MENU
klinika

Fletë-thirrja

Lobimi me kompanitë ruse, Basha thirret në Prokurori

13.06.2019 - 18:01

Prokuroria e Tiranës ka thirrur kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për të dëshmuar në datë 17 Qershor në prokurori, në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse.

Në shkresën e Prokurorisë thuhet se Basha po thirret me cilësinë e të pandehurit, ndërsa i është dërguar ditën e djeshme një fletë-thirrje për t’u paraqitur ditën e hënë në prokurorinë e Tiranës ku do i komunikohet edhe zyrtarisht akuza.

Nën hetim janë marrë gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi ekonomist në PD.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Ndërkohë që Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën “Biniatta Trade LP”.