Dy fusha të reja sportive i janë shtuar Tiranës në sheshin “Emil Lë Grand” në Njësinë 7 në kryeqytet.
Kryebashkiaku Erion Veliaj përuroi përfundimin e punimeve, ndërsa tha se do të vijojë me hapjen e këndeve të tjera sportive.
“Shpresoj që Njësia 7 t’i vlerësojë si shumë të çmuara këto asete. Nëse ruhet dhe mirëmbahet, ashtu si çunat po luajnë me kujdes këtu, çunat e tjerë tek kalçeto atje, na jep mundësi që me një donator tjetër të shkojmë një vend tjetër. Tani që po vinim rrugës identifikuam 2-3 xhepa të vegjël, ku mund të bënim një kënd lojërash, mund të bënim një tjetër street-basket, mund të vendosnim një rrjetë volejbolli”, tha ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se për 4 vitet e ardhshme fokusi do të jetë krijimi i mjediseve më të përshtatshme për më të rriturit.
“Nëse në katër vitet e para fokusin e kishim kryesisht tek këndet e lojërave për fëmijë, çerdhet, kopshtet, tani po shkojmë më shumë drejt sportit e shkollave, sepse besoj që, kur janë adresuar nevojat e më të vegjëlve, mund të lëvizim tek nevojat për më të rriturit. Kaluan 4 vite dhe tani duam që, siç kemi filluar këtu me dy fusha, siç kemi bërë tek stadiumi “Dinamo”, tek Parku Olimpik, siç kemi bërë në Kodër-Kamzë tek “Isa Boletini”, tek Liqeni, do vazhdojmë në çdo lagje.
Mesazhi që japim në brendësi të pallateve, duke i kthyer në terrene sportive, besoj se do gjejë një dakordësi me prindërit sepse në fund, po ta pyesësh një prind dhe t’i thuash: Zgjidh, o makinën o fëmijën, të gjithë do zgjidhnin fëmijën”, theksoi Veliaj.