MENU
klinika

Vendimi i papritur

Ministri kosovar dorëzon dorëheqjen

20.06.2019 - 21:29

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj ka njoftuar të enjten se i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.

Dorëheqja e Beqajt, vjen një ditë pas vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për largim nga detyra të të gjithë anëtarëve të kësaj partie politike, që mbajnë poste publike, por njëkohësisht janë të akuzuar nën dyshime për korrupsion dhe nepotizëm.

Besim Beqaj akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës se Kosovës.

Në një konferencë për media, Beqaj ka thënë se vepra penale për të cilën është duke u gjykuar nuk ka elemente të veprës së korrupsionit.

“Ju siguroj të gjithëve se kjo sfidë do të kalohet shumë shpejtë dhe e vërteta do të dalë e pakontestueshme”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se vendimi për largimin e njerëzve nën akuza nga postet publike, nuk e paragjykon fajësinë e zyrtarëve të kësaj partie politike, që janë në procese gjyqësore, por i ofron mundësi drejtësisë të kryjejë punën e vet.