Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ftuar nga Kryetari i Parlamentit të Republikës Çeke, Radek Vondráček, në datat 3-4 qershor zhvilloi një vizitë zyrtare në Pragë. Praga ishte stacioni i fundit i veprimtarisë lobuese të Kryetarit të Kuvendit për të siguruar mbështetje për hapjen e negociatave.
Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej nga zëvendës kryetari i Komisionit të Jashtëm dhe anëtar i Komisionit parlamentar të integrimit europian, deputeti Ralf Gjoni, si edhe ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Çekisë, Ilirian Kuka.
Takimin e parë delegacioni parlamentar shqiptar e zhvilloi me Kryeministrin e Republikës së Çekisë, Andrej Babiš. Kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis të dy vendeve dhe nënvizoi se “këto marrëdhënie duhet të pasohen nga intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe nxitja e investimeve çeke në Shqipëri”.
Gjithashtu z. Ruçi, pasi falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar të Çekisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, theksoi se “Ne jemi këtu për të kërkuar nga Kryeministri Babiš dhe qeveria e Republikës Çeke, si edhe katër vendet e Grupit të Vishegradit, të lobohen pranë vendeve skeptike të BE-së për sqarimin e arritjeve të reformave integruese në Shqipëri dhe hapjen e negociatave në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian”.
Kryeministri Andrej Babiš nënvizoi se “ne i njohim arritjet e padiskutueshme të Shqipërisë dhe, përveç mbështetjes sonë dhe të Grupit të Vishegradit, do të bëjmë të gjitha përpjekjet që edhe vendet e tjera të BE-së të njohin e vlerësojnë këto arritje dhe të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian”.
Ndërsa në vazhdim të shpjegimeve të Kryetarit të Kuvendit. Ruçi, mbi situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Babiš u shpreh se “Protestat paqësore janë një element i demokracisë, por qeverisja e vendit fitohet vetëm nëpërmjet konkurrencës në zgjedhje”.
Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, z. Radek Vondráček, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi, nënvizoi se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis të dy vendeve është lehtësuar edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera parlamentare. Z. Vondráček u shpreh se ky bashkëpunim do të vazhdojë e të thellohet, nëpërmjet bashkëpunimit të komisioneve e grupeve të miqësisë dhe se Dhoma e Përfaqësuesve do të ndihmojë Kuvendin e Shqipërisë, jo vetëm duke u lobuar me parlamentet e vendeve anëtare për hapjen sa më shpejt të negociatave, por edhe me asistencë teknike gjatë zhvillimit të tyre.
“Opozita konstruktive bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit”, vuri në dukje kryeparlamentari çek, Radek Vondráček, duke folur për situatën politike në Shqipëri. Me rastin e vizitës së delegacionit shqiptar, në Dhomën e Përfaqësuesve u themelua edhe grupi parlamentar i miqësisë me Shqipërinë.
Kryetari Ruçi dhe delegacioni parlamentar zhvilluan një seancë dëgjimore me Komisionin e Çështjeve të Europës së Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetar i Kuvendit. Z. Gramoz Ruçi dhe deputeti Ralf Gjoni u shpjeguan në detaje anëtarëve të komisionit arritjet e Shqipërisë në zbatim të rekomandimeve të Këshillit Europian për pesë prioritetet kyçe dhe kërkuan lobimin e tyre me komisionet homologe në parlamentet e vendeve anëtare. Deputetet e pranishëm premtuan se Komisioni i Çështjeve të Europës së Dhomës së Përfaqësuesve të Çekisë do tu kërkojë komisioneve homologe të vendeve anëtare mbështetjen e tyre pa kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Delegacioni parlamentar shqiptar u prit edhe nga Zëvendës Presidenti i Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke, z. Jiří Oberfalzer, dhe kryetarë të disa komisioneve të Senatit. Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje se “Marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis vendeve tona e kanë bazën në miqësinë e fortë dhe respektin reciprok midis popujve tanë. Është detyra e qeverive dhe e parlamenteve të nxisim e punojmë që edhe bashkëpunimi ekonomik, tregtar dhe nxitja e investimeve tu përgjigjen ndjenjave dhe respektit që popujt tanë ushqejnë për njeri-tjetrin”.
Senatorët çekë shprehën admirimin e tyre për arritjet e Shqipërisë, të cilën ata e vlerësuan si një vend të mrekullueshëm, në thellimin e reformave integruese dhe gjithashtu premtuan se Çekia do të vazhdojë veprimtarinë e saj lobuese për hapjen menjëherë dhe pa kushte të negociatave. “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor nuk kanë alternativë tjetër, përveçse anëtarësimit në Bashkimin Europian.”, nënvizoi Zëvendës Presidenti i Senatit, z. Jiří Oberfalzer.