Sipas asaj që njoftojnë mediat kosovare, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në vend, Endrit Shala, ka paralajmëruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me tarifa doganore, si ato që u vendosën ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.
“E kam njoftuar tashmë Bashkimin Europian se Kosova do të ketë të njëjtën qasje ndaj të gjitha vendeve në rajon. Gjatë takimit me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ju kërkova tërheqjen e të gjitha tarifave ndaj Kosovës”-citohet të ketë thënë ministri përgjegjës për tregtinë në Kosovë.
“Ndër të tjera, ne shprehëm shqetësimet tona ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut pasi prodhuesit tanë nuk lejohen të eksportojnë peshk. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e gatshme të marrë masa specifike ndaj disa vendeve të veçanta, në varësi të kërkesave që ato vende kanë për prodhuesit tanë”-mësohet të ketë thënë ai.
Pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Kosova duket se ka hyrë në një luftë të egër tregtare.
E në rast se me Serbinë bëhet fjalë për arsye të qarta politike, në rastin e Shqipërisë bëhet për arsye të mirëfillta ekonomike.
Prej kohësh autoritetet kosovare dhe ato shqiptare kanë pasur përplasje për tregtinë e produkteve të veçanta, si patatja, apo bllokimi i miellit kosovar nga autoritetet shqiptare. Produktet bujqësore që vijnë nga Kosova janë ato më të tarifuarat nga autoritetet shqiptare.
Në rastin e patates dhe miellit, prodhuesit ankohen për aplikimin e çmimeve të referencës, ndërsa edhe tarifa për skanimin si dhe mospranimi i certifikatave sanitare apo kontrollet e panevojshme përbëjnë një kosto të madhe për prodhuesit nga Kosova që kërkojnë të eksportojnë drejt Shqipërisë. Për këtë, prodhuesit matanë kufirit kanë zhvilluar shpeshherë edhe protesta të ndryshme.
Por, asgjë nuk ka ndryshuar. Dhe tashmë, Kosova kërcënon të na trajtojë njësoj si Serbinë, duke na shpallur luftë tregtare.