Berati, i stërmoçëm sa gurët e rëndë pellazgjikë, e foshnjorë sa çapat e fëmijës, 24-shekullori i qytetit e ka një gojëdhënë. Përmendet gojëdhëna për vajzën që e dashuruan njëherazi dy vëllezërit: Tomorri e Shpiragu.
Mesazhi që përcjell: “Vajza u bë shkëmb – themeli i parë i kalasë e lotët e vajzës lumi i Osumit”. Po gojëdhëna e gdhendur në kronikën e gurtë të qytetit, është mbijetesa e një jete të pandërprerë, nga agimet e shoqërisë njerëzore deri tani. Me sa e sa mbiquajtje do të cilësohej qyteti në rrjedhën e shekujve. Antipatrea-emri foshnjor e gjer tek Berati-qyteti i bardhë i një mbi një dritareve, do t’i shkonte mbiquajtja qytet-kështjellë për vetë mbijetesën. Kalaja-djepi i jetës së qytetit-kështjellë, zë fill motin e shekullit IV p.e.s. Jeta e qytetit-kështjellë, si çapat e fëmijës dhe foshnjës që rritet e fiton siguri, dëshmohet për zanafillën qytetare tek copat e thyera të enëve zbukuruese, qeramika “korintike” e ajo “devollite”.
“Çelësi” i luginës së Osumit, ky qytet që Skerdilajdi gjatë luftërave maqedono-romake i dha emrin Antipatrea, i pështjellë me koracë kështjellore, me shkëmbinj siç e përshkruan udhëtari i njohur turk M. Çelebi. “Më zbukuroi një mik arbëror, kurse Patrai më dhuroi… por unë zotëroj fushën e Myzeqesë”, mbishkruhet në portën e kalasë. Kalaja-djep i lindjes së qytetit, njëkohësisht është edhe skena e teatrit të luftërave për mbijetesë.
Kur po lulëzonte jeta qytetare brenda mureve kështjellore, do të dukej sulmi i parë i Romës, fuqia më e madhe e kohës. Vizionin e atëhershëm të Beratit e jep Tit Livi: “Konsulli romak arriti në Antipatrea, në fillim thirri parinë për bisedime dhe u përpoq me dredhi t’i jepej me besë romakëve. Meqenëse ata hodhën poshtë fjalën e konsullit, se kishin besim tek madhësia e qytetit, muret e tek pozita e tij, konsulli e sulmoi qytetin me forcën e armëve”. Po tymnaja e zjarreve romake shpërndahet nga era e Tomorrit e rishfaqet kalaja tashmë e ripërtërirë me gurë të rinj mbi shtresën e gurtë ilire. Qyteti e rimerr veten; pulsi i jetës rreh. “Qyteti i arbërve” e mbiquajtën romakët, qytetin i cili lulëzoi me punishte, këtë e dëshmon monedha me profilin e Justinjanit, perandori bizantin me origjinë ilire. Për ta cilësuar me një mbiemër të atillë, që i shkonte për shtat qytetit të lulëzuar e mbiquajtën: Pulheriopolis, me emrin e perëndeshës së Bizantit.
Një tjetër dyndje hordhish, pushtuesish sllavë, do t’i derdheshin qytetit mbi kështjellë për t’i përtharë lulëzimin e jetës. “Kur serbët pushtuan Beratin, plaçkitnin e varnin nga të dyja anët e rrugës, jashtë mureve të kalasë, por shpëtoi Kalaja”, – shkruhet në diptikun e Manastirit të Shëngjergjit. Një tjetër dallgëzim pushtuesish do t’i derdhej kështjellës, ai bullgar e pas kësaj qyteti do të mbiquhej: Belgrad – Qytet i Bardhë. Por asnjëherë nuk do t’i asimilonin jetën, traditat, kulturën e qytetit të bardhë. Këtë mbijetesë e dëshmon dorëshkrimi i kodikëve, ku mungojnë emrat sllavë e cirilikët në mbishkrimet e kodekseve.
Sa heshtën paksa trumbetat e luftës, si një pauzë në aktet e dramës së mbijetesës, jehonte muzika ritmike e daltës që latonte gurë të rinj, për të ripërtërirë murin dhe kullat e kalasë. Inicialet e Mihal Komnenit janë të gdhendur në ballin e portës së kalasë. Në ballin e gurtë të mureve, një tjetër hordhi e huaj do të derdhej, ushtria e komanduar nga Karli I Anzhu. Gjoksmbulojat e kalasë u goditën nga predha të gurta. Analet historike anzhurinë dëshmojnë: “Ndonëse në luftime u angazhuan një numër i madh harkëtarësh, që krijonin një perde të dendur zjarri dhe u përdorën makina moderne grurëhedhëse dhe rrethimi zgjati një vit, rasti i rrallë në analet ushtarake, qyteti nuk u pushtua”.
Kështu, ushtria e feudalëve francezë e italianë pësoi një disfatë të rëndë, që i dha fund fushatës anzhuine për pushtimin e Shqipërisë. Kjo “fitore monumentale”, siç e quajtën historianët bizantinë, u kremtua me bujë në Kostandinopojë, po më shumë u ngazëllye populli beratas, i cili bëri të jehonin kambanat e kishës së Vlahernës. “Berati nuk ishte një kala e mbrojtur nga një garnizon i vogël, por ishte një qytet: me gra, fëmijë e të moshuar, që të gjithë luftëtarë”, – shkruhet në analet e kohës. Pas kësaj, gjalloi një jetë dhe kulturë e pasur, një arkitekturë kishash e spikatur, si dhe u gjallua peneli i Onufrit e të birit, Nikollës, me të famshmen “të kuqen shqiptare”. Qyteti shpërthen jetën përtej mureve të kalasë, por mbijetesa do të mbetet kala e pamposhtur.
Hordhia osmane, më e ashpra, më e madhja e kohës, u derdh mbi Berat. Siç shkruan Barleti: “Berati u mor me dredhi të urryer, por jo me luftë”. Ndërsa kishte çliruar Krujën, Gjergj Kastrioti u foli luftëtarëve të tij: “A do të durojmë, që Belgardi ynë të mbahet në zgjedhën e armiqve mu në zemrën tonë?” dhe Gjergji nisi rrethimin e Beratit, siç i këndon Dara i Ri. Mokra e rëndë e sundimit osman vërtitej për të bluar vetëm kulturën e Beratit. Por jo!
Onufri me artin e tij krijoi pikturën murore e të ikonës në dramën e qëndresës antiosmane. Pas kësaj, Ali Pasha e përforcoi kalanë, ku spikat mozaiku i shtresave të ngurta me ndërthurje brezash. Mbijetesa e qytetit, ku bashkëjeton e moçmja me të renë, bëri që kalaja të mos mbetet një relike historike, por një dëshmi e mbijetesës kombëtare. Në ka një gojëdhënë për Beratin, është mbijetesa 2400-vjeçare e një jete të paprerë nga thellësitë e shekujve drejt hapësirave të kohërave që vinë.