MENU
klinika

Vlerësimi i filozofit francez

Me Kadarenë e Papavramin, meritoni BE-në!

06.06.2019 - 18:57

“Është e rrallë të ketë shkrimtarë, që i përkasin asaj që Gëte e quan letërsi botërore. Kadare është ndoshta i vetmi i brezit të tij sot dhe kjo është e jashtëzakonshme”.

Kështu do të shprehej ish-ministri francez i Arsimit dhe filozofi i njohur Luc Ferry, i cili ndodhet këto ditë në Tiranë, i ftuar nga UET.

Dje Ferry është bërë pjesë e një bashkëbisedimi me studentë, intelektualë e pedagogë, në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

Sfidat përballë njerëzimit, ngjarjet politike në kontinent, integrimi i Shqipërisë në BE, inteligjenca artificiale, arsimi i lartë sot në botë etj., kanë qenë disa nga çështjet e diskutuara. Shqipëria nuk ishte e panjohur për Ferry dhe fatmirësisht, ai e njihte përmes kulturës dhe veprave të mira. Do të përmendte emra si violinisti Tedi Papavrami, shenjtoren Nënë Terezë dhe shkrimtarin Ismail Kadare, që e quajti një në 10 më të mëdhenjtë në botë për momentin.

“Ka vende të vogla në historinë e njerëzimit që janë shumë të rëndësishme. Tirana, Shqipëria, është një vend i vogël, por shumë i rëndësishëm. Sepse ky vend kaq i vogël ka prodhuar artistë, gjë që është shumë e rrallë, si për shembull mikun tim Tedi Papavrami, i cili cilësohet një nga violinistët më të mëdhenj në botë, ka prodhuar shkrimtarë e personalitete botërore si Nënë Tereza, pa harruar gjithashtu Ismail Kadarenë, pasi është e rrallë të ketë shkrimtarë që i përkasin asaj që Gëte e quan letërsi botërore.

Ka shumë pak, ndoshta vetëm Milan Kundera, Philip Roth në SHBA, Garcia Marques në Kolumbi dhe Ismail Kadare. Letërsi botërore, kjo do të thotë t’i përkasësh një rrethi shumë të vogël. Ka më pak se 10 në botë nga këta shkrimtarë që përkthehen menjëherë në Francë, Gjermani, SHBA, Hungari, Poloni, gjithandej në botë.

Është ndoshta i vetmi i brezit të tij sot dhe kjo është e jashtëzakonshme. Miku im i vjetër, François Furet, historiani më i madh francez, më thoshte gjithmonë: ‘Për të prodhuar shkrimtarë botërorë duhet një komb i madh prapa, edhe përse mund të jetë i vogël në territor, duhet të ketë një kulturë shumë e madhe”, u shpreh ai.

Ferry pohoi se një vend me kulturë të tillë meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian, duke shprehur kështu mbështetjen e tij në këtë proces integrimi.

“Shpresoj dhe uroj që ju të hyni së shpejti në BE. Nuk e di nëse ju e dëshironi të gjithë këtë gjë, por unë personalisht do të isha shumë i lumtur të shihja një vend të tillë, me një kulturë të tillë dhe me një universitet të tillë si juaji, të pranohet në Bashkimin Europian”, tha ai.

Nga letërsia e madhe, Ferry do të diskutonte edhe për anën tjetër të medaljes, për atë që quhet “fake news” dhe për ‘post të vërtetën’.

Duke marrë në analizë disa prej ngjarjeve që lidhen me fushatat elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo Britaninë e Madhe me procesin e Brexit-it dhe mënyrën se si aktorë të ndryshëm shoqërorë dhe politikë kanë përdorur elementin e lajmit të rremë duke shfrytëzuar komunikimin në rrjetet sociale, ai theksoi rëndësinë që marrin sot universitetet.

“Falë rrjeteve sociale, sot kushdo, në çdo kohë, në çdo vend, në mënyrë anonime, fshehur pas një pseudonimi mund të bëhet një burim ‘informacioni’.

Në kohën e fushatës elektorale në SHBA thanë Obama është mysliman që ka lindur në Kenia, se Papa voton për Hilary Clinton… të gjitha ‘fake news’, por askush nuk dinte të vërtetën. Ishte shumë e vështirë të kuptoje nëse ajo që po lexoje ishte e vërtetë apo jo.

Sot ne kemi më tepër se kurrë nevojë për universitetet. Kemi nevojë për dijetarë, për shkencëtarë, për akademikë, për ekspertë si kurrë më parë në historinë e njerëzimit, për të luftuar këtë valë të madhe demagogjie, fake news, post të vërtete, me të cilën kemi të bëjmë në rrjetet sociale”, tha ai.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit