MENU
klinika

Racizmi

Vardari feston titullin në hendboll me thirrje antishqiptare

04.06.2019 - 17:23

Vardari u shpall kampion i Europës në hendboll dhe rrugët e Shkupit u pushtuan me mijëra tifozë për të festuar këtë titull.

Megjithatë, duket se ata nuk u mjaftuan vetëm me trofeun e sjellë nga skuadra e tyre në Maqedoninë e Veriut, por shkuan edhe më tej, duke lëshuar kore kundër shqiptarëve.

Sipas Komitetit të Helsinkit, gjatë festimeve u dëgjuan shumë kore dhe fyerje raciste nga ana e tifozëve të Vardarit, shumica e të cilave iu drejtuan popullsisë shqiptare që përbëjnë ¼-tën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut.

Sipas kësaj organizate joqeveritare, disa prej tifozëve folën për dhomë gazi dhe kërkuan një Maqedoni të pastër.

Tifozët pritën skuadrën e tyre që në momentin kur zbriti në aeroport, e një grup prej 50 personash u dëgjuan të thërrisnin “Një shqiptar i vdekur është një shqiptar i mirë”.

Më pas, gjithçka vijoi me paradën në rrugët e qytetit, ku të pranishëm ishin 10 mijë tifozë. Më herët, Ministria e Brendshme maqedonase u kishte bërë thirrje tifozëve që të mos përdornin sloganë ose kore fyese dhe që nxisin urrejtjen, por ky apel ra në vesh të shurdhët.

Në rrjetet sociale janë postuar video ku dëgjoheshin të tjera kore antishqiptar si “T’ua bëjmë të ditur shqiptarëve të djallit se emri i Maqedonisë nuk do të shuhet kurrë”, një shprehje kjo që i referohet edhe akordit të arritur mes qeverisë vendase dhe asaj greke, për t’i shtuar “e Veriut” emrit të Maqedonisë.