MENU
klinika

Takimet para Samitit

Merkel e Macron presion Kosovës

20.06.2019 - 21:41

Franca dhe Gjermania pritet të intensifikojnë takimet në Kosovë rreth dhjetë ditë para samitit të Parisit.

E përditshmja serbe, “Blic”, raporton se diplomatë të Berlinit dhe Parisit këtë javë do të mbajnë disa takime jozyrtare me shtetarë të Prishtinës.

Objektivi i takimeve mbetet bindja e kreut të shtetit Hashim Thaçi dhe kryeqeveritarit Ramush Haradinaj për heqjen e tarifave doganore për produktet serbe.

Burimet shtojnë se Berlini dhe Parisi kërkojnë të avancohen negociatat mes dy palëve, në të kundërt takimi i radhës në kryeqytetin francez mund të anulohet.

Këtë frikë e përcolli të enjten edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duke shtuar se vetëm një mrekulli mund t’ia ndryshojë qëndrimet Kosovës brenda tri ditëve.

“Ju them me 99 për qind siguri se Samiti i Parisit nuk do të mbahet. Mendoj se shqiptarët nuk janë të gatshëm për bashkëpunim, dhe gjermanët e francezët e kanë kuptuar këtë. Serbia është duke u sjellë në mënyrë konstruktive, ne dëshirojmë dialog, por nuk dëshirojmë të hyjmë në bisedime ku pritet ta njohim Kosovën e pavarur,”-tha Vuçiç.

Dy fuqitë europiane po tentojnë të evitojnë samitin e fundprillit në Berlin, i cili nuk prodhoi asnjë rezultat konkret për kryeçështjet e Serbisë dhe Kosovës.