MENU
klinika

"Perandoria e kuqe"

Sulltanët me duart me gjak-nga froni në harem

17.06.2019 - 13:40

      Në perandorinë osmane, sulltanët nuk e kishin zakon që trashëgimia t’i takonte djalit të madh. Si rezultat, froni ishte ëndrra për të cilën luftonin disa prej vëllezërve. Në të tilla kushte, perandoria u mbush me pretendues, të cilët gjenin strehë në shtetet armike, duke i shkaktuar probleme perandorisë për vite me radhë…

Kur Mehmed pushtuesi rrethoi Kostandinopojën, xhaxhai i tij luftoi kundër tij, nga muret rrethuese. Mehmedi edhe në këtë rast, përdori mizorinë e tij të zakonshme. Kur mori fronin, e ekzekutoi pjesën më të madhe të të afërmve, duke përfshirë edhe një vëlla që e mbyti në djep. Më pas, nxori ligjin famëkeq: “Cilido prej bijve të mi, që do të marrë sulltanatin, për hir të rregullit të botës, do të vrasë vëllezërit e tij. Shumica e Ulemave e lejojnë këtë. Pra, le të veprojë në këtë mënyrë”.

Prandaj, çdo sulltani i ri duhej ta merrte fronin, duke vrarë të gjithë të afërmit e gjinisë mashkullore.

Kështu, Mehmedi III shkuli mjekrën nga hidhërimi, kur vëllai më i vogël iu lut për mëshirë. Por, ai “nuk iu përgjigj kurrë, as edhe me një fjalë”, ndaj djali u ekzekutua së bashku me 18 vëllezër të tjerë. Pamja e 19 trupave të tyre që vërtiteshin rrugëve, bëri të vajtojë i gjithë Stambollin.

Por edhe pas raundit të parë të vrasjeve, të afërmit e sulltanit nuk ishin të sigurt. Sulejmani i Madhërishëm, shikonte në heshtje pas dritares, si djali i tij mbytej me një tel të harkuar, pasi i biri ishte bërë shumë popullor mes ushtrisë dhe sulltani vetë, nuk ndihej i sigurt.

 

Edhe për sulltanin, jeta në Topkapi mund të ishte mbytëse deri në ekstrem. Konsiderohej e pahijshme për sulltanin që të fliste shumë, kështu që u fut një formë e gjuhës së shenjave dhe sundimtari e kalonte shumicën e kohës i rrethuar nga një heshtje e plotë.

Mustafai I, e pa të pamundur ta duronte këtë dhe u përpoq që ta ndalojë, por veziri i tij, refuzoi ta lejojë. Mustafai, shumë shpejt u çmend.

 

 

 

 

Intrigat në pallat ishin të zakonshme, teksa vezirët, oborrtarët, eunukët luftonin për pushtet. Për 130 vjet, gratë e haremit fituan një ndikim të madh dhe periudha u bë e njohur, si “sulltanati i grave.”

Dragomani (Kryepërkthyesi) ishte gjithmonë i pushtetshëm dhe gjithmonë, ishte grek.

Eunukët ndaheshin përgjatë linjave racore – kryeeunuku i zi dhe ai i bardhë ishin rivalë. I zënë shpesh në mes të kësaj çmendurie, sulltani ndiqej kudo ku shkonte.

Ahmeti III, i shkroi vezirit të tij të madh, duke u ankuar: “Nëse shkoj në një nga dhomat, 40 vetë janë vënë rresht; nëse më duhet të vesh pantallonat, nuk ndihem aspak rehat. Ushtari duhet t’i lërë të largohen. Mbani vetëm tre apo katër burra, që të jem rehat”.

Për shkak se ishin vazhdimisht të vëzhguar, në një atmosferë helmuese, një numër i sulltanëve osmanë u sëmurën mendërisht.

 

Politika e vëllavrasjes në perandorinë osmane, nuk ishte popullore mes publikut apo klerit, ndaj u braktis në heshtje, kur Ahmedi I, vdiq papritmas në vitin 1617. Në vend të kësaj, trashëgimtarët e mundshëm për fronin u mbyllën në pallatin Topkapi, në Stamboll, në apartamente që njiheshin si ‘kafazet’. Një princ i perandorisë mund të kalonte tërë jetën e tij i burgosur në kafaz, i monitoruar vazhdimisht nga rojet. Burgimi ishte zakonisht, luksoz, por i zbatuar në mënyrë rigoroze dhe shumë princa u çmendën nga mërzia ose u bënë të varur nga alkooli.

Kur një sulltan i ri shkonte në Portën e Lumturisë, për të marrë besnikërinë e vezirëve, kjo mund të ishte hera e parë që dilte jashtë, pas disa dekadash, gjë që nuk ishte përgatitja ideale për një sundimtar.

 

Kërcënimi i ekzekutimit ishte konstant. Në vitin 1621, Myftiu i Madh refuzoi të lejojë Osmanin II, që të mbyste vëllain e tij. Por, kryegjykatësi i Ballkanit, nxitoi për të dhënë një kundërpërjgigjë, por princi u mbyt, gjithsesi. Vetë Osmani u përmbys më pas, nga ushtria, që iu desh të nxjerrë vëllain e tij të mbijetuar nga kafazi, duke hequr çatinë dhe duke e nxjerrë me litar. Ai kishte dy ditë pa ujë dhe ushqim, prandaj ishte shumë vonë për të qenë i vetëdijshëm se ishte bërë sulltan.

 

 

 

 

Gjykata e parë e pallatit Topkapi, ishte një vend i tmerrshëm. Aty spikasnin dy shtylla ku ekspozoheshin kokat e prera dhe një burim i veçantë vetëm për ekzekutuesit, për të larë duart.

Gjatë spastrimeve periodike në pallat, gjuhët e njerëzve bëheshin pirg, ndërsa një top i veçantë ushtonte çdo herë që një trup hidhej në det. Osmanët as nuk e morën mundimin që të krijonin një trupë xhelatësh. Në vend të kësaj, kjo detyrë u ra kopshtarëve të pallatit, të cilët e ndanin kohën mes vrasjeve dhe rritjes të shumë prej luleve të bukura që njohim sot.

Shumicës së viktimave të tyre, thjeshtë u pritej koka. Por, ishte e ndaluar që të derdhej gjaku i familjes mbretërore dhe zyrtarëve të nivelit të lartë, kështu që ata mbyteshin derisa jepnin shpirt.

Si rezultat, kryekopshtari ishte gjithmonë një njeri trupmadh, muskuloz, i aftë për ta mbytur për vdekje një vezir, me të marrë njoftimin.

 

Në ditët e para të qeverisjes, zyrtarët e sulltanit të rinj krenoheshin me bindjen që kishin ndaj tekave të tij dhe ishte e zakonshme që ata të përballeshin qetë-qetë me ekzekutimin.

Veziri i famshëm, Kara Mustafai, ishte shumë i respektuar për shkak se e përshëndeti ekzekutuesin e tij me një “Ashtu qoftë!” të përulur. Më pas, u ul në gjunjë që ai t’i vendoste telin përreth qafës.

Por, me kalimin e kohës, standardet ranë. Ali Pashën, i cili luftoi aq shumë kundër njerëzve të Sulltanit, e vranë me plumba, nga poshtë dyshemesë së shtëpisë.

 

 

 

 

Në perandorinë osmane kishte një mënyrë, që një zyrtar besnik t’i shpëtonte zemërimit të sulltanit. Duke filluar nga fundi i shekullit të XVIII-të, u bë zakon që një vezir i madh, i dënuar, mund t’i shpëtonte fatit tragjik, duke mundur një kopshtar në garën nëpër kopshtet e pallatit.

Zyrtari thirrej në një takim me kryekopshtarin dhe pas shkëmbimit të përshëndetjeve, vezirit do t’i dorëzohej një gotë sherbet e mbuluar me akull. Në qoftë se ajo ishte e bardhë, sulltani i kishte ofruar atij edhe një mundësi. Nëse ajo ishte e kuqe, ai do të ekzekutohej. Sapo shihte sherbetin, veziri duhej të niste vrapin me sprint.

Ai vraponte nëpër kopshtet e pallatit, nëpër hijet e selvive dhe rreshtave me tulipanë, i ndjekur nga sytë e fshehur prapa portave dhe dritareve të haremit. Gara përfundonte para portës së tregut të peshkut, në anën tjetër të pallatit. Nëse veziri mbërrinte te porta përpara kryekopshtarit, ai thjesht dërgohej në mërgim dhe nuk vritej.

Por, kryekopshtari ishte më i ri dhe më i fortë, dhe zakonisht ndodhte që ai e priste me litarin e tij të mëndafshtë. Kështu, shumë pak vezirë ia dolën, duke përfshirë Haxhi Sali Pashën, veziri i fundit që u përball me garën e vdekjes. Ai u përgëzua dhe më pas, u bë guvernator i një province.

 

Pavarësisht se ishin të dytët pas sulltanit, vezirët e mëdhenj, zakonisht ekzekutoheshin ose i hidheshin turmës kur diçka shkonte keq. Prej këtej e ka origjinën shprehja “kokë turku”.

Sulltan Selimi, ndryshoi aq shumë vezirë të mëdhenj, saqë filloi të mbajë një ditar.

Vezirëve u duhej gjithashtu, të qetësonin popullin e Stambollit, si të prirur për të marshuar në pallat dhe për të kërkuar ekzekutime, sa herë që diçka shkonte keq. Një vizitor britanik i shekullit të XVIII-të, vërente se “kur një ministër këtu, nuk u pëlqen njerëzve, brenda tri orësh hiqet zvarrë dhe i presin krahët, kokën e këmbët”.

 

Njerëzit nuk kishin frikë të sulmonin pallatin, nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin. Në vitin 1730, një ushtar i rreckosur, me emrin Patrona Ali, udhëhoqi një turmë që hyri në pallat dhe mori kontrollin e perandorisë për disa muaj.

Ai u qëllua për vdekje, pasi u përpoq që të bënte sundimtar të Vllahisë, një kasap, të cilit i kishte para borxh.

 

 

 

 

Haremi perandorak përbëhej nga deri 2000 gra, shumica prej të cilave, të blera apo rrëmbyera si skllave, që shërbenin si gra, apo konkubina të sulltanit. Ato mbaheshin të mbyllura dhe nëse një burrë u hidhte sytë, kjo ishte vdekja e tij.

Vetë haremi, ruhej dhe drejtohej nga Kryeeunuku i Zi, i cili me kalimin e kohës e shndërroi pozicionin e tij, në një prej forcave më të pushtetshme të perandorisë.

Ka pak informacion për ngjarjet brenda mureve. Thuhet se, aty ka pasur kaq shumë konkubina, saqë disa prej tyre as nuk arrinin ndonjëherë ta shihnin Sulltanin. Të tjera, ia dilnin të fitonin edhe ndikim në drejtimin e punëve të perandorisë.

Sulejmani i Madhërishëm, ra çmendurisht në dashuri me një polake të quajtur Rokselana, u martua me të dhe e bëri kryekëshilltare. Ndikimi i Rokselanës ishte kaq i madh, saqë një vezir i madh dërgoi piratin Barbarosa në një mision të dëshpëruar, për të rrëmbyer bukurinë italiane Giulia Gonzaga, me besimin se vetëm ajo do të mund t’i afrohej sharmit të Rokselanës. Plani u zbulua nga një italian i guximshëm, i cili hyri në shtëpinë e Giulias dhe e mori me kalë, përpara se të vinin piratët.

Pasi e falënderoi që e shpëtoi, Giulia thuhet se kërkoi që ai të vritej, për shkak se e kishte parë me këmishë nate.

Ky veprim e bëri të fitojë admirimin e gjithë Italisë.

Ish-konkubina Kosem, arriti edhe më shumë ndikim se Rokselana. Me kalimin e kohës, ajo udhëhoqi perandorinë në emër të birit apo nipit. Derisa ndeshi në nusen e saj, Turhan, e cila urdhëroi që vjehrra të mbytej me një perde, përpara se t’i merrte vendin.

 

Një nga karakteristikat më famëkeqe të sundimit të hershëm Osman, ishte devsirmeja (“thirrja”), një haraç që paguhej me djem të rinj nga shtete të krishterë të Perandorisë. Shumica e djemve regjistroheshin në korpusin e jeniçerëve, ushtria e skllevërve-ushtarë që ishin në ballë të pushtimeve osmane.

Haraçi kërkohej jo rregullisht, por në varësi të nevojave që mund të kishte për fuqi punëtore dhe në shënjestër ishin djem të moshës 12-14 vjeç, kryesisht nga Ballkani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit