Violinisti shqiptar Florian Vlashi, shpalosi një mënyrë krejt origjinale, ditën ndërkombëtare të muzikës (21 Qershori) në Spanjë, duke qenë ideuesi dhe protagonist i tri koncerteve.
Si solist e më pas edhe si dirigjent, instrumentisti nga Durrësi, interpretoi partitura nga më të bukurat e krijimtarisë botërore, fillimisht në trenin e linjës La Coruna-Santiago, më pas në shtëpinë-muze të Picasos, si dhe në bibliotekën “Duran Loriga”.
Vlashi ka përfunduar kështu, 16 koncertet personale të këtij sezoni artistik, koncerte që shpalosin intensitetin e punës së tij, jo vetëm si anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicisë, por edhe veprimtarinë si koncertist solist, dirigjent, pedagog dhe lektor universitar.
Televizionet lokale dhe kritikët spanjollë, të cilët e ndoqën itinerarin të muzikor shkruan se “në morinë e shumë shembujve të talentit të tij, violinisti shqiptar Florian Vlashi, ka dhe një kapacitet të madh për nisma dhe risi”.
Julio Andrade Malde, kritik për muzikën, në artikullin për “La Opinion” rikujton se Vlashi, dy vjet më parë ka interpretuar veprën e Steve Reich-it, “Different Trains”, me ansamblin e formuar prej tij, “Shekulli XX”, suksesi i të cilit e ka inkurajuar violinistin ta ripërsërisë këtë përvojë në vagonin nr. 3, të linjës La Coruna-Santiago, së bashku me kolegët Mihai Tanasascu, Raymond Arteaga dhe Ruslana Prokopenko.
Udhëtarët e kësaj linje nuk kanë lëvizur nga ndenjëset, as kur treni mbërriti në destinacionin e fundit, ndërsa katër instrumentistët, nuk kanë hezituar të luajnë përsëri edhe në rrugëtimin e kthimit, çka e ka shtuar edhe numrin e kureshtarëve që kanë preferuar të udhëtojnë, thjesht për të dëgjuar katër instrumentet e mjeshtrave të interpretimit.
“Një tjetër vend i pazakontë për një koncert solistik, ishte muzeu në shtëpinë e Picassos”, – shkruan “Malde”, duke shtuar: “Është pothuajse e sigurt, se ishte hera e parë që organizohej një koncert i muzikës klasike. Salloni i reduktuar është i favorshëm për të dëgjuar një koncert në violinë solo; zgjedhja e veprave – secila prej tyre, shumë e vështirë – bazohet në një marrëdhënie mes kompozitorëve dhe Picassos; kompozitori Quiroga ishte mik i tij dhe gjithashtu, kishte miqësi me Ravelin”.
Vlashi nuk e heq violinën nga dora as në mbrëmje vonë, kur ngjitet në podin e drejtimit muzikor të ansamblit të të rinjve “Camerata Brigantina”, me vepra nga Albinoni, Vivaldi, Moxart dhe Jenkins. Koncerti i tretë dhe i fundit, më 21 qershori, ka në qendër interpretuesit e rinj.
Me tri përvojat e ditës së muzikës, kritiku i njohur vijon: “Ambienti më i gjerë, i zgjedhur nga të tre koncertet, ishte pa dyshim, salla e bibliotekës “Duran Loriga”; më e gjera po, por jo më e mirë: prania e harqeve të kolonave krijon hapësira që shkaktojnë jehonë, kështu që shpesh, tingujt krijonin konfuzion, gjë që nuk lejonte dëgjimin e pastër të linjave. Kjo gjë nuk prekte Vivaldin, por vetëm Mozartin”