Ky është manastiri i Ravenës, që ndodhet 300 metra mbi fshatin Goranxi në Gjirokastër, shumë i njohur për vlerat e rralla arkitekturore dhe ato kulturore.
Manastiri i Ravenës i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses”. Kisha përbëhet nga naosi, narteksi dhe eksonarteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal dhe ka përmasa të brendshme 6.80×5.60 metra.
Kisha është ndërtuar me gurë shtresorë të vendosur në mënyrë të rregullt. Tamburi i kishës është tetëfaqësh dhe me zbukurime. Gjithashtu edhe korniza nën çati përbëhet me radhët në formën e dhëmbëve që alternohen me radhë të drejta.
Kisha daton në vitin 1600. Ajo është ndërtuar nga hieromonaku Kristofor. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur në gur, mbi portën perëndimore brenda narteksit: “Mbretëreshë e të gjithë profetëve, e quajtur fidanë e Joakimit dhe Anës shterpë, që u bëre e denjë të dëgjoje zërin e engjëllit që thoshte: gëzohu ti o e gëzuar prej gjithpushtetësit, vajzë, virgjëreshë dhe nënë, prano lutjen prej meje shërbëtorit tënd jeromonak Kristoforit, që ndërtoi tempullin tënd me dëshirë, viti i lindjes të Krishtit 1600”.
Apsida e kishës është pesëfaqëshe, ndërsa mbi apsidën e murit jugor, brenda kishës gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë Hjokë Quriakut, nga katundi Mashkullorë”. Mbi një vulë prej druri është shkruar: “Vula e së mbishenjtës Hyjlindëse, e mbiquajtur e ravenias, mbi katundin Goranxi 1622”.