MENU
klinika

Intervista me Mentor Nazarkon

Pse Palmer nuk vjen në Shqipëri?

14.06.2019 - 22:32

Zhvillimet e ditëve të fundit, kanë krijuar mjaft polemika duke zgjuar interesin mbarëkombëtar.

Nisur prej këtu, nga çdekretimi i datës së zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga Presidenti Meta, e duke vijuar edhe me mundësitë e lëvizjeve pasuese që mund të çojnë në zgjidhjen e ngërçit politik, ose në thellimin e tij, Mentor Nazarko, analist dhe njohës i zhvillimeve politike në vend ka dhënë disa përgjigje për InfoMagazine.

I pyetur nëse edhe shumica në Shqipëri, duke marrë parasysh nevojën për çeljen e negociatave ndoshta për të ruajtur stabilitetin politik, nuk do ta shkarkojë presidentin Meta, hedhur kjo si një hipotezë së fundmi, e cila mund të vijë si pasojë e anulimit të zgjdhjeve të 30- Qershorit, Nazarko thotë:

E vërteta është që data e zgjedhjeve, 30 Qershori, është një datë që do duhej respektuar, mirëpo, gjendemi përpara faktit që presidenti e ka anuluar dekretin e tij. Do të duhej sipas frymës së Kushtetutës, që kur ai ta anulonte të kishte bërë negociata me partitë dhe të jepte një datë tjetër, ai ka bërë vetëm gjysmën e punës, pra nuk ka thirrur partitë, por vetëm ka anuluar.”

Nazarko shton se ky veprim erdhi pikërisht kur z. Plamer, zv/ ndihmës Sekretar i Shtetit në SHBA, sulmoi opozitën.

“E ka bërë këtë në atë ditë që i dërguari amerikan e ka sulmuar në një mënyrë të paprecedentë opozitën. Dhe për ta ekuilibruar lojën, vendosi t’i jepte një farë ndihme opozitës për të hapur mundësitë e dialogut. Dialogu është gjëja më e rëndësishme që Shqipëria duhet t’i tregojë botës. Pra, fytyra e dialogut, është gjëja më e rëndësishme.

Në këtë kuptim të gjithë palët duhet të ulin tonet, përfshirë këtu edhe shumica, dhe opozita duhet të heqë dorë nga një pjesë e kushteve të veta banale, vetëdëmtuese, në mënyrë të tillë që Shqipëria të tregojë se mund t’i zgjidhë krizat me fuqitë e veta.”

Duke u ndalur në qëndrimin e z. Matthew Palmer, Nazarko shton se fakti që gjatë ditëve ku në Shqipëri tashmë ka një përplasje institucionale i dërguari amerikan qëndroi në Kosovë, tregon se Perëndimi do t’i mbajë duart larg nga zgjidhja e kësaj krize, pra po e lë në duar të liderëve shqiptarë.

“Më bën përshtypje gjatë qëndrimit dy-ditor në Kosovë, i dërguari amerikan ka ndenjur në Kosovë, përveç pjesës festive, në formën e disa pushimeve, duke mos denjuar për të shkuar në Shqipëri. Mesazhi i tij me mos-shkuarjen në Shqipëri, tregon se duhet t’i zgjidhni vetë telashet banale që i krijoni për veten.”

I pyetur lidhur me situatën që pritet në vijim, dhe nëse do të ketë reagime të tjera nga ana e opozitës, Nazarko shton:

“Nuk e besoj, opozita është në një situatë të dëshpëruar, pikërisht për këtë shkak se opozita është e tillë, në fund të peshores, presidenti Meta vendosi ta ndihmojë atë, pra është një veprim ekuilibrues. Opozita s’mund të bëjë asnjë veprim të dëshpëruar sepse ka kundër të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Është një qasje banale, vetëdëmtuese e gjithë faktorëve shqiptarë.

Z.Basha nuk është për fat të mirë z.Berisha që t’i kundërvihej herë pas here faktorit ndërkombëtar, apo ndonjë parti tjetër këtu në Kosovë.

Z. Basha e ka kuptuar që përballë një presioni të faktorit ndërkombëtar duhet të ulet në tryezë, ndërsa z. Rama duhet ta kuptojë se, megjithëse siç e thashë data 30 qershor kushtetuetshmërisht është një datë e ligjshme, e rregullt që duhet respektuar.”

Si duhet të vijë zgjidhja e krizës? Sipas analistit, politika duhet të tregojë fytyrën e dialogut, dhe duhet të vërtetojë që kemi një sistem të pjekur politik.

“Qeveria duhet të ulë tonet, të mos ekspozohet në kritika ndaj presidentit se nuk është se fiton diçka më shumë, pavarësisht se Presidenti më këtë veprim që ka bërë është bërë palë me opozitën, por panorama politike është e çekuilibruar kur njëri faktor, qeveria është shumë e fortë elektoralisht apo për shkak të mbështetjes së ndërkombëtarëve, atëherë nuk mundet që tërë faktorët të shkojnë nga njëra anë, peshorja nuk mund të anojë nga njëra anë.

Në këtë mënyrë, qeveria duhet ta kuptojë që edhe urtësia prodhon, edhe një urtësi e tipit maqedonas prodhon, edhe një e ngjashme me atë që Rama tregoi në 2017-ën kur i dha gjysmën e qeverisë opozitës, drejtimin e atyre enteve kryesore nga të cilët bliheshin vota, prodhon vota, fuqi elektorale, askush nuk mund ta imagjinonte që ai Rama që bëri marrëveshjen e 2017-ës do të arrinte të fitonte zgjedhjet i vetëm.

Pamja që kam shquar këtu në Kosovë kur Matthew Palmer, njeriu më i rëndësishëm i administratës amerikane për Ballkanin, që çdo ditë udhëzon se çdo të bëjnë ambasadorët e të gjithë vendeve tona, rrinte këtu duke kaluar kohën i relaksuar, nuk shkonte në Shqipëri, pra, do të thotë që Perëndimi nuk ka ndërmend të përfshihet në krizën shqiptare, por ju thotë atyre zgjidheni vetë, dhe duhet ta zgjidhin vetë.

Pjekuria e një sistemi politik duket nga mënyra se si i tret vetë krizat që krijon, përndryshe nuk është sistem i pjekur.”