MENU
klinika

Letra shokuese për OSBE-në

Meta letër Lajçak/ Rama: Do kujtojnë se e ka shkruar ndonjë humorist

23.06.2019 - 21:28

Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në “Twitter” ka reaguar për një letër që presidenti Meta i ka dërguar presidentit të OSBE.

Rama thotë se shpreson që kjo të mos jetë e vërtetë, pasi OSBE do kujtojë se është shkruar nga ndonjë humorist që ka dashur të tallet me kreun e shtetit.

Postimi i Ramës:

Kjo letra e Ilir Metës për Presidentin e OSBE inshallah ka humbur rrugës e s’ka arritur në destinacion, se do kujtojnë bota se është shkruar nga ndonjë humorist që ka dashur të tallet me Presidentin e Republikës, duke e nxjerrë si një të lajthitur që bërtet pa ditur çfarë flet!

Letra e Metës

I dashur ministër (Lajçak)

Duke marrë parasysh: – Një seri skandalesh botuar në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, ku përfshihet përgjime, në posedim të prokurorisë, që zbulojnë një skemë të organizuar mes të zyrtarëve të lartë të Partia Socialiste, ministrave të kabinetit dhe Policisë së Shtetit me banda kriminale për zgjedhjet lokale 2016 dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017;

– Mungesën e gatishmërisë dhe veprimeve nga zyra e prokurorisë për të vazhduar me hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme të atyre personave të përfshirë në këtë skemë dhe në raste të tjera të rënda korrupsioni të botuara nga mediat ndërkombëtare;

– Protestat e rregullta kombëtare nga opozita e bashkuar dhe protestat e tjera lokale, që po shfaqen në të gjithë vendin, heqjen dorë en block të opozitës nga mandatet parlamentare dhe mosregjistrimin e tyre en block në zgjedhjet lokale të 30 qershorit;

– Kryeneçësinë e Kryeministrit për të shkuar përpara me zgjedhjet, pavarësisht faktit se në 31 nga 61 bashki do të kishin vetëm një kandidat të regjistruar nga Partia Socialiste; ndërsa 22 të tjera kanë nga një kandidat alternativ më shumë, nga një parti fallco, të regjistruar përtej afateve ligjore, duke shkelur të gjithë procedurat ligjore dhe administrative;

Duhet të theksohet se:

– Partitë aktuale opozitare politike (PD: LSI, PDIU dhe të tjerë aleatë) përbëjnë 48. 14% të votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017, ndërsa Partia Socialiste (PS) dhe aleatët politikë të saj aktualë përbëjnë gjithsej 49.83% të votave.

– Sa i përket përfaqësimit lokal, blloku aktual i opozitës përbën 48.6% të votës popullore të vitit 2015, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj përbëjnë 43% të votave.

– Në lidhje me këto të dhëna, zhvillimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore më 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit shqiptar, shkel parimet kushtetuese cilësuara nga dispozitat e posaçme kushtetuese.

– Në të njëjtën kohë, mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të përbënte një shkelje e nenit 3, Protokolli 1, i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të klauzolave preambulative të MSA-së me BE-në.

– Klima shumë e tensionuar politike dhe sociale po shkon drejt sistemit monopartiak dhe potencialit për të përshkallëzuar konfliktin civil në të gjithë vendin. Veprimet institucionale që kërcënojnë pluralizmin politik, janë një sulm ndaj vetë ekzistencës së Republikës;

– Përpjekjet e mia të vazhdueshme institucionale duke apeluar tek të gjitha palët që të rivendosin dialogun politik dhe për të zgjidhur krizën kushtetuese: politike dhe përfaqësuese nuk patën sukses, duke përfshirë edhe ftesën time për të gjitha palët për një marrëveshje të përbashkët që të caktohet një datë e re për zgjedhjet lokale.

– Informacioni i poseduar në cilësinë time si President i Republikës për një përplasje të mundshme gjatë protestës kombëtare të 8 qershorit;

Duke vlerësuar ngjarjet në këtë shkallë shqetësimi, me kompetencat që më jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duke marrë në konsideratë se si një përfaqësues i unitetit kombëtar, duhet të siguroj që dita e zgjedhjeve të jetë dita e unitetit dhe jo e konfliktit për popullin shqiptar, vendosa më 8 qershor të revokoj dekretin tim të parë që përcaktonte datën e zgjedhjeve lokale, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit për një datë të mëvonshme, që do të vendosej së shpejti.

Dekreti im dhe arsyetimi i plotë kushtetues, ligjor dhe logjik u botua më 10 qershor. Ky dekret u botua në Fletoren Zyrtare më 11 qershor, dhe sipas nenit 117 të Kushtetutës sonë është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe qytetarët.

Unë kam këmbëngulur dhe apeluar publikisht që kjo periudhë kohore për të gjithë palët duhet të përdoret si një dritare e mundësisë për të hyrë menjëherë në dialog politik dhe të zgjidhë krizën e thellë dhe serioze si çështje urgjente, duke pasur parasysh edhe vendimin në pritje të Këshillit për negociatat e Shqipërisë për pranimin me Bashkimin Europian.

Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin autoritet me të drejtë ligjore për të shpallur datën e zgjedhjeve.

Tashmë dihet publikisht që precedenti i parë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale nga Presidenti i Republikës u krijua në dhjetor 2006-janar 2007, falë kontribut ekskluziv të Kryetarit të Partisë Socialiste, Z. Rama, në atë kohë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për më tepër, me ligj, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi këtë Dekret të Presidentit është Gjykata Kushtetuese, e cila siç e dini është jo funksionale.

Presidenti i Republikës është institucioni i vetëm që ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti bëri çdo përpjekje për të zhbllokuar procesin e themelimit të Këshillit të Emërimeve në Gjyqësor, i bllokuar qëllimisht nga mazhoranca që kërkon të sigurojë kontrollin e plotë të saj, duke rrezikuar rënien e të gjithë sistemit. Ngjarjet, në mënyrë alarmante po përshkallëzohen nga kryeministri dhe ministrat e kabinetit, jo vetëm duke provokuar me retorikë thellësisht përçarëse dhe konfliktuese me anëtarët e opozitës dhe civilët, por edhe duke ushtruar presion të paligjshëm për kapjen e të gjitha institucioneve të tjera, që të çon drejt një grushti institucional të Kryeministrit.

Kryeministri Rama refuzon të pranojë Dekretin e Presidentit dhe ka urdhëruar përfaqësuesit e tij socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vazhdojnë përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, komplet në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit të vendit. Nga ana tjetër, këta (socialistët) anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për mosrespektimin e Dekretit të Presidentit të Republikës dhe për të ecur përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, duke i kërcënuar publikisht të gjithë qytetarët, të cilët vendosin t’i binden këtij akti ligjor.

Ndërkohë që ju shkruaj, trazirat civile kanë shpërthyer në dhjetëra bashki, me punonjës bashkie dhe civilë uke u përplasur me Policinë e Shtetit për zhvillimin e zgjedhjeve lokale njëpartiake. Policia e Shtetit po përdoret për të ndaluar këto bashki dhe qytetarë që të zbatojnë dhe respektojnë Dekretin e Presidentit, sipas ligjit të Republikës. Tensionet janë rritur më tej dhe autonomia e organeve të qeverisjes vendore është shkelur, duke ppërshkallëzuar gjendjen e paligjshmërisë dhe anarkinë.

Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë nga dekreti im presidencial, unë vazhdimisht po u bëj thirrje të gjitha palëve të rivendosin dialogun politik, që synon zgjidhjen urgjente të kësaj krize gjithnjë në rritje, dhe për të parandaluar çdo konflikt civil gjë që për fat të keq do të rrezikonte stabilitetin e Shqipërisë dhe atë të Procesi i integrimit evropian të saj, duke përfshirë edhe statusin tonë në pritje për Kryesinë e radhës së OSBE-së.

Rrethanat më detyrojnë t’ju informoj siç thashë më lart për këtë çështje urgjente. Të vetëdijshëm për axhendën tuaj të zënë me çështje të tjera të rëndësishme, mbetem me besim se kësaj situate fatkeqe dhe të rëndë në vendin tim, do t’i jepet vëmendja dhe shqyrtimi i duhur. Ju lutem Shkëlqesia Juaj pranoni t’ju siguroj për konsideratën time më të lartë.

Sinqerisht i juaji

Ilir Meta

(Fotot të marra nga Realstory.al)