MENU
klinika

Deklarata

Meta në konferencë të jashtëzakonshme: Vendi, në rrezik!

10.06.2019 - 08:36

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë sot ashtu sikurse ishte lajmëruar në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Gjatë fjalës së tij para mediave, Meta komentoi vendimin e tij për shfuqizimin e dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore më 30 qershor.

Kreu i Shtetit ka cituar Kushtetutën për rolin që i cakton për çështjen e vendosjes së datës së zgjedhjeve dhe referendumet.

Meta tha se pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet qoftë ato përgjithshme qoftë ato vendore, s’mund të zhvillohen.

“Jam sot për të shpjeguar para jush dhe gjithë qytetarëve arsyet për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe për zhvillimin e referendumeve.

Konkretisht në këtë dispozitë kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen.

Dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin. Është dekretuar data në kushtet e një klime normale politike në vend.

Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve.

Nga ana tjetër Shqipëria po kalonë një krizë kushtetuese.

E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit.

Si president kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam bërë thirrje mes palëve që të gjejnë zgjidhje dhe të kalojnë krizën, por përpos thirrjeve sërish me keqardhje konstatoj se palët politike reflektojnë thellim të ndasive mes tyre.

Qeveria synon të shkojë e vetme në zgjedhje pa marrë asnjë hap për zgjidhen e krizës dhe dialog, nga ana tjetër edhe opozita shprehet se do të pamundësoje zgjedhjet, në vlerësim të situatës dhe gjuhës së urrejtjes… eksiton rreziku që vendi të shkojë drejt përshkallëzimit të pasojave të pakontrollueshme.

E konsideroj këtë moment si moment serioz për paqen në vend.

Nëse në zgjedhje merr pjesë vetëm maxhoranca atëherë popullit i cënohet e drejta për të votuar

Standardet jo vetëm nuk përmbushen por shkelen në mënyrë flagrante

Këto zgjedhje kështu bëhen zgjedhje jo demokratike”, deklaroi Meta.