MENU
klinika

Hil Mosi

Në panteonin shqiptar, ai hyri pa bujë!

08.06.2019 - 12:44

Hil Mosi zhvilloi një aktivitet të shquar në fushën e organizimit të lëvizjes sonë kombëtare para pavarësisë dhe u shqua gjithashtu deri në vendosjen e regjimit reaksionar monarkik.

Në veprën e tij, ai pasqyroi hovin revolucionar të fazës së fundit të Rilindjes sonë Kombëtare, ndërsa gjatë regjimit zogist ai bëri një punë të mirë për laicizmin e shkollës.

Krijimtaria e gjerë krijuese, që shtrihet nga viti 1900 deri më 1930, është pasqyruara në këto pesë libra të tij: “Këngët shqipe” (1909), që është një antologji me pjesë të zgjedhura origjinale e të shqipëruara. Libri “Zan’i Atdheut” (1913), përmbledh poezi me frymë atdhetare, të hartuara në stil popullor.

Në librin “Lotët e dashtnisë” (1916), autori vlerësonte lart letërsinë, e cila, siç thotë vetë: “i hap rrugën njerëzisë në fushë të përparimit”. Vëllimi “Libër kangësh” (1925), çel rrugën e depërtimit të muzikës klasike ndërkombëtare në shkollat popullore të viteve 20’-30’ në vendin tonë. Kurse libri i pestë i Mosit, me titull “Lule prendvere” (1927), përmban lirika, balada, krijime origjinale, shqipërime, përshtatje e perifrazime. Ai ka lënë në dorëshkrim edhe një përmbledhje poezish lirike me titull “Lule vjeshte”, që do të përbënte vëllimin e gjashtë poetik të tij.

Interes të veçantë paraqesin edhe ditari i tij dhe dorëshkrimet e tjera, që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit. Ai ka marrë pjesë me armë në kryengritjen e malësorëve të Veriut kundër zgjedhës osmane më 1911.

Përçarje krahinore, fetare, gjuhësore etj., nuk kishin zënë vend aspak në ndërgjegjen e Hil Mosit, përkundrazi ai i konsideronte këto si pemë të hidhura e vepra intriguese të lëvruara nga të huajt. Për të siguruar bashkëveprimin e lëvizjes patriotike shqiptare, si në veri e në jug të atdheut, pra vëllazërimin e bashkatdhetarëve, Hila, me mbarimin e shkollës së mesme, nuk u fut në punë në Shkodër, në qytetin e tij të lindjes, as në qendrat e tjera të Veriut, por në Korçë. Atje, në një mjedis patriotik, në bashkëpunim me Orhan Pojanin, Mihal Gramenon, Thanas Floqin, Thoma Avramin, Pandeli Calen e dhjetëra patriotë të tjerë, jo vetëm arriti pjekurinë e vet, por aktivitetin e tij patriotik e shtriu në të gjitha organizatat patriotike që u krijuan në Korçë.

Të shumta janë poezitë dhe artikujt publicistikë, që botoi në gazetat “Korça” e “Lidhja orthodhokse”, që dilnin asokohe në Korçë. Pseudonimet e tij: Sakoli, Zog Sakoli, Lirijasi, u futën në listën e autorëve të rrezikshëm. Vargjet e tij Hil Mosi ua kushton luftëtarëve të lirisë, si atyre të Veriut (Bajram Currit, Isa Boletinit, Zef Harapit etj.), ashtu edhe atyre të Jugut (Spiro Bellkamenit, Papakristo Negovanit, dëshmorëve të Orman Çiflikut etj.). Me shkrimet e tij u bëri jehonë Luftës së Mashkullorës dhe Luftës së Brojës për Bjeshkët e Namuna të Malësisë së Madhe etj., sikundër shkroi për shkrimtarët e poetët e njohur K. Kristoforidhi e N. Frashëri, F. Shiroka e L. Gurakuqi, Asdreni etj.

Një nga meritat e njohura të këtij atdhetari, është edhe përpjekja që bëri për njësimin e gjuhës.

Për këtë arsye, u zgjodh anëtar i Komisisë Letrare në Shkodër në vitin 1917, ku merrnin pjesë gjuhëtarë e dijetarë të mbarë vendit. Le të shënojmë këtu, se si përfaqësues i një shoqërie përparimtare të Shkodrës që ai kishte formuar, kishte marrë pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908) për hartimin e një alfabeti të vetëm kombëtar dhe ishte zgjedhur sekretar i tij.

Madje, shkodrani Hil Mosi, në moshën 24 vjeçare, kur shkroi të parin vëllim poetik “Kangët shqipe” (1909), e hartoi në variantin dialektor të Jugut, në një toskërishte të pastër, të bukur, të qartë e të përpiktë, dukuri kjo e rrallë nga një shkrimtar gegë i kohës, me përjashtim të Luigj Gurakuqit, i cili katër vjet më parë kishte tentuar të shkruante toskërisht.

Këta janë shembuj domethënës, të këtyre shkrimtarëve patriotë për njësinë e shqipes dhe njëkohësisht për unitetin kombëtar. Dhe këto ndodhin gati një shekull më parë. Qysh atëherë Hila do të shkruante: “Gjuha jonë, jo veç që ka me mbërri me pasë një të folme të përmbarshme, të dlirë e të begatë, por edhe me pasë një letërsi kaq të bukur, që me qënë një ndër ma të mirat ndër gjuhët që po flitet në Ballkan”.

Nën ndikimin e poezisë madhore: “O moj Shqypni” të Pashko Vasës, që u përqafua si lajtmotiv nga mbarë atdhetarët e kohës e, më pas, Hil Mosi qysh në moshë të re nisi t’i qajë hallin Atdheut të robëruar e shqiptarëve të përçarë dhe të kërkojë vëllazërimin e tyre, duke bashkëpunuar në gazetat e kohës që botoheshin jashtë Atdheut, si “Drita” e Sofjes, “Kombi” i Bostonit, “Shpresa e Shqypnisë” e Nikolla Ivanajt etj. Për më tepër, në bashkëpunim me patriotin Dervish Hima, mundi të nxirrte revistën “Shqiptari” në Stamboll (1910), si dhe së bashku me Risto Siliqin të botonte në Shkodër, gjatë viteve 1913-1914, gazetën “Shqipëria e re”.

Zemra e tij rrahu edhe për mbrojtjen e të drejtave të vëllezërve tanë, që ndodhen në tokat shqiptare të shkëputura padrejtësisht nga Konferenca e Londrës më 1913 dhe kudo që ndodheshin në vendet e tjera të botës.

Për këtë ai thoshte:

“Na duhet t’i dalim për zot vllait vet, shqiptarit, i cili kudo që t’gjindet, na duhet t’i mbrojm të drejtat e tija, se asht detyra jon’. Shqiptarët, ndonëse të ndarë ndër besime, janë të lidhur si nji trup përpara interesit t’Atdheut”.

Si organizator shoqërish atdhetare, kulturore e sportive, jo vetëm në Veri, por edhe në Jug, Hil Mosi ka zhvilluar veprimtari të gjerë. Por, mbi të gjitha, vepra e tij shkëlqen si poet kryengritës e luftëtar.

Të studiuara bashkërisht me publicistikën e tij, dorëshkrimet e pabotuara, ditarin dhe epistolarin, përshtatjet e përkthimet në dramaturgji etj., me siguri do t’i shtonin fondit të traditës një autor të begatë.