Pavarësisht se Presidenti Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, Partia Socialiste vijon e vendosur fushatën.
I bindur se zgjedhjet do të bëhen në këtë datë, kryeministri Edi Rama pasditen e sotme ndodhet në Divjakë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se akti i fundit i Metës zbardhi plotësisht planin.
“Do të kishim dëshiruar që këtë fushatë ta kishim garë me kundërshtarët tanë për të parë idetë dhe kandidatët më të mirë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu, pasi kanë kapitulluar para se të fillojë ndeshja. Nuk përballen dot me ne në zgjedhje, kanë frikë nga gjykimi i njerëzve dhe të maten me ne duke bërë atë që politika duhet të bëjë dhe jo duke sharë dhe shpifur dhe kërcënuar.
Frika nga zgjedhjet dhe tmerri nga reforma në drejtësi dhe paniku ka bërë që të kthehen në një front kundër celjes së negociatave. Nesër do të flasim më shumë, por akti i fundit i Metës e ka zbardhur plotësisht planin dhe na ka dhënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri. Sigurisht që ne kemi bërë shumë por në asnjë mënyrë sa do të donim.
Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverive së botës. Firmos dhe ç’firmos. Sikur bota të hynte në liogjikën e Metës, që firma e një autoriteti të ç’bëhej nuk do kishte më shtet, as rregull, as drejtim, por do bëhej bota një rrumpallë.
Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, papërgjegjshmërie dhe një vepër që as të pranohet dhe as tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e presidentit të Republikës derisa fuqia e popullit është te parlamenti dhe për sa kohë që parlamenti ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse presidenti çmendet”, u shpreh Rama.