Besian Mustafa thotë se LDK është e gatshme për zgjedhje pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, raporton T7.
Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj e gjeti pa përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Por, pavarësisht se tani ka mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në LDK thonë se ata do të përfundojnë zgjedhjet e brendshme.
Data 3 gusht, e përcaktuar për të mbajtur Kuvendin e Përgjithshëm, nuk do të ndërrojë.
Pavarësisht situatave, Besian Mustafa, thotë se LDK’ja është e gatshme për zgjedhje pas dorëheqjes së kryeministrit.
Por, ndryshe nga zëdhënësi i LDK-së mendon analisti, Imer Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se shumëçka në lidhje me LDK-në varet nga Kuvendi i Përgjithshëm, ku do të zgjidhet kryetari i ri.
Zgjedhjet nëpër degët e LDK tashmë kanë përfunduar, ndërsa u përcollën me përplasje e fjalosje.
E anëtarët e kësaj partie nuk kursyen grushtet e karriget për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin.