MENU
klinika

Mocioni i mazhorancës

Shkarkimi i Metës, dy deputetë kundër

11.06.2019 - 16:19

Një pjesë e deputetëve të opozitës së re kanë deklaruar se janë kundër mocionit të mazhorancës që kërkon shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Lefter Maliqi tha se dhe 5 deputetë të PS do të votojnë kundër, ndërsa Fatjona Dhimitri u shpreh se akti i Presidentit është kushtetues.

Mocioni i mazhorancës ndaj presidentit Ilir Meta nuk do të marrë votat e të gjithë deputetëve të parlamentit. Një pjesë e deputetëve të opozitës së re kanë deklaruar se do të votojnë kundër këtij shkarkimi.

Lefter Maliqi shprehet se vota kundër do të ketë dhe mes Partisë Socialiste, ndërsa mocionin e mazhorancës e cilësoi një marrëzi.

“Edhe sot te Komisioni i Suigurisë Kombëtare një qetësi absolute, e kanë mendjen te kjo marrëzi e fundit e mazhorancës të cilët këkrojnë me një rezolutë tip mocioni të shkarkojnë Presidentin, gjë që nuk do të ndodhë.

Propozimi dhe nëse votohet me 94 vota që jam i bindur që nuk do të votohet. Janë mbi 5 deputetë të PS që nuk do të votojnë shkarkimin e Presidentit. Ndërkohë që janë dhe pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës nga kontaktet e mia që nuk votojnë shkarkimin e Presidentit pavarësisht nga lëvizjet e fundit që po bën mazhoranca për të kapur deputetët e opozitës së re por edhe ata që dyshohen me shenja pikësimi.

Do të kërkoj të jem vetë në Komision. Dje dhe sot është ditë e qetë për gjithë shqiptarët dhe socialistët e ndershëm.”

Në të njëjtën linjë ishte dhe kryetarja e Komisionit të Medias Fatjona Dhimitri, e dalë nga lista e PD, e cila shtoi se shkarkimi i Metës u diskutua dhe gjatë konferencës së kryetarëve.

“Personalisht shprehem kundra mocionit për debat, sepse mendoj se nuk ka vend për debat lidhur me dekretin e Presidentit. Mendoj se dekreti nuk është antikushtetues.”

Përmes një statusi në facebook, edhe deputeti Ralf Gjoni shkruan se do të votojë kundër shkarkimit të presidentit, por nënvizon se vota e tij mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e reformës zgjedhore.