MENU
klinika

Braktisja e zgjedhjeve

“Ka ardhur koha të treten”/ Rama: Opozitës, asnjë mundësi!

23.06.2019 - 20:14

Kryeministri, Edi Rama së bashku me drejtues të PS-së kanë vijuar edhe ditën e sotme takimet elektorale në qarkun e Gjirokastrës në kuadër të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga Gjirokastra ku prezantoi Flamur Golemin si kandidat të Partisë Socialiste për bashkinë, kryeministri Edi Rama foli sërish për braktisjen e zgjedhjeve nga PD dhe LSI.

Rama tha për partitë opozitare se “ka ardhur koha që ata të treten rrugëve, që atyre të mos u jepet asnjë mundësi e vetme për t’u shpërblyer në asnjë formë, pasi i hynë një rruge të tillë.”

Rama tha se PS i ka shpërblyer në të kaluarën kundërshtarët dhe për këtë arsye “mbase është krijuar ideja te ata, nga Saliu i pari, që socialistët janë njerëz të butë dhe nuk e duan konfliktin, kështu që hajde t’i marrim përpara se socialistët të hapin rrugë. Ajo kohë kur socialistët i hapnin rrugë budallait, ka mbaruar.”

“PS nuk ka për t’i hapur rrugë çetave që duan të marrin peng vendin, por përkundrazi, në 30 qershor do t’i japë një përgjigje ashtu siç e meritojnë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, më herët, nën udhëheqjen e ish-kryekomunarit të Lazaratit, Dasho Aliko, një grup i vogël militantësh të PD-së, janë grumbulluar në Gjirokastër për të penguar kalimin e eskortës së kryeministrit Rama.

Gjatë tubimit ka patur edhe përplasje me policinë, ku këta të fundit kanë tentuar që t’i ndalojnë nga veprimet e dhunshme dhe bllokimi i rrugës. Kryetari i PD-së në Gjirokastër, Aliko tha se ata janë grumbulluar për të treguar se janë kundër Ramës.

“Është boshatisja e Gjirokastër nga rinia. Lënie në mënyrën më të keqe të mundshme. Kjo nuk është për interesa partiake. Policia si ushtarë. Kjo është diktaturë. Të ngihen kundër tij. Ju bëj thirrje të gjithët Gjirokastriotëve.” ka thënë Aliko.