MENU
klinika

“Udhëtimi im”

Mark Kosmo: “Me zemër jam shqiptar, por jetoj e mendoj si amerikan”

09.06.2019 - 20:24

Mark Kosmo është një “shqiptar”, lindur e rritur në SHBA, nga prindër shqiptarë, të emigruar para 100 e ca vitesh nga Shqipëria.

Një intelektual i shquar, aktivit i flaktë i çështjes kombëtare, atdhetar dhe personalitet i nderuar. Prej vitesh drejton Fondacionin The Global Albanians”, me shpresë që, sipas tij, të bëhet një mjet për dhjetëra mijëra shqiptarë në Diasporë për të dhuruar miliona dollarë në mbështetje të organizatave jofitimprurëse dhe problemeve e kauzave që ato adresojnë”, thotë ai. Në të njëjtën kohë po punon për të krijuar një rrjet profesionstësh.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. A ishte ky vendim që të ndiqje këtë profesion i paramenduar apo lindi vetvetiu, si një zë që të thërriste në brendësi?

Unë kam studiuar për ekonomi, dhe do të thosha se zgjedhja ishte më shumë një thirrje e brendshme. Kam qenë gjithmonë i interesuar për çështjet e botës reale dhe të politikës, dhe besoja në idenë e drejtësisë ekonomike, edhe pse isha thjesht një fëmijë, ashtu si shumica e fëmijëve që instinktivisht e kanë këtë.

Isha në kolegj, 19 vjeç, në vitin e dytë në Universitetin e Masaçusetsit në Amherst, për t’u diplomuar në Matematikë. Më kujtohet se si një ditë, duke ecur në kampus thashë me vete: “Matematika është shumë abstrakte dhe teorike”, kështu që e ndërrova degën e studimit në Ekonomi, pasi unë isha më shumë i interesuar në politikat ekonomike dhe se si të përdorja analizat kuantitative që të trajtoja çështjet e botës reale, ndaj edhe Ekonomia dukej mënyra më e mirë për t’i kombinuar ato.

Cilat kanë qenë momentet kryesore që kanë lënë shenjë në udhëtimin tuaj profesional dhe personal?

Momentet kryesore në jetë janë gjithnjë ato më të hershmet, pasi ato përcaktojnë rrugën e personit.

Në nivelin profesional, momenti i parë kryesor ishte një stazh në Uashington DC, në kohën kur studioja në kolegj, dhe kjo më rriti interesin për politikat e analizës ekonomike.

Kjo më mundësoi të punësohesha si Asistent Kërkimi në Institutin Brookings në Uashington, në Shkollën Pasuniversitare për Ekonomi në Universitetin e Uisconsin dhe më vonë në një punë në Kolegjin Dartmuth, Institutin e Burimeve Botërore dhe Bankën Botërore, si një ekonomist për energjinë dhe mjedisin. Pastaj i lashë të gjitha për t’u angazhuar në çështjet shqiptare, gjate 20 viteve të fundit, por mendoj se ishte përgatitje e mirë për jetën time, si një “shqiptar i rilindur”.

Në nivelin personal, hera e parë që unë po dilja vetëm ishte kur kam udhëtuar me çfarëdo lloj mjeti rrugor për 10.000 milje rreth Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në moshën 21 vjeçare. Kjo e kombinuar me një udhëtim rreth botës në moshën 28 vjeçare, përforcoi tek unë sensin e aventurës, dëshirën time për të punuar në të tërë botën, si dhe instinktet e mia themelore për të besuar, se të panjohurit, zakonisht, ju ndihmojnë, dhe mënyra më e mire është të jesh i hapur me njerëzit, sesa i tërhequr dhe i kujdesshëm. Nuk kam hipur në avion deri në moshën 15 vjeçare dhe duke qenë se jam rritur në familje të klasës së mesme në Breintri, Masaçusets (dhjetë milje në jug të Bostonit), mendova se kishte ardhur koha te udhëtoja me shumë!

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Mund të tingëllojë si një klishe, por mendoj se çelësi im kanë qenë prindërit dhe vëllezërit e mi. Në të kaluarën, asgjë nuk ishte e veçantë. Prindërit e mi nuk kanë qenë në gjendje të shkonin në kolegj, por ata i shtynë vëllezërit e mi më të mëdhenj dhe mua së bashku me vëllain tim binjak për të studiuar shumë dhe për të dalë mirë në shkollë. Kisha shumë frikë nga nëna ime shqiptaro-amerikane, po të mos dilja mirë në shkollë!!

Përsa i përket ngjarjeve profesionale, përsëri asgjë nuk ishte e veçantë – nuk kisha mentorë të shquar, nuk kisha marrë çmime, asnjë moment të ndritshëm ku unë u dallova, asgjë e veçantë.

Jeta ime profesionale ka qenë pak a shumë si një seri ngjarjesh të vogla e të vazhdueshme që lidheshin me njëra-tjetrën, por pa asnjë plan të caktuar. Është pothuajse si në një lojë basketbolli – nuk i vëren të gjitha pasimet që mund të mundësojnë një gjuajtje të madhe, por ato janë po aq të rëndësishme sa dhe gjuajtja në fund.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të vështira që mund t’i përcaktoni në jetën tuaj?

Më kujtohet kur kisha një ndjenjë ankthi të madh rreth moshës 35 vjeçare. Merrja ilaçe për disa muaj, vija në pikëpyetje shëndetin e mendjes sime dhe nuk isha në gjendje të punoja për rreth një javë. Disa herë dyshimi nëse do të arrija të gjeja një punë të mirë, ma vinte në pikëpyetje vetëbesimin tim. Gjatë shkollës pasuniversitare, në fillim kam hasur disa pengesa në rrugë, ku unë pyesja veten: “A do mund të bëja ndonjë doktoratë apo jo?” – mendoj se kjo ishte hera e parë në jetën time, ku unë isha një nxënës nën mesataren krahasuar me bashkëmoshatarët e mi, kështu që ndonjëherë më shtohej mosbesimi në vetvete. Por, unë kurrë nuk kam përjetuar ndonjë tragjedi dhe vështirësi të mëdha si disa njerëz. Por prapë është mirë të përpiqesh edhe të dështosh, pasi kjo të bën më të fortë dhe më të ashpër. Nëse do të isha një boksier nuk mendoj se do të isha tipi që mund të gjuaja me grushte të forta për të fituar me nokaut, por mendoj se mund të përballoja shumë grushta dhe të rezistoja më shumë se të tjerët.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, se si do ishte jeta jonë nëse do të kishim bërë një zgjedhje tjetër. Si kanë funksionuar vendimet që keni marrë deri tani?

Deri tani ka shkuar mjaft mirë. Pashë një intervistë të Madonës njëherë dhe kur e pyetën për gabimet që ajo kishte bërë më parë në jetën e saj, ajo u përgjigj: “Unë nuk besoj në gabime … gjithçka që bëni në jetë ju përcakton se kush jeni, ku jeni dhe ku po shkoni”. Kam perspektivën e njëjtë determinuese për jetën. Unë nuk kam ndonjë keqardhje apo pendesë nga e kaluara, siç ka thënë dhe Shekspiri “E kaluara është prolog”.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të përmirësojë vetveten, cilat nga arritjet tuaja do t’i cilësonit si më triumfueset?

Unë nuk e mendoj në këtë mënyrë. Fakti që nuk kam marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit në shkollën e mesme, kolegj apo pasuniversitare, e tregon këtë. E vetmja diplomë që kam në posedim është ajo e shkollës së mesme, dhe e kam humbur tezën e doktoraturës, ndoshta 30 vjet më parë. Ajo çfarë dua të them është se nuk mund te veçoj ndonjë gjë që kam bërë si ndonjë arritje të madhe dhe sigurisht nuk e ushqej veten me ndjenjën e triumfit për asgjë. Thjesht e jetoj jetën duke bërë gjëra dhe duke u munduar që ta bëj botën sa më të mirë.

Gjithçka është pjesë e një procesi. Siç më ka thënë njëherë një nga vëllezërit e mi më të mëdhenj: “Nuk do të doje të ishe dikush (avokat, doktor..etj.) por do të doje të bëje diçka (të ndihmoje njerëzit, të promovoje drejtësinë …etj.)”. Unë asnjëherë nuk kam dashur të bëhesha ekonomist apo një anëtar aktiv i komunitetit shqiptar, thjesht ndodhi vetvetiu gjatë rrjedhjes së jetës time. Jeta është si një lojë me top, nganjëherë gjuan dhe nganjëherë thjesht pason, por pjesën më të madhe të kohës e kalon duke lëvizur rreth e qark pa top. Në ato raste që topi vjen tek ti, atëherë ti bën më të mirën që mundesh, por për të qenë efektiv nuk duhet të mbash mendjen në arritjet apo dështimet e së kaluarës.

Çfarë kujtimesh të së kaluarës dhe përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Unë jam lindur dhe rritur në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Familja ime ka ardhur në Amerikë para 100 viteve nga Korça. Nga e hëna deri të shtunën ishim amerikanë, dhe të dielën shqiptarë. Nuk e mësova dot gjuhën shqipe që fëmijë, përveç sharjeve. E konsideroj veten si një “shqiptar i rilindur”, kështu që ndiej një lidhje të afërt me mëmëdheun në atë kuptim.

E di që të qenit shqiptar është pjesë e madhe e identitetit dhe vlerave që unë kam, por nuk e kisha kuptuar këtë derisa sa mbusha të tridhjetat dhe shkoja në Shqipëri për qëllimet e Bankës Botërore, në Maj të 1992. Të hash lakror te gjyshja të dielave nuk ishte e mjaftueshme, duhej të udhëtoja e të shkoja tek fshatrat e paraardhësve të mi dhe të jetoja për një farë kohe që të mund të vlerësoja influencën e kulturës shqiptare, sepse unë isha rritur në një periudhë kur Shqipëria ishte hermetikisht e mbyllur.

Për mua, që kur isha fëmijë dhe i rritur, Shqipëria më dukej si Hëna, shumë e largët, misterioze dhe që nuk mund të shkoje dot. Kam kaluar një kohë të gjatë në Shqipëri nga 1992-1999, por e kam vizituar vetëm përreth 5 herë gjatë 20 viteve të fundit. Kujtimet e mia më të gjalla mendoj se mund të jenë ato që kam kaluar në Shqipëri në mars të vitit 1997, ngjitja nëpër male në fshatin e gjyshërve të mi, Trebicka, dhe gëzimi e lumturia e njohjes me shumë kushërinj, me të cilët i ruaj kontaktet edhe sot.

Çfarë cilësie mendoni se keni trashëguar nga atdheu juaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?

Mendoj që cilësia më e mirë që unë kam trashëguar është personaliteti im i këndshëm shqiptar. Sido që të jesh, emigrant i ardhur apo i lindur në Amerike, pak gjëra bëjnë të mundur që njerëzit të të pëlqejnë, të buzëqeshin dhe të kënaqen nën shoqërinë tënde. Nuk flas vetëm për pjesën që të hash e të pish dhe e vetmja gjë argëtuese është ahengu – argëtimi nuk është ajo çka ti bën, por është një gjendje mendore që e ke ose jo. Shumica e shqiptarëve e kanë këtë, kombinuar kjo dhe me disa cilësi të tjera të mira. Babai dhe xhaxhallarët e mi kanë qenë gjithmonë njerëz argëtues e plot gjallëri që bënin shaka dhe këndonin gjithë kohës (kuptohet vetëm kur nuk ziheshin,) dhe ky gëzim për jetën është bërë pjesë e imja dhe unë mundohem ta përdor për të bërë mirë.

Bazuar në ekperiencën tuaj personale çfarë do të thotë fjala “emigrant”, dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij statusi?

Unë nuk jam emigrant dhe nuk mund të komentoj për këtë, por njoh shumë emigrantë (jo vetëm shqiptarë) dhe jam i përfshirë në disa organizata emigrantësh, prandaj i vlerësoj mundimet të cilat emigrantët kalojnë, por kurrë s’do mund ta kuptoja në thellësi siç mundet një emigrant i vërtetë. Është si të shohësh dikë që goditet në hundë dhe mendon me vete “sa do i ketë dhembur”, por derisa goditjen ta përjetosh vetë, nuk e kupton asnjëherë.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi midis shqiptarëve?

Mund të shkruaj pafundësisht për këtë çështje. Gjëja më e rëndësishme mendoj është krijimi i institucioneve në nivel kombëtar dhe global që promovon më shumë bashkëpunime mes komuniteteve globale shqiptare. Në pjesën më të madhe, organizatat e diasporës janë efektive vetëm në nivel lokal. Në nivele kombëtare ato janë të dobëta dhe jo ekzistuese dhe në nivel global nuk ka asgjë. Kombinuar kjo me institucionet e dobëta të qeverisë përsa i përket përfshirjes së diasporës, kjo lë shumë për të dëshiruar në përmirësimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve. Prandaj kjo është arsyeja pse unë jam i lumtur që jam angazhuar si kryetar i Germin, Fondacioni i Shqiptarëve Globalë dhe Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Masacusets.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Jam lindur e rritur në Amerikë dhe jo në Shqipëri siç ishin gjyshërit e mi. Nuk është e drejtë që unë të gjykoj për Shqipërinë si një e tërë, duke qenë se s’kam kaluar shumë kohë atje këto 20 vitet e fundit, por mendoj që shqiptarët në Shqipëri kanë disa cilësi jo shumë të shëndetshme dhe që janë antiproduktive. Shqiptarët zhyten shumë në pesimizëm, cinizëm, thashetheme të paqëndrueshme, stereotipe etnike dhe besime në teori konspirative- ashtu si edhe shumë njerëz të tjerë në Ballkan, përfshi edhe Kosovën (megjithatë mendoj që shqiptarët e Kosovës kanë pikëpamje më pak negative se ata të Shqipërisë). Unë jam rritur në Amerikë dhe sipas meje i gjithë ai negativitet, është një tufë broçkullash të vjetra dhe humbje kohe dhe energjie që i mban shqiptarët mbrapa kudo që të jenë. Amerikanët mendojnë shumë për të ardhmen pa u marrë me të kaluarën, ndërsa shqiptarët mendojnë shumë për të kaluarën dhe jo për të ardhmen.

A mendoni se është e përshtatshme përfshirja e qeverisë shqiptare në Diasporë? Çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria shqiptare?

Kanë bërë një punë shumë të dobët sa i përket Diasporës. Kanë nevojë të ndërtojnë më shumë struktura formale për bashkëpunimin me Diasporën, dhe gjithashtu kanë nevojë t’i zhvillojnë këto struktura së bashku me diasporën dhe jo vetëm t’ua diktojnë atyre nëpërmjet ligjeve, samiteve dhe këshilltarëve të miratuar nga qeveria siç kanë bërë deri tani. Unë kam qenë një kritik i hapur ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Diasporës muajt e fundit duke qenë se më kanë zhgënjyer si mua, ashtu dhe shumë shqiptarë të diasporës së gjerë, për shumë arsye dhe që janë shumë të gjata për t’u shpjeguar këtu.

Nuk mund të punosh në mënyrë efektive me një diasporë të gjerë shqiptare tashmë të mësuar me standarde perëndimore, me iniciativa qeveritare nga lart-poshtë. Qindra persona që morën pjesë në samitin e parë ne nëntor të 2016, nuk morën pjesë në samitin e dytë në shkurt 2019, pasi e ndjenin që qeveria nuk ishte e sinqertë në përpjekjet e saj për bashkëpunim me komunitetin global shqiptar. Ata duhet të jenë më bashkëpunues, por kultura e bashkëpunimit është e ulët nga pala qeveritare.

Nëse ata nuk u përgjigjen qoftë edhe një emaili të thjeshtë, dhe vetëm reklamojnë në rrjetet sociale dhe duke mos marrë pjesë gjithashtu në diskutime, atëherë është shumë e vështirë që të besosh në aftësinë e tyre për të ecur përpara në mënyrë pozitive dhe të sinqertë. Koncepti i një ministri të diasporës për mua s’ka kuptim, sepse diaspora nuk është një sektor si agrikultura, energjia apo transporti. Diaspora përfshin disa disiplina që duhet të punojnë së bashku. Më e rëndësishmja është që duhet të jetë një agjenci e përbashkët për të dy vendet, përndryshe korniza institucionale nuk do të jetë kurrë në gjendje të reflektojë faktin që jemi një diasporë shqiptare, dhe jo disa. Institucionet kurrë nuk do jenë efektive nëse nuk paraqesin realitetin.

Ndërkohë që jeni duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstant dhe i pandalueshëm i kohës. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Unë nuk planifikoj për më shumë se disa muaj për të ardhmen. Më pëlqen të eci me rrjedhën e kohës dhe më pëlqen ndryshimi. Plani im kryesor është të vazhdoj kryesimin e Germin dhe të Fondacionit të Shqiptarëve Globalë me vizionin e të ardhmes ndaj një promovimi më të mirë të angazhimit të komunitetit të madh global të shqiptarëve.

Nuk jam shumë i sigurt se si do të ndodhë dhe sa efektiv do të jem, por më pëlqen iniciativa dhe nuk shqetësohem shumë për destinacionin final. Në fund të fundit kjo është ajo çka nënkupton të jesh mendjehapur dhe aventurier. Sigurisht që kemi plane konkrete se si të promovojmë bamirësinë e diasporës shqiptare dhe databazën apo “Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë Globalë”, dhe finalizimi i detajeve do të jetë një proces fleksibël dhe i përmirësueshëm në vazhdimësi./ The Albanian