Një projekt me vlerë 12 milionë euro në Kosovë është anuluar nga Zyra e Bashkimiy Evropian.
Ky projekt ishte për ndërtimin e landfillit të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë.
“BE-ja shpreh keqardhje për anulimin e këtij projekti, i cili do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme. Aktualisht, nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin zyrës së BE-së.
Sipas BE-së, vendimi për anulimin e projektit erdhi pasi Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës refuzoi ngritjen e deponisë në territorin e kësaj komune dhe se tani nuk ka kohë të mjaftueshme për identifikimin e një parcele të re.
Ndërkohë në komunën e Fushë Kosovës thonë se lokacioni nuk ka qenë i përshtatshëm për ndërtimin e kësaj deponie si dhe sipas tyre, kundërshtimi është bërë për t’i respektuar kërkesat e banorëve dhe bizneseve përreth.
“Banorët nuk kanë pranuar që kjo deponi të ndërtohet në atë lokacion dhe komuna ka respektuar kërkesat e atyre duke përfillur edhe kërkesat e bizneseve, duke përfshirë edhe Aeroportin Ndërkombëtar”, tha për mediat në Kosovë, zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli.
Me tej, Topalli tha se ndarja e lokacionit ishte bërë nga niveli qendror, pa pajtim paraprak të komunës së Fushë Kosovës.
“Komuna e Fushë Kosovës nuk ka qenë kundër këtij projekti, por ka qenë kundër lokacionit. Në fakt kemi kërkuar që BE të shqyrtojë mundësinë që kjo deponi të ndërtohet në një lokacion tjetër dhe jo në atë zonë ku është planifikuar pa pëlqimin tonë”, tha Topalli.
Fillimisht ndërtimi ishte parashikuar që të bëhej brenda kompleksit të vjetër ushtarak në Harilaq të Fushë Kosovës, mirëpo, pas studimeve paraprake, ishte konstatuar se nuk është hapësirë e përshtatshme për shkak të mjeteve të pashpërthyera dhe bunkerëve të vjetër.
Zyra e BE-së thotë aktualisht ekzistojnë një numër vend hedhjesh të paligjshme që ndodhen afër zonës ku ishte parashikuar të ndërtohej landfilli, gjë që mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.