Portugalia ka mposhtur Zvicrën 3-1 në gjysmëfinalen e Nations League dhe kalon në finalen e kompeticionit.
Portugezët do të ndeshen me fituesin e Angli-Holandë më 9 qershor, ndërsa Zvicra do të ndeshet një ditë më përpara për vendin e tretë.
Heroi i ndeshjes ishte Cristiano Ronaldo, i cili ka shënuar një tripletë spektakolare.
Goli i parë erdhi në minutën e 25’ të takimit kur fitoi një faull të dyshimtë, por e goditi me një potencë të frikshme duke lënë në vend portierin Sommer.
Pas pushimit, Rodriguez barazon rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Në fillim arbitri Brych akordoi penallti në favor të portugezëve, por pas konsultimit me VAR, ai ia hoqi atyre duke ia dhënë zviceranëve për faullin e shkaktuar një aksion më përpara.
U duk sikur ndeshja do të shkonte në kohë shtesë, por në minutën e 88’ Ronaldo shënon golin dy pas asistit të bukur të Bernardo Silva-s.
Sulmuesi i Juventus kompleton tripletën e tij në minutën e 90’ me një tjetër gol fantastik.
Portugalia në finale falë një Ronaldo në superformë. Kjo është tripleta e 7-të e Ronaldo te Portugalia dhe e 53-a gjithsej.