Qeveria miraton fondin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “rikualifikimi i sheshit ‘Italia’”, Tiranë.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme 107 402 334 lekë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, botuar sot në fletoren zyrtare pashikon se shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërkohë Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare, që do të thotë paratë kalojnë që sot në llogaritë e përfituesve.
Ndërkohë qeveria bën të ditur se pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, në zyrat e Bashkisë Tiranë.
Ndërkohë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Tiranë.