MENU
klinika

Nga Fatbardh Rustemi

Sfidë lakuriqëve të natës!

15.06.2019 - 16:31

Njeriu që fiton simpatinë e lexuesit dhe zemëron shtetin.

*Kushtuar poetit disident, Faslli Haliti

Shqipëria, që ka vuajtur nga deliri i shqiponjave, nuk duhet të bëjë sehir krekosjen e lakuriqëve të natës.

Faslli Haliti ka një jetë të tërë që shkruan poezi, ku vazhdimisht fiton simpatinë e lexuesve dhe zemëron shtetin.

(Kur shkruajti poezinë “Djali i sekretarit”, një funksionar i lartë e mori për vete dhe e sulmoi egërsisht.

Kur shkroi poemën “Dielli dhe rrëkerat”, nepotizmi në pushtet turfulloi dhe e çoi në orizore. Kur shkroi poezinë “Njeriu me kobure”, shpërthyen bubullimat nga herarkia e lartë e shtetit me akuzën se po cënohej diktatura e proletariatit).

Ndërsa sot, duke denoncuar imoralitetet politik të kohës përsëri segmentet e shtetit reagojnë të inatosura.

Dhe kur zemërohet shteti blu, s’di gjë tjetër veçse të njollosë me të kuqe. Megjithatë poeti i njeh prej kohësh kundërshtarët e vet. Në vitin 1987 i ka denoncuar në poezinë “Lakuriqi” botuar në gazetën “Drita”. Poezia ka në thelb një subjekt të tillë: Kur ndesheshin zogjtë me minjtë dhe fitonin minjtë, pjesa prej miu e lakuriqit nxitonte të gëzonte fitoren me ta.

Përsëri u ndeshën zogjtë me minjtë dhe fituan zogjtë.

Pjesa prej zogu e lakuriqit u fut mes tyre dhe gëzonte fitoren bashkë me ta. Pra, raca e lakuriqëve të natës, aq e pranishme në jetën shqiptare, shfaqet vetëm në çastet e fitores. Gjithnjë për të përvetësuar fitoren e të tjerëve. Më është krijuar përshtypja se në Shqipëri janë të tjerë ata që kontribojnë në fitore dhe të tjerë që e gëzojnë atë.

Për racën e lakuriqëve të natës, s’ka rëndësi se kush fiton, sepse ata njohin vetëm artin e imponimit nëpërmjet fitores. Për shkak të kësaj race, lulëzojnë gjithfarsoj pseudosh. Duke qënë të aftët të imitojnë dhe plagët, ata s’e kanë për gjë të fabrikojnë heronj. Me që zakoni i tyre është të shfaqen vetëm në çaste fitoresh, janë mjeshtra të skenave festive duke i kënduar “flamujve të revolucionit” apo “pishtarëve të demokracise”. Ja pse na ndodh shpesh të jetojmë paradoksin: Shkojmë drejt së keqes sonë me “urra”.

(Gjithnjë për shkak të zellit të lakuriqve të natës dënimet me vdekje në sallat e gjyqit janë të shoqëruara me brohorima).

Ata s’e kanë për gjë të mburren për gjëra që s’i kanë bërë kurrë.

Këta xhonglerë të situatave, që dinë t’i dredhin frazat me një xhentilesë spektakolare, e kanë bërë të udhës, që për mëkatet e tyre, të bëjnë përgjegjës të tjerët. Faslli Haliti aq i ndjeshëm ndaj imoralitetit politik të kohës, shfaqet si një kalorës i çartuar në fushën e braktisur prej të tjerëve.

Sa lakuriq nate ndruheshin të botonin në gazetën “Zëri i popullit”, kur dje ishin ata që si të besuar, na imponoheshin me madhështinë e gazetës më autoritare. Tani shteti është transferuar gjetkë dhe ata pozojnë prapë hijerëndë në gazetat zyrtare. Ndonëse jetën shqiptare e dominojnë lakuriqtë e natës, shumica e njerëzve vuajnë nga deliri i shqiponjave. Duke mos qënë të zotit t’i parandalojnë të këqijat tona, ndodh e pabesueshmja, shpresojmë të bëjmë përpara duke ushtruar servilizëm.

Bindja e verbër para eprorëve, aq e rëndomtë për racën e lakuriqëve, bën që tek ne të fetishizohet zyrtari. Kështu ata që na përvetësojnë fitoren, s’e kanë për gjë ta shesin lirë. Me që për ta nuk ekziston koncepti i humbjes, rënien e për të cilën ngritën aq shumë ditirambe, e përjetojnë si një melodramë të të tjerëve.

Nëse shumë prej nesh u rrëqethën për çka ndodhi më 26 maj 1996, lakuriqët e natës me një qetësi olimpike bënin të paditurin.

Por ndryshe nga herët e tjera që turreshin me fishekzjarrë për të festuar qoftë me pjesën prej miu apo pjesën prej zogu, këtë radhë kanë një përmbajtje, sepse fitorja ende është e paqartë. Sepse për fatin e tyre të keq, diçka ka mbetur si e ngrirë. Dhe për dreq statuskuoja: as humbje, as fitore, po zjgat ca si shumë. U fol se kandidatura e poetit Faslli Haliti 1996, në emër të PS-së ka shkaktuar habi. Llogaritej e kaluara e tij konfrontuese me diktaturën dhe si rrjedhojë i kishte shanset të bënte karrierë nga krahu i leverdisshëm, ndërsa ai vetë ka shpjeguar: “Në monizëm më kanë kritikuar se kam bërë thirrje për përmbysjen e pushtetit popullor.

(Ne e njohim pjesën prej miu të ekspertit letrar që formuloi akuzën F.R.) Unë mund të mburresha sot me një gjë të tillë. Asnjëherë s’më ka pëlqyer t’i njoh vetes merita, që s’më takojnë…”

Siç shihet poeti duke përbuzur moralin politik të lumpenit, që vjen nga rradhët e minjve të përzierë me zogj, shpall dinjitetin e tij.

Kuptohet qartë se ai bën pjesë në llojin e njerëzve, që duan të fitojne dhe jo në llojin e atyre, që duan të përfitojnë. Poetin Faslli Haliti e shohim shpesh të shoqëruar rrugëve të qytetit, pa pike droje, edhe me një ish komunist, të veshur keq, apo diku me një horr, që i shpjegon se ç’është demokracia, pa përfillur vështrimet politizuese.

Por dhe të mëshirojë ndonjë lakuriq nate, që dikur poezitë e Faslliut ia denonconte sa në Komitetin e Partisë ashtu dhe në Degën e Brendshme si dhe ndonjë mjeran me kobure fshehur nën xhaketë, që sajon alibira spiunësh…?! Njerëzit e përzierë me minj dhe me zogj e kanë ndotur aq shumë këtë vend, ku nën sfonde fitoresh përgatitet humbja jonë.

Dhe punët shkojnë deri në atë pikë, sa shpesh me pikëllim më duhet të kujtoj thënien, virtuti duhet t’i kërkoj ndjesë vesit.

Misteret e emërimit dhe shkarkimit në janar ‘82

Fakti që s’e kemi ditur: Kadri Hazbiu 15 ditë kryeministër

Mbreti Zog priti Dr. Frigione në audiencë ku i dorëzoi dekoratën e lartë

Historia e panjohur e Bankës Kombëtare Bujqësore në Shqipëri

“Tereza e Bekuar e Kalkutës”

27 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës