një çkatërrim dhe një maskarallëk pa emër.

Ç’munt të bëjim? Dy udhë qenë të hapura për ne: vazhdimi i përkrahjes se maskarallëkut gjer sa të bëhej gjak dhe të prishej Shqipëria, – ose të kthyerit në politikën e parë të Vatrës, e cila ka qenë të vënët përpara të Zogut si kryetar i duhur i Shqipërisë. Zumë udhën e dytë.

Le ta shkurtojmë tani në tre fjale ato që thamë: 1) Fan Noli, unë, me Vatrën dhe me shokët, që më 1914 gjer më 1922, kush më shumë dhe kush më pak kemi mprojtur mendimin se Shqipëria, që të shtrohet, që të stabilizohet, e të hyjë në udhën e reformave të qytetërimit, ka nevojë për një dorë të hekurt dhe si ajo dorë është Ahmet Zogu. 2) Fan Noli, nën influencën e Gurakuqit, dhe më vonë nën influencën e frymës bolshevike, u bint dhe na bindi se Shqipëria munt të qëndroj në këmbë pa Zogun dhe kundër Zogut. Ngjarjet i dhanë përgënjeshtrimin më të plotë, dhe Shqipëria u shpu një qime afër varrit. 3) Unë me shumicën e shokëve u kthyhem ahere (ndonëse me çape të ngadalëshme se na vinte keq të çkëputeshim fare nga Fan Noli) te programi i vjetër i përmbledhur më sipër nënë numrin 1, kurse Fan Noli u fut thellë e më thellë në rebelione kundra Shtetit e n’intriga revolucionare.

 

 

 

 

 

Munt ta vazhdojmë bisedimin në një numër t’afërm. Po i kemi hedhur këtu mjaft ushqim për mejtim djemurisë së kthjellët (se sa për mejhanexhitë, maqedhonasit dhe të tjerë vagabondë që tallen fshehtazi me Shqipërinë, s’bëjmë kabull as t’i dëgjojmë) s’di ose harron, por duhet se këtej e tutje ta marrë nër sy se Presidenti Zogu nuk është heroi i ri i Vatrës, por ka qenë hero i vjetër i kësaj organizate, i neveritur me 1922-24 nga intrigat e Gurakuqit dhe nën influencën e bolshevismës. Dhe në qoftë se ësht e zonja të mejtojë duke thelluar, djemuria e kthjellt le ta gjykojë kush u kthye nga udha – Fan Noli apo unë?/Konica.al

Gazeta “Dielli”, 6 maj 1926

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit