Policia e Korçës ka vënë në pranga tre shtetas, nën akuzën e kundërshtimit dhe mosbindjes së punonjësit të policisë së rendit publik.
Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në lagjen nr 18 në Korçë, në një lokal, disa shtetas po konfliktoheshin për motive të dobëta me njëri-tjetrin.
Policia bën me dije se “pas mbërritjes në vendngjarje të patrullës së Policisë, tre shtetasit A.S, 27 vjeç; A.Xh, 41 vjeç dhe L.M, 40 vjeç, banues në Korçë, kundërshtuan dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të rendit, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e situatës dhe për shoqërimin e tyre drejt ambjenteve të Komisariatit”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.