Shtetet e Bashkuara pritet të luajnë një rol më të madh në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, thotë për Zërin e Amerikës, Zv/drejtori për Çështjet Evropiane dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare John Erath.
Në një intervistë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të luftimeve në Kosovë, zyrtari i lartë amerikan thotë se Uashingtoni nuk mund të ndihmojë në dialog nëse nuk hiqen tarifat më parë.
Lidhur me temën aq të debatueshme kohët e fundit për shkëmbim territoresh, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin thotë se kjo zgjidhje nuk i duket realiste.
Zëri i Amerikës: Zoti Erath, faleminderit për intervistën. Kosova shënon këto ditë 20 vjetorin e përfundimit të luftës. Si e shikoni ju gjendjen sot atje?
John Erath: Faleminderit, është kënaqësi që flasim sot. Kanë kaluar 20 vjet që nga përfundimi i luftimeve në Kosovë dhe ky është një moment i rëndësishëm. Është i rëndësishëm për mua edhe në planin personal. Para 20 vjetësh unë isha në zyrat e NATO-s, duke punuar për qeverinë amerikane atje.
Isha në gjendje të shihja njoftimet e përditshme nga zonat e konfliktit. Unë kam jetuar në Kosovë në mes të viteve ’90 kur gjendja ishte shumë e rëndë, por para se të bëhej edhe më keq akoma. Kur isha tek NATO lexoja për vende e fshatra, që i njihja e që po boshatiseshin nga njerëzit, mendoja për miqtë e mi, për të njohurit e mi, që po humbisnin shtëpitë në këtë konflikt të tmerrshëm.
Kështu që kur lufta përfundoi, përjetova emocione të thella. Kisha shpresë të madhe për të ardhmen, për mundësinë që njerëzit të ishin në gjendje të jetonin një jetë normale. Isha në Prishtinë përsëri kohët e fundit dhe u kënaqa që pashë përparimin që është bërë për 20 vjet. Bizneset që janë hapur janë inkurajuese. Njerëzit janë në gjendje të lëvizin lirshëm. Por puna pa dyshim nuk ka përfunduar.
Zëri i Amerikës: Në ato kohë, a e mendonit se pas 20 vjetësh, Kosova dhe Serbia do të ishin ende në fazën që janë sot përsa i përket normalizimit të marrëdhënieve?
John Erath: Kisha shpresuar që përparimi do të ishte më i madh për një kohë të tillë. Por shpesh në marrëdhëniet ndërkombëtare kërkohet kohë, që të arrihet tek një zgjidhje e mirë. Tani duhet të kishim marrëdhënie të normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova është e pavarur që nga viti 2008. Megjithëse e ka pavarësinë politike, vendi është i varur nga pjesa tjetër e botës për ndihma ndërkombëtare dhe nga NATO për sigurinë. Është ende një gjendje e vështirë. Ka shumë njerëz që janë të papunë. Investitorët nuk janë të gatshëm të rrezikojnë kapitalet në ekonominë e Kosovës për shkak të gjendjes së paqartë të sigurisë. Pra ka ardhur koha, siç tha Presidenti (Donald) Trump në dhjetor, për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të krijuar një gjendje më të mirë për të gjithë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi.
Zëri i Amerikës: Duket se situata është bllokuar kohët e fundit, që kur Prishtina vendosi tarifa ndaj mallrave serbe. Serbia nga ana e saj thotë se nuk ulet për bisedime pa u hequr tarifat. A ka rrugëdalje nga kjo situatë?
John Erath: Shpresoj që të gjendet një rrugë. Është e rëndësishme të kujtojmë që ndonëse tarifat janë pengesa e momentit, ato u vendosën për një arsye, në përgjigje të fushatës kundër njohjeve të Kosovës, që Serbia kishte filluar në organizatat ndërkombëtare. Këshilla e qeverisë amerikane për Prishtinën është që tarifat duhet të hiqen, që të fillojë procesi i dialogut. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për rrethanat. Dhe kjo duhet marrë parasysh.
Zëri i Amerikës: Uashingtoni i ka bërë trysni Prishtinës për të hequr tarifat, por deri tani kjo nuk ka ndodhur. Çfarë duhet të marrë Prishtina në shkëmbim të heqjes së tarifave?
John Erath: Duhet t’i heqë për të filluar dialogun.
Zëri i Amerikës: Në shkëmbim të kujt?
John Erath: Përfitimet nga dialogu besoj janë të qarta. Kjo do të çojë në një situate më normale, në mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Po ashtu në përmirësimin e gjendjes ekonomike.
Po ju pyesni çfarë do marrë Kosova si shkëmbim, dhe kjo është një pyetje e rëndësishme. Prandaj këshilla jonë nuk është që t’i eliminojë tarifat plotësisht, por t’i pezullojë përkohësisht, si një test për të parë nëse pala Serbe do të përgjigjet me veprime reciproke. Dhe prova e kësaj do ishte nëse Serbia të ndërpriste fushatën kundër njohjeve. Nëse po, atëhere kjo do të tregonte seriozitet dhe do të kishte mundësi të mira për përparim.
Nëse fushata kundër njohjeve vazhdon, nëse negociatat nga pala serbe nuk janë të sinqerta, atëhere tarifat mund të rivendosen dhe situata do të ishte ekzaktësisht siç është tani. Asgjë nuk do të humbiste me përjashtim të pak kohe.
Zëri i Amerikës: Tashmë ka filluar një proces i ri, nisma franko-gjermane. Kancelarja Merkel dhe presidenti Makron po takohen me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Më 1 korrik zhvillohet takimi i dytë në Paris, por presidenti Thaçi tha për takimin e parë, atë të Berlinit, se ishte “shokuar” që pala amerikane nuk ishte informuar dhe nuk ishte pjesë e atij procesi. A po luajnë Shtetet e Bashkuara ndonjë rol në këtë nismë evropiane?
John Erath: Ne bisedojmë me aleatët tanë evropianë rregullisht. Unë kam biseduar me homologët francezë dhe gjermanë për situatën në Ballkan. Ne nuk morëm pjesë në takimin e Berlinit, pasi ishte planifikuar të zhvillohej për çështje që lidhen me Bashkimin Evropian dhe ne nuk jemi pjesë e BE-së. Në të ardhmen ne do të ishim të gatshëm të merrnim pjesë në çdo gjë që Berlini ose Parisi duan të organizojnë me një rol që do të ishte i përshtatshëm për ne.
Zëri i Amerikës: A do të merrni pjesë në takimin e Parisit në korrik?
John Erath: Ende nuk është përcaktuar, por ne jemi të gatshëm të marrim pjesë.
Zëri i Amerikës: Gjermania është shprehur hapur kundër ndryshimit të kufijve, shkëmbimit të territoreve si formulë zgjidhjeje. Shtetet e Bashkuara nga ana tjetër thonë se nuk ka vija të kuqe, përsa kohë që palët janë dakort. A nuk janë këto sinjale kontradiktore që Perëndimi i dërgon Kosovës?
John Erath: Jo, nuk janë. Siç e thatë edhe ju, qëndrimi ynë është, i thënë thjesht, që për çdo gjë që palët bien dakort, ne nuk do të kishim probleme. Synimi ynë është të ketë një marrëveshje, të normalizohen marrëdhëniet. Gjermanët e theksojnë disi ndryshe.
Por në fakt është e njejta gjë, pasi unë nuk shoh ndonjë mënyrë praktike se si mund të arrihet një ndryshim i madh territoresh, që do të ishte i pranueshëm për të dyja palët. Ky është thelbi. Shtetet e Bashkuara respektojnë parimet e OSBE-së, mes tyre integriteti territorial. U takon njerëzve në Kosovë të vendosin se cili është integriteti i tyre territorial. Kjo është një përsëritje e atyre që u thanë në 2007, gjatë procesit Ahtisari, ku disa ekspertë propozonin ndarje dhe gjëra të ngjashme. Nuk kishte kuptim atëherë dhe nuk ka kuptim tani, nuk mund të ketë ndarje.
Zëri i Amerikës: A do të ishte korrekte të thuhej se që kur doli kjo ide, është shpenzuar shumë kohë dhe lindi edhe një pengesë e re, ajo e tarifave, pasi mund të ketë ndikuar edhe në vendimin e kryeministrit Haradinaj për vendosjen e tyre?
John Erath: Nuk e di se ç’mendon kryeministri, ndoshta duhet të pyesni atë për këtë.
Zëri i Amerikës: A është ideja e ndryshimit të kufirit e vdekur?
John Erath: Nuk mund të ketë ndryshim kufijsh pa pëlqimin e palëve të përfshira në të.
Zëri i Amerikës: Palët bien dakort për diçka, por ato mund të kenë nevojë për shtytje nga forca të tjera nga jashtë për të arritur aty ku duhet…
John Erath: Nuk e shoh si skenar realist. U takon qeverive në Beograd dhe Prishtinë të vendosin se ç’duan të bëjnë me kufirin mes tyre.
Zëri i Amerikës: Deri tani në Ballkan, palët kanë treguar se zor se mund të bien dakort për diçka, pa patur një shtysë të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Aq më shumë Kosova dhe Serbia për shkak të armiqësive shekullore. Cila do të jetë shtysa kryesore nga Uashingtoni për të dy vendet? Ato kanë kaq vite që bisedojnë pa sukses.
John Erath: Mendojmë se kemi një mundësi të mirë tani, për të normalizuar marrëdhëniet. Si Prishtina edhe Beogradi e shohin këtë gjë në interesin e tyre të integrimit në institucionet euro-atlantike. Përparimi në këtë drejtim nuk do të ndodhë, derisa marrëdhëniet të jenë normalizuar.
Për fat të mirë, kemi udhëheqje të forta në të dy vendet që e kuptojnë këtë. Pra motivi ekziston. Kapërcimi i çështjeve të tilla të vogla si tarifat, është i rëndësishëm. Është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër. Siç thatë ju pak më parë, është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të jenë të përfshira në proces, në dialog, për të luajtur një rol ndërmjetësi.
Por ne nuk mund të bëjmë gjë derisa dialogu të fillojë, pra derisa tarifat të hiqen. Unë jam në zyrë dhe bëj plane se si mund të ndihmojmë, se cili do ishte kontributi amerikan, por nuk mund të fillojë zbatimi i tyre, derisa të kapërcehet çështja e tarifave. Pra ne do të jemi në gjendje të bëjmë më shumë, pasi ta kapërcejmë këtë situatë.
Zëri i Amerikës: Nëse tarifat hiqen, apo pezullohen dhe fillon dialogu, a mund të pritet nga Uashingtoni që të luajë një rol më të madh?
John Erath: Po do të luajmë një rol më të madh. Do të jemi të përfshirë kudo që të jetë e nevojshme. Nëse arrijmë aty dhe nëse do t’i ndihmonte palët, unë do t’i ftoja të vinin këtu në Uashington. Ne duam të bëjmë gjithçka që mund të jetë e vlefshme.
Zëri i Amerikës: Presidenti i Serbisë përpiqet të qëndrojë në të dy krahët, synon anëtarësimin në BE, por nga ana tjetër mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën. A e shihni Serbinë si një partner të besueshëm?
John Erath: Unë kam punuar me Serbinë për shumë vite dhe pritshmëria është që ata veprojnë në përputhje me interest e tyre. I takon presidentit Vuçiç të vendosë se çfarë është në interes të Serbisë. Besoj ai i kupton përfitimet e shumta që do të kishte vendi i tij me anëtarësimin në BE dhe përfitimet e mëdha që kanë patur disa nga vendet fqinje të Serbisë.
Besoj se ai e kupton, se një integrim më i madh me Evropën do të sillte përfitime për popullin e Sërbisë. I takon atij ta balancojë këtë me marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe vende tjera. Arsyeja pse kam shpresë për këtë proces tani është se, është shumë e qartë, se është në interes të Serbisë të zgjidhë problemet që ka me Kosovën duke vendosur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Presidenti Vuçiç e tha këtë në parlament para disa javësh dhe ne besojmë se ai e kupton se ku janë interesat e tij.
Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, a ekziston ndonjë lloj ndjenjë lodhjeje në Uashington ose në Evropë me bisedimet Kosovë Serbi, që po zgjaten pafundësisht?
John Erath: Nuk ka lodhje tani, ne jemi optimistë se mund të arrijmë përparim. Pas 20 vjet pasigurish, tani ka një mundësi për ta përfunduar atë që filloi atëhere. Por nëse do të bllokohemi nga çështja të vogla si tarifat, apo teorikisht një shkëmbim tokash, që nuk besoj se do të ndodhë, atëhere do të kishte lodhje.
Unë mund të them se Uashingtoni është shumë i interesuar të marrë pjesë plotësisht në proces tani dhe të ndihmojë që dialogu të përparojë. Por pas një viti, ndoshta situata nuk do të ishte më kështu. Shtetet e Bashkuara janë një fuqi globale dhe nuk mund të them se nëse pas një viti nuk do të kishte një krizë tjetër në Lindjen e Mesme, a Kore, a diku tjetër dhe gjithë vëmendja do të përqëndrohej atje.