MENU
klinika

Kriza në vend

Kisha katolike apel politikës: Në të ardhmen shoqëria do t’ju bëjë përgjegjës!

20.06.2019 - 17:29

“Në të ardhmen shoqëria jonë do tu bëjë përgjegjës për dëmin që do ti keni shkaktuar atdheut”.

Me këtë mesazh, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë Durrësit Imzot George Frendo konferencë të jashtëzakonshme për mediat lidhur me krizën politike në vend apeloi klasën politike shqiptare të hapë një kapitull të ri.

Në emër të Zotit ne ipeshkvinjtë katolikë në Shqipëri me shumë besim ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe dhe të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve duke na treguar që me vendosmëri kërkoni një zgjidhje serioze dhe paqësore për këtë situatë, duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqje më të madhe”.

Paqja e vërtetë, tha Frendo, nuk do të thotë që të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë.

“Nuk ka paqe të vërtetë nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë e vërtetë. Ju lutemi të hapni një kapitull të ri në politikën tuaj. Harroni fjalët e forta që ju vetë u keni drejtuar kundërshtarëve tuaj, harroni gjithashtu fjalët që kundërshtarët tuaj u kanë drejtuar juve. Harroni planet që kishit hartuar për të luftuar kundërshtarët, harroni edhe premtimet me të cilat kishit mbushur mendjet e ndjekësve tuaj”.